Bumçi: Braktisja e vendit filloi një viti e gjysmë pasi njerëzit panë si po qeveriste Edi Rama!

  • E.K /
  • 20 February 2023 - 11:21
Bumçi: Braktisja e vendit filloi një viti e gjysmë pasi njerëzit panë si po qeveriste Edi Rama!

Aldo Bumçi, ish-deputeti i PD, deklaroi sot se braktisja e vendit nga qytetarët, rënia e popullsisë, ka filluar në vitin 2015, një vit e gjysmë pasi ata pritën dhe panë se si do të qeverisej vendi nga Edi Rama.

Bumçi krahasoi dhe analizoi arritjet që ishin bërë nga qeverisja e PD-së deri në atë periudhë, rritjet e pagave, investimet e mëdha në energji, subvencionin në bujqësi me këtë periudhë të fundit, që po i nxit shqiptarët të emigrojnë në mënyrë masive.

Në një analizë të ftohtë shifrash mbështetur mbi statistika zyrtare, Bumçi shprehur bindjen e plotë se është e mundur që në Shqipëri të ndërtohet një realitet tjetër nga ky i sotmi me kriza të gjithanshme, sepse ai realitet ka ekzistuar gjatë qeverisjes së PD.

I ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” në SYRI TV, Aldo Bumçi foli me argumente për pyetjen që iu drejtua:  “A po e humbet Shqipëria të ardhmen e saj, sot?”

Aldo Bumçi tha: “Vendi ka disa vite që është në një krizë të shumëfishtë, është një krizë e demokracisë, e kontrollit të pushtetit; kemi përqendrim të të gjithë pushteteve në një person të vetëm dhe në anën tjetër kjo pasyqrohet në mungesë të të drejtave të njeriut, të të drejtave themelore.

Kemi parë se si edhe shtëpia, streha e personit nuk trajtohet më si e shenjtë siç është realisht, por ai nxirret jashtë me gaz; nxirren nga shtëpitë pa u dhënë dëmshpërblimin përkatës për projekte që nuk janë transparente; rrugë kombëtare zhvendosen, siç kemi parë në Tiranë me Unazën; kemi parë projektet e tërmetit kur qytetarëve u thonë se pallatet nuk janë dëmtuar edhe ato prishen. Kjo është një situatë e paimagjinueshme, nuk ekziston më një shtet i së drejtës që të të mbrojë, gjykatat nuk shprehen siç kemi parë në raste të tillë, shprehen pasi është prishur shtëpia dhe numri i çështjeve në gjykata është 136 mijë,  që do të thotë se qytetari e ka të vështirë të marrë drejtësi dhe braktisja masive është fenomen i viteve kur  na po na qeveris Edi Rama.

Nuk jam dakord që kjo është një situatë e 30 viteve të fundit, sepse i bie që para 30 viteve të kemi pasur një situatë më të mirë, që nuk është e vërtetë dhe unë do të ndalem në disa fakte.

Shqipëria deri në vitin 2014, pra duke përshirë 2014-ën, pati rritje të popullsisë; në vitin 2008, ndaloi rënia e popullsisë dhe filloi rritja e saj. Këto janë statistika të INSTAT, institut shtetëror dhe deri në 2014-ën, popullsia u rrit duke marrë të gjithë faktorët.

Në 2015-ën filloi rënia e madhe e popullsisë së vendit që ka vijuar deri më sot. Pse deri në 2014-ën? Sepse ata panë se si do të qeveriste z. Rama, nuk u larguan menjëherë. Pra, pas një viti e gjysmë që ai mori qeverinë, e panë sesi filloi të qeveriste dhe filloi braktisja.

Pse u rrit popullsia kur ne ishim në qeveri?! Do të përmend disa fakte. Pra, nuk kanë përherë kështu, është gabim ta përgjithësojmë.

Kemi, e para, ulje të kostos së jetesës, u ulën taksat, çmimi i naftës ka qenë rreth 300 lekë më i lirë se sot, energjia elektrike kishte një fasho mbrojtëse për shtresat në nevojë dhe patëm një rritje të rrogave dhe pensioneve të përvitshme, ku më shumë se u dyfishuan rroga arsimtarësh, mjekësh, të  administratës në përgjithësi. U trefishuan pensionet në fshat, u rritën deri me 60-70 mijë lekë pensionet e tjera, pati investime të mëdha në vend, në fushën e energjisë kryesisht, hidrocentrale, TAP-i por edhe në sektorë të tjerë pa përmendur këtu fasonë dhe Call Centerë; të vetmet spitale të huaja në vend erdhën në kohën tonë dhe pati subvencionim masiv në bujqësi.

Nëse e mbani mend, ministrja e Bujqësisë u ankua se kishte mbiprodhim ulliri!!! Janë mbjellë mbi 7 milionë rrënjë ulliri kur ishim ne në qeveri. U dhanë fonde për arrorë, vreshta e kështu me radhë. Po të krahasojmë, numri i lopëve të racës ka rënë me 50%, numri i i të imtave ka rënë mbi 130 mijë, të dhëna statistikore të qeverisë.

Çfarë tregon kjo?! Që është e mundur të ndërtohet një realitet tjetër dhe ky realitet ka ekzistuar dhe përgjithësimi nuk ndihmon dhe nuk është as i vërtetë. Është e mundur një qeverisje tjetër dhe qytetarët kanë përgjegjësi! Nuk është   përgjegjësi vetëm e politikanëve. Me demokraci ne fitojmë të drejtën, bashkë me të drejtën vjen përgjegjësia dhe kemi të paktën dy përgjegjësi që i kemi themelore, fjala (fjala është pushtet; edhe në kafe, se s’dalim dot të gjithë në televizor, por njerëzit kanë pushtet kur flasin me njeri tjetrin në e përdorin mirë apo ke) dhe vota”.

(Kosova Sot Online)