
Aksidentoi 9-vjeçaren dhe u largua nga vendi i ngjarjes, arrestohet një person

Një person është arrestuar në Tiranë, pasi ka aksidentuar një vajzë 9-vjeçare , ku më pas është larguar nga vendi i ngjarjes, shkruan “Kosova Sot Online”.
Policia ka njoftuar se e mitura është jashtë rrezikut për jetë.
Po ashtu, në njoftim thuhet se të arrestuarit i është sekuestruar motomjeti.
Njoftimi i policisë:
Aksidentoi një të mitur dhe u largua nga vendi i ngjarjes, Policia Rrugore e Tiranës, identifikon dhe vë në pranga autorin.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit G. M., 35 vjeç, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit” pasi në rrugën “Demokracia”, ka aksidentuar një të mitur 9-vjeçare, dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. 9-vjeçarja ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë Rrugore të Tiranës, pas marrjes së njoftimit, menjëherë organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar. Pas disa orësh pune intensive hetimore profesionale bënë të mundur identifikimin e targës së motomjetit dhe më pas të drejtuesit të tij.
Në cilësinë e provës materiale, u sekuestrua motomjeti.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
(Kosova Sot Online)