Sveçla reagon për vrasjen e gruas shtatzënë: Sa më parë ky kriminel të arrestohet

  • E.K /
  • 01 December 2022 - 14:47
 Sveçla reagon për vrasjen e gruas shtatzënë: Sa më parë ky kriminel të arrestohet

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas vrasjes të gruas shtatzënë, e cila dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj në QKUK, në Prishtinë, shkruan "Kosova Sot Online".

Sveçla ka shkruar se ka kërkuar nga Policia e Kosovës arrestimin e Sokol Halilit, të dyshuarit për vrasjen në QKUK.

Përveç kësaj, ministri ka kërkuar edhe ndihmën e qyetarëve se nëse kanë ndonjë informacion ti tregojnë policisë.

Postimi i plotë:

Si të gjithë qytetarët e vendit tonë, jam tronditur nga vrasja makabre e Hamide Magashit dhe fëmijës së saj pak orë pa lindur nga ish-bashkëshorti i saj.

Nga Policia e Kosovës kam kërkuar angazhim maksimal të të gjithë zyrtarëve policorë për arrestimin e menjëhershëm dhe sjelljen para drejtësisë të kriminelit dhe vrasësit të dyfishtë, Sokol Halili. 

Arrestimi dhe drejtësia janë urgjenca e këtij rasti dhe ftoj edhe qytetarët të bashkëpunojnë me policinë nëse kanë informata që mund të lehtësojnë apo përshpejtojnë këtë proces.

Po ashtu, që nga momentet e para e në vazhdimësi kam kërkuar raporte të detajuara mbi rastin dhe historikun që nga informata e parë zyrtare deri në momentin e aktit makabër.

Në të njëjtën kohë kam kërkuar përfshirjen e Inspektoratit Policor të Kosovës për hetimin e punës, veprimeve apo mosveprimeve të zyrtarëve policorë të përfshirë në trajtimin e këtij rasti në secilën instancë. Pa asnjë dilemë, sapo të pranoj zyrtarisht raportet e kërkuara, do të merren të gjitha masat e nevojshme ndaj kujtdo që me apo pa vetëdije mund të jetë përgjegjës.

Ju siguroj që janë angazhuar të gjitha kapacitetet e nevojshme policore që sa më parë ky kriminel të arrestohet dhe të sillet para organeve të drejtësisë.

(Kosova Sot Online)