Qytetarët kërkojnë zgjedhje dhe refuzimin e 'Open Balkan'

  • A.P /
  • 21 December 2022 - 16:50
Qytetarët kërkojnë zgjedhje dhe refuzimin e 'Open Balkan'

Mijëra qytetarë protestuan kundër qeverisë së Dritan Abazoviç në Mal të Zi, nën tingujt e një kënge të vjetër italiane antifashiste, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.


Pikëtakim i zakonshëm është shndërruar godina e parlamentit në Podgoricë. Me sloganin “Jemi shumë”, qytetarët kërkuan zgjedhje të parakohshme, refuzimin e projektit “Open Balkan” dhe të ligjit që kufizon fuqitë e presidentit të Malit të Zi.

“Shpresoj që njerëzit të ndërgjegjësohen për të tejkaluar këtë krizë dhe që të kemi një qeveri normale që punon për interesin e Malit të Zi dhe popullit, Kishës së Malit të Zi dhe gjuhës sonë”, thotë Vasko Jablan, një nga protestuesit.

 “Është e vërtetë që ishte hera e parë që ne ndërruam qeverinë pas disa dekadave, por ky ndryshim nuk na solli asgjë të mirë”, shton një tjetër, Marko Buric.

“Dola për të mbështetur një Mal të Zi të civilizuar, multietnik dhe antifashist. Dola për të rinjtë dhe gjeneratat e reja dhe për t’i thënë Europës: Ne jemi këtu!”, thotë Tinka Djuranovic, një tjetër protestuese.


Politika në Malin e Zi me vetëm 625 mijë banorë ka qenë mjaft e trazuar në vitet e fundit dhe tepër e përçarë për shkak të përplasjeve mes atyre që janë proeuropianë dhe proserbë e rusë. Qeveria e Kryeministrit aktual, Dritan Abazoviç, është shkarkuar nga parlamenti, por ende nuk është marrë një vendim për një mazhorancë të re apo zgjedhje të parakohshme.

(Kosova Sot Online)