Marrëveshja në Bruksel, Rama: Uroj që askush mos e akuzojë Kurtin për tradhti apo harresë, bëri gjënë e duhur

  • E.K /
  • 28 February 2023 - 10:36
Marrëveshja në Bruksel, Rama: Uroj që askush mos e akuzojë Kurtin për tradhti apo harresë, bëri gjënë e duhur

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas marrëveshjes mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Alekasandër Vuçiq, përcjell “Kosova Sot Online”.

Rama ka uruar që asnjë njeri të mos e akuzojë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin për tradhëti, pasi sipas tij Kurti ka bërë gjënë e duhur.

“Uroj që askush të mos e akuzojë Albin Kurtin për tradhëti apo harresë, por gjithkush të kuptojë se kryeministri i sotëm i Kosovës ka bërë gjënë e duhur, duke hedhur një hap të parë me shumë rëndësi drejt daljes nga kurthi i të djeshmes. Hapa të tjerë pasofshin pa humbur kohë!” shkruan Rama.

“Ky është një moment historik i rëndësishëm për paqen rajonale dhe unë inkurajoj fuqimisht të gjitha palët e përfshira që të vazhdojnë të punojnë për një zbatim të shpejtë. Për paqen dhe bashkëpunimin, Shqipëria është dhe do të mbetet një besimtar i patundur dhe një model. Ne mbështesim plotësisht çdo përpjekje për të kapërcyer të kaluarën.Paqja dhe bashkëpunimi janë çelësi për të ardhmen që u detyrohemi fëmijëve tanë në këtë rajon të shkatërruar prej shekujsh nga mungesa e paqes dhe bashkëpunimit. E mirëpres pëlqimin e dy palëve për Marrëveshjen për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” shkruan nder te tjera Rama.

(Kosova Sot Online)