Berisha: Rama dhe Yuri Kim do të dështojnë njësoj siç dështoi McGonigal

  • E.K /
  • 13 March 2023 - 12:49
Berisha: Rama dhe Yuri Kim do të dështojnë njësoj siç dështoi McGonigal

Kryetari demokrat, Sali Berisha, tha sot se kryeministri Edi Rama dhe ambasadorja Yuri Kim do të dështojnë në përpjekjet e tyre për të shkatërruar Partinë Demokratike. Berisha tha se ata do dështojnë njësoj si Charles McGonigal, agjenti i lartë i FBI.

“Pikërisht për të lënë PD-në jashtë zgjedhjeve, Rama bllokoi procesin zgjedhor deri 3 ditë para afatit të regjistrimit.

Pikërisht për një gjë të tillë, dorëzoi me Elira Kokonën, shkresën që lexuan gjykatësit.

Pikërisht sepse ka lepurin në bark, kombinoi me McGonigalin me fustan, e cila në shkelje të të gjitha parimeve të vendit të saj dhe këtij vendi, u angazhuan në mënyrën më korruptive kundër Partisë Demokratike.

Rama dhe Kim, të dy me mekanizmin McGonigal, do të dështojnë siç dështoi ai.

I bëj thirrje edhe njëherë, inspektorit të përgjithshëm të DASH, i bëj thirrje FBI-së, i bëj thirrje Kongresit të SHBA, për një hetim të plotë për të gjitha këto veprime antiligjore, antikushtetuese, që shkelmojnë konventat ndërkombëtare të ambasadores Kim.

Sikundër e garantoj Edi Ramën se asgjë nuk mund ta shpëtojë atë pa pasur fatin e McGonigal, jo në Amerikë, por në Shqipëri,” tha Berisha.

(Kosova Sot Online)