Bajqinovci: Skena teatrale ato që ndodhën në Kuvendin e Serbisë

  • A.P /
  • 02 February 2023 - 21:00
 Bajqinovci: Skena teatrale ato që ndodhën në Kuvendin e Serbisë

Skena teatrale ato që ndodhën në Kuvendin e Serbisë ku disa deputetë të opozitës u sulën ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiq,  i ka cilësuar deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.


Bajqinovci i ka krahasuar ato skena me ngjarjet e viteve 90-ta ku protagonistë ishin të akuzuarit për gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare, Sllobodan Millosheviq dhe Vojisllav Sheshel.

“Skenat teatrale në Parlamentin e Serbisë, janë vazhdimësi e politikës hibride që Serbia i aplikoi në fundshekullin e kaluar, kur në skenën e diplomacisë dhe të politikës zyrtare thureshin skenare të përkushtimit të rrejshëm për paqe të Beogradit zyrtar, e në anën tjetër, tanket serbe vazhdonin shkatërrimet e vrasjet”

“Politika zyrtare në Serbi po përdorë taktikat e njëjta me Millosheviqin, që provonin krahasimin e tij me Vojisllav Shehelin për ta bërë të duket kreu shtetëror i moderuar”, ka thënë Bajqinovci.

Bajqinovci shton se skena të tilla shërbejnë vetëm për të hutuar faktorin ndërkombëtar.


“Rezultati i aksioneve e skenave politike që i pamë sot në Serbi, është për të vënë në lajthitje faktorin ndërkombëtar për ta shitur sa më shtrenjtë ‘konstruktivitetin’ në procesin e arritjes së marrëveshjes për normalizim me Republikën e Kosovës, më saktë, është reflektim i frikës se mos faktori ndërkombëtar, do të reflektojë karshi rezistencës së Qeverisë Kurti për të marrë parasysh rreziqet e skenarëve të bosnjëzimit të Kosovës”, ka thënë ai në një status të tijin në rrjetin social Facebook.

“Opozita atje po i vetëofrohet Vuçiqit për të neutralizuar rezistencën e Kosovës derisa opozita në Kosovë po përpiqet në çdo hap të minojë përpjekjet e Qeverisë tonë për parandalimin e rreziqeve që fshehen pas AKSHS. Opozita kosovare në termat e efekteve politike të saj, nënkuptojnë partneritet me pragmatistët ndërkombëtar e me vet politikën zyrtare të Vuçiqit e Serbisë, vetëm e vetëm që të minojë rolin e Albin Kurtit në ruajtjen e sovranitetit, integritetit dhe rendit aktual kushtetues në Republikën e Kosovës”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)