20 vjeçarja që krijoi skulpturën e njeriut të rezistencës

  • E.K /
  • 29 November 2022 - 11:15
 20 vjeçarja që  krijoi skulpturën e njeriut të rezistencës

Skulptorja 20 vjeçare, Eliza Shala, ka vendosur skulpturën e saj “Këmbëkryq”në Prishtinë.

Kjo vepër është realizuar në kuadër të KnKub Heritage financuar nga Komuna e Prishtinës, Drejtoria e Kulturës.

Skulptorja ka treguar se Këmbëkryq quhet skulptura e cila përfaqëson urtësinë, paqen dhe këmbëngulësinë, transmeton "Kosova Sot Online".

Në skulpturë është Faik Rexhepi, protestuesi në qëndresën paqësore në Kosovë të vitit 1990 ndaj trupave të regjimit serb.

“Këmbëkryq quhet skulptura e cila përfaqëson urtësinë, paqen dhe këmbëngulësinë, përmes ngjarjeve historike që mishërohen me këtë gjest. Në qëndresën paqësore në Kosovë të vitit 1990, në rrëmujën e ndjekjes nga policia e regjimit serb, protestuesi Faik Rexhepi ulet këmbëkryq duke peshuar kokën në dorë, me të vetmen shpresë e besim në mrekulli, se ai do të lihej i qetë në të drejtën e tij. Një dritëshkronjë e shkrepur nga fotografi Hazir Reka do ta vuloste përgjithmonë këtë çast që përmbledhi gjithë pështjellimin e kohërave tona. Me anë të kësaj skulpture, këtë 28 Nëntor, ai, protestuesi, rikthehet, tashmë i papenguar dhe i mirëpritur, ta gëzoj të drejtën për tu ulur këmbëkryq, në vendin e tij.”, është shprehur skupltorja.

(Kosova Sot Online)