Ku ndodhet dokumenti origjinal i aktit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë?

  • E.K /
  • 29 November 2022 - 08:34
Ku ndodhet dokumenti origjinal i aktit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë?

Historiani, Beqir Meta, ka thënë se që pas vitit 1937 nuk dihet vendndodhja e dokumentit më të rëndësishëm që nga formimi i shtetit shqiptar, përcjell "Kosova Sot Online".

“Historia e dokumentit të pavarësisë është historia e trishtë e procesit të shtetformimit në Shqipëri. Nëse do të ketë qenë në arkivin personal të Lef Nosit, risku më i madh vjen në momentin në vitet para komunizmit kur është dënuar Lef Nosi dhe është sekuestruar gjithë pasuria e tij dhe biblioteka dhe arkivi i tij. Ne nuk gjejmë një inventar ku të jetë regjistruar dokumenti i pavarësisë. Nëse Lef Nosi mund t’ia ketë dhënë një albanologeje britanike të njohur Margaret Hasluck. Një moment që ka lënë dyshime që një historian shqiptar (Kristo Frashëri) në fund të jetës së tij ka pretenduar që kishte dijeni për dokumentin e pavarësisë dhe këtë ia ka deklaruar autoriteteve të larta shtetërore, është enigmë se ku ka përfunduar dokumenti i pavarësisë. Mund të jetë në dorë të një trafikanti që tenton të bëjë para”, u shpreh historiani Meta.

“Në vitet ‘45-‘46 janë ngarkuar tonelata dokumente që janë çuar në Jugosllavi. Kjo tregon edhe një dobësi të shtetformimit tonë se çdo lloj regjimi nuk mund të largojë dokumentet e veta që përbëjnë historinë e vet”, theksoi historiani shqiptar, Beqir Meta.

(Kosova Sot Online)