Paralajmëroi se Serbia rrezikon izolim, krejt çka tha Vuçiq dje për Kosovën dhe problemet që shteti i tij ka

  • E.K /
  • 24 January 2023 - 08:04
Paralajmëroi se Serbia rrezikon izolim, krejt çka tha Vuçiq dje për Kosovën dhe problemet që shteti i tij ka

Serbia rrezikon izolimin nga Bashkimi Euiropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëse nuk pranon të bashkëpunojë për realizimin e planit franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Presidenti Aleksandër Vuçiç gjatë një konference për mediat që mbajti pasi mori pjesë në mbledhjen e qeverisë.

Ai tha se diplomatët e huaj i kanë thënë se nëse nuk e pranon planin franko-gjerman, Serbia do të përballet me bllokim në integrim evropian, ndalim të investimeve dhe masat gjithëpërfshirëse, në kuptimin politik dhe ekonomik.

 “Nuk ka progres për ne nëse nuk bashkëpunojmë për këtë çështje. Kur të jemi para kërkesave përfundimtare Kuvendi i Serbisë dhe populli do të deklarohen”, tha Vuçiç duke pranuar se plani franko-gjerman është kornizë e re negociuese për Serbinë.

Vuçiq deklaroi se diplomatët e huaj i kanë thënë se nëse nuk e pranon planin franko-gjerman, Serbia do të përballet me ndalimin e integrimit evropian, ndalimin e investimeve dhe masat gjithëpërfshirëse në kuptimin politik dhe ekonomik.

“Duhet ta pranoni këtë plan, më thanë”, tha Vuçiq.

Vuçiq tha se i gjithë konteksti evropian ka ndryshuar pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.

“Serbia është në radarin e të gjithëve sepse nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë”, tha ai.

Ai tha se se ky fakt është bërë një nga problemet më të mëdha për Serbinë.

Më herët gjatë ditës, me ftesë të kryeministres, Ana Brnabiq, Vuçiq mori pjesë në mbledhjen e Qeverisë së Serbisë, e cila zgjati rreth dy orë dhe ishte e mbyllur për publikun.

Pas takimit, u tha se presidenti serb njoftoi ministrat për qëndrimin e Beogradit zyrtar për çështjen e Kosovës, siç u tha, me “sfidat dhe vështirësitë me të cilat po përballet Serbia”.

Sipas njoftimit të Qeverisë serbe, në takim “u pajtuan që presidenti, qeveria dhe të gjitha autoritetet ekzekutive të punojnë në mënyrë të sinkronizuar dhe të unifikuar”.

Më 20 janar, Vuçiq takoi pesë diplomatë të një ekipi evropiano-amerikan, ku më pas deklaroi se Beogradi është i gatshëm të punojë në zbatimin e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Pas takimit me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës, Gjermanisë dhe Italisë, Vuçiq tha se ka “shqetësim dhe rezervë për një çështje e rëndësishme”, por nuk dha më shumë detaje, meqë tha se nuk mund të flasë për këtë pasi propozimi nuk është publik.

(Kosova Sot Online)