Berisha: Mos qëndroni në anën e Edi Ramës, e qartë se Brava e Alibasha janë shërbëtorë të tij!

  • E.K /
  • 17 March 2023 - 10:16
Berisha: Mos qëndroni në anën e Edi Ramës, e qartë se Brava e Alibasha janë shërbëtorë të tij!

Fjala e Kryetarit të PD, Sali Berisha, gjatë prezantimit në Lushnjë, të kandidatit të opozitës për kryetar bashkie, Eduart Sharka.

Të dashur demokrate e demokratë, qytetare e qytetarë, banorë të Lushnjes. Përshëndetjet më të përzemërta, nderimin më të thellë, respektin më të madh, për ju, për lushnjaret dhe lushnjarët kudo që janë sonte, në këtë rreth të bekuar, në Shqipëri, emigracion e kudo që ndodhen.

I nderuar z. Baçi, deputet dhe kryetar i grupit drejtues të PD-së, për qarkun, të nderuar ish-deputetë, z. Murrizi. Të nderuar kandidatë të bashkive të qarkut, vëllezër e motra, zonja e zotërinj.

Është nderi veçantë të flas sot para jush, të diskutoj me ju në këtë moment kritik, në këtë moment kur në thellësitë e kësaj toke, të shpirtit të çdo shqiptari buron një kushtrim, buron një thirrje; të bëjmë gjithçka për të ndaluar këtë rrokullisje të madhe të Lushnjes dhe Shqipërisë, këtë shkretim të madh të kombit shqiptar.

Në këtë kontekst, 14 maji është një datë që ndan historinë, sepse ju me 14 maj pas 32 vitesh jeni të ftuar të votoni kandidatin që ju keni zgjedhur me votën e lirë, që nuk ua ka emëruar as kryetari as kryesia e Partisë. Erdha këtu 1 vit e gjysmë më parë në këtë sallë dhe në çdo sallë ku shkova, demokratët me të drejtë kërkuan; ti emërojmë ne me votën përfaqësuesit tanë dhe kjo sot është një realitet. 

Me votën tuaj ju përzgjodhët për qytetar të parë Eduart Sharkën, njërin nga qytetarët shembullorë, një nga njerëzit më punëtorë, më të aftë, i cili e do me shpirt Lushnjes dhe e njeh në të gjithë problematikën e saj, një njeri i cili, një specialist, ekspert, demokrat i gatshëm për të vendosur të gjithë energjitë e tij, dijen, ndershmërinë përkushtimin në shërbimin tuaj. I gatshëm të shndërrojë bashkinë e Lushnjes në shtëpinë e parë të qytetarëve të Lushnjes.

I gatshëm të bëjë gjithçka që çdo qindarkë e taksave tuaja të shndërrohet në mirësi, përmirësim të infrastrukturës, jetës së banorëve të këtij qyteti.

Zgjedhjet e 14 majit janë zgjedhjet që ndajnë historinë sepse ne duhet të ngrihemi me të gjithë forcën tonë dhe të ndalojmë këtë katastrofë, shkretim të kombit dhe vendit tonë. Në harkun kohor prej 8 vitesh nga Shqipëria kanë emigruar në BE, 937 mijë shqiptarë, po të përfshihen edhe vendet jo Shengen, kjo arrin mbi 1 mln.

Po të ecnim me këto ritme në 16 vite nuk dihet se kush do të jetë më në Lushnje dhe Shqipëri. Por të ndalemi pak.

Marrim vetëm Lushnjen, me fushat e saj, kodrat e kodrinat e saj valëzuese, brigjet, rërën, lagunat mrekulli natyrore, me njerëzit e saj punëtorë të ndershëm, atdhetarë me traditën e saj të themelimit të pluralizmit, vendosjes së pavarësisë  së vendit, kjo Lushnje në të vërtetë është një parajsë tokësore dhe nuk mund të përfytyrojë njeriu një parajsë tjetër më të bukur se Lushnja me gjithçka ka nga natyra dhe njerëzit e saj. 

Por kjo nuk është vetëm Lushnja, kjo kudo është Shqipëria dhe megjithatë Lushnja, Shqipëria braktiset sikur të ishte jo tokë e bekuar, por tokë e mallkuar. Megjithatë lushnjarët punëtorë, atdhedashës, shqiptarët ardhedashës, largohen, braktisin me qindra në ditë, me mijëra në javë vendin e tyre, më shumë se sirianët që janë në luftë civile dhe të tjerët që janë konflikte. 

Çfarë po ndodh me ne? Është koha që të shtrojmë këtë pyetje, çfarë do që jemi, demokratë, socialistë pa parti. Duhet të ndalemi çfarë po ndodh me ne. Një regjim ka vendosur monizmin, monizmat janë dramat më të mëdha të popujve në histori. Por nuk ka popull në botë ta dijë më mirë se ne shqiptarët se çfarë do të thotë monizëm, ne e kaluam atë për gjysëm shekulli.

Sot ne kemi një pushtet, kemi një njeri i cili ka në duart e veta çdo pushtet, ka pushtet më shumë se Ramiz Aliaj në vitin 1991. Sot kemi në pushtet një njeri i cili prodhon nga mëngjesi në darkë vetëm keqësi dhe negativitet për shqiptarët. Sot kemi një qeveri në të cilën të drejtat e qytetarëve shkelmohen me këmbë. Sot ne kemi një qeveri e cila varfëron dhe mjeron qytetarët e saj me vjedhjet që bën, çdo orë, çdo ditë, çdo stinë, çdo muaj, dhe çdo vit. 

Atëherë a duhet të vazhdojmë ne të ecim të përgjumur, a duhet të vazhdojmë ne të qëndrojmë indiferent. Çdo socialist i ndershëm duhet të bashkohet me ne, çdo qytetar i pa parti duhet të bashkohet me ne.

Do të ju jap një shembull, nuk e kam takuar kurrë; Ardian Koçin, drejtorin e Karavastasë, socialist i thekur më kanë thënë, ska rëndësi, por punëtor i thekur më kanë thënë. E morën e pushuan se i dha intervistë Zërit të Amerikës, nuk ishte halli i intervistës jo, por ishte halli se nuk firmoste ndërtimet e oligarkëve në Karavasta, mbronte Karavastanë. 

Shtrojeni ju pyetjen. Por çdo socialist i ndershëm duhet të bashkohet me ne, ta ndalim këtë të keqe të madhe, ti tregojmë vendin këtij regjimi, të dalim nga monizmi. 

Liria është oksigjeni i jetës njerëzore, monizmi ndrydh lirinë, zhduk lirinë, shkelmon lirinë, ndaj dhe ne në 14  maj nuk votojmë vetëm për Eduart Sharkën, nuk votojmë vetëm për kandidatët e tjerë, por votojmë për ti dhënë një përgjigje me votën tonë, monizmit, për të rivendosur pluralizmin. 

PD-ja është parti që solli pluralizmin, por pati dramën e saj të kontribuojë në vendosjen e këtij monizmi, sepse braktisi zgjedhjet lokale të 2019, në një akt absolutisht antidemokratik, akt antikushtetues. Çfarë do të thotë kjo. Ne nxjerrim mësime nga gabimet. Në statutin që miratuam në 11 dhjetor të 2021 vendosëm një nen; nuk ka bojkot zgjedhjes kurrë, nuk bojkotojmë zgjedhje ne sa të qëndrojmë në skenën politike. 

Ne tani duhet ta bëjmë natën ditë, për t'i rikthyer Shqipërisë pluralizmin me 14 maj. Edhe si akt, të përgjegjësisë tonë. 

Ju keni konstatuar se çfarë qëndrimesh antikushtetuese, antidemokratike mban Edi Rama, për përpjekjet e tij të turpshme dhe kriminale për të mos lejuar PD-në të marrë pjesë në zgjedhje; jo, përpjekja e tij tregon frikën, tmerrin që ka nga vota juaj dhe ju më 14 maj, me të gjithë shqiptarët do ti jepni ndëshkimin që meriton. 

Miqtë e mi!

Lushnja pra dhe Shqipëria është një parajsë tokësore, por aktualisht janë një mallkim për shqiptarët. Po pse janë mallkim? Sepse kjo qeveri vjedh pasuritë tuaja, vjedh taksat tuaja, vjedh djersën tuaj dhe u përçmon ju, u mashtron ju. 

Nuk është retorikë, nuk janë akuza boshe, jo, jo. Unë ju them ju, është Kontrolli i Lartë i Shtetit i cili deklaroi se vetëm në vitin 2022 në 9 muaj e parë të vitit, u vodhën dhe u shpërdoruan nga qeveria 122 miliardë lekë. E dini se çfarë do të thotë 122 miliardë lekë? Do të thotë të dyfishosh rrogat në të gjithë Shqipërinë dhe të teprojnë 10 herë më shumë seç jepet sot për bujqësinë, të jepet për subvencion fermerëve shqiptarë 10 herë më shumë se 30 milionë që jepen sot.

Kjo është e vërteta. Unë dhashë vetëm një shembull. Por në 8 vite ajo arritje që përbënte një farë mënyre arritjen e jetës tonë, kur ne kaluam të parët në Ballkan me rritjen e rrogave dhe pensioneve, sado që ishin të ulëta pa asnjë diskutim, por merrnim në muaj më shumë se maqedonasit, malazezët, serbët, rumunët dhe bullgarët dhe këto janë shifra. 

Ç’na ndodhi këto 8 vite? Këto 8 vite jemi të fundit, jemi 40 % nën Kosovën. A kishte mundësi? Ua them me sinqeritet nëse kryeministri shqiptar si çdo kryeministër tjetër, do të kishte dëshirë të ju shifte ju më mirë, më të mëkëmbur, do të kishte dëshirë të shifte qytetarët shqiptarë, nuk po them të pasur, se i pasur do kohë, por të mëkëmbur, kishte mundësi të rriste gjatë këtyre 8 viteve, të paktën 2-3 herë rrogat dhe pensionet e shqiptarëve.

Në 2005-2013 në dyfishuan rrogat dhe pensionet. Por ju jeni dëshmitarë se me ato para dhe ato që merrnim borxh sigurisht, me ato para ne arritëm të ndërtojmë 11 mijë km rrugë, arritëm të ndërtojmë, rindërtojmë 1300 shkolla, 700 kanalizime dhe ujësjellësa, qindra qendra shëndetësore, sollëm Shqipërinë në moshën digjitale, dhe dyfishuam rroga e pensione. 

Borxhi u rrit nga 58.2 në 62.6%, u rrit pra 4.4 % të PBB. Edi Rama vetëm me borxhin që ka marrë në shtatorin e vitit 2021 që ja votoi edhe Lulzim Brava, vetëm me atë borxh 720 mln euro, mund të rriste rrogat e shqiptarëve 70%.  Ku janë? Pra, pse kjo, sepse vjedhin, vjedhin aq shumë sa e keni shumë të vështirë ta imagjinoni dhe mendoni.

Specialistë të ekonomisë të pavarur, kanë gjetur se këta në punët publike vjedh deri në 90% të investimit. Absolutisht bajpasi i Fierit, i standardeve më të gjera, me 2.8 mln euro, sepse e kanë ndërtuar bankat evropiane, ishin kredi të marra nga ne, dhe bankat të venë lupën nuk të lënë shpërdorimin. Ndërton të njëjtën rrugë në fushë në Tiranë me 24 mln euro kilometrin, ndërton të njëjtën rrugë. Greqia po ndërton autostradën Janinë-Kakavijë në terren gjysëm shkëmborë, zallor, me 4 mln euro kilometrin. Edi Rama po ndërton rrugët anësore nga Lekaj në Fier me 7.1 mln euro km. Çfarë bëhet kështu ndaj nesh. 

Erion Veliaj ndërton shkolla në Tiranë, pasi u merr qytetarëve të Tiranës 42 mln euro taksë arsimi, në kundërshtim me Kushtetutën. Kushtetuta garanton arsimin falas, kurse ai nuk pyet për kushtetutën, u vë taksë familjeve dhe ndërton shkollën 6 mln euro, shkollën tjetër 4 mln euro, ndërkohë në të gjitha manualet e ndërtimit të BE-së dhe SHBA, ajo shkollë nuk kushton asnjë qindarkë më shumë se 700 mijë euro maksimumi. 

Këta janë lëshuar si një lukuni e pa përmbajtur.

Arrestuan mbrëmë për një tender 2 mln euro, narkomanin e Bulqizës? A e dini ju pse e arrestuan? E arrestuan se nuk pranoi të largohej, donte të kandidonte patjetër dhe ia mbanin dosjen. Por ja ku e keni kryebashkiakun e Fierit, i cili tokën bujqësore e shpall tokë truall për të vjedhur, për të ndarë para. Burgosen vartësit, nuk burgoset ai që është kryesori. 

Këta vjedhin, vjedhin të gjithë. 

Tendera sekrete, tendera sekrete miqtë e mi bëhen vetëm për ndonjë problem të shërbimit të fshehtë, ndonjë problem të Prokurorisë së Përgjithshme. 260 tendera sekrete ka bërë ajo që rri në krah të Edi Ramës, 260 vjedhje. Dhjetëra e dhjetëra prej tyre i fiton baxhanaku i Edi Ramës,  i cili me ligj nuk duhet të marrë pjesë në tendera, se ka një ligj që e ndalon. Pra, a do vazhdojë ne në këtë mënyrë. Prandaj dhe Lushnja, Shqipëria bëhet jo tokë e bekuar, por tokë e mallkuar. Por duhet t’i dalim zot, duhet ti japim votën ndryshimit, duhet të bashkohemi. 

Nuk ka vend si Shqipëria të pasur. Shqipëria është një Norvegji me ujëra. Me strategjinë e ndërtimit të HEC-eve u arrit që sot HEC-et private të prodhojnë 58% të prodhimit të përgjithshëm të energjisë në Shqipëri.

Shqipëria duhet të jetë vend eksportues dhe qytetarët shqiptarë nuk duhet ta marrin me çmimet më të larta, por të ulet çmimi. Bizneset në Shqipëri ta marrin me çmime më të ulëta, sepse prodhohen 2 miliardë kilovat orë më shumë se nevoja. 

Por çfarë ndodh? Nga qershori deri në shtator, sepse atëherë është kulmi i çmimeve, hapin digat dhe ua shesin sekserëve të tyre, me radhë, me çmim 20-30 euro, ndërkohë që në bursë shitet 150-180-200 euro. Sekserët, energjinë e shesin në bursë dhe paratë i ndajnë me qeveritarët. Kurse biznesit i rritin energjinë nga 120 në 220 lekë, qytetarët i kërcënojnë me 800 kilovat. Pra a nuk është ky një rast tipik se si një pasuri e juaja, pasuri publike shndërrohet në një mallkim, nuk përfiton kush prej saj përveç qeveritarëve. 

A do vazhdojmë ne kështu, por nuk mund të vazhdojmë ne kështu, ne duhet ti dalim zot Shqipërisë. 

Merrni ju qëndrimin ndaj fermerëve. E kam thënë dhe e them, taksa, TVSH e përdorur nga kjo qeveri është krim i shëmtuar, armiqësi e hapur ndaj prodhuesit shqiptar. Zero TVSH në blerje, 20 % në shitje. Të gjithë operatorët nuk kanë leverdi të të blejnë prodhimin zotëri, kanë leverdi të marrin prodhimin që vjen nga Serbia. Ndaj të mbeten prodhimet në fushë. 

Por shtet në botë që e bën këtë nuk ka, nuk kam dëgjuar kurrë, përveç këtyre që e bëjnë për të falimentuar fermerët tanë. 

Asnjë kontroll, sjellin imputetet dhe i shesin si të duan me çmime dhe me to bëjnë që dengu i barit të mos ja vlerë për të marrë qumështin e lopës më, dhe theren lopët masivisht. Duhet të bashkohemi se nuk do të na falet kjo përgjumje, ky qëndrim. 

Duhet ta shpëtojmë vendin tonë. Por nuk mund të prodhojë kurrë askush më shumë se Myzeqeja, nuk ka më punëtorë se ju. Po pse qenka fshatari serb më punëtor se sa ju. Absolutisht jo. Por merr subvencion 10 herë më shumë se ju, ndaj dhe zotëria hoqi taksën për qumështin pluhur që të falimentojnë fermat e qumështit në Myzeqe. Por jo vetëm në Myzeqe, kudo. Prishën prodhimet. 

Ne tani ua them ju, ua them haptas, ne duhet të marrim shembull Kosovën. Në Kosovë, po u prish prodhimi, qeveria të paguan me çmimin bazë. Në Kosovë u kërkojnë fermerëve të mbjellin grurë, 400 euro për hektarë, sigurisht po të kërkova do të përgjigjem. Në Kosovë 6 herë më i madh subvencioni se këtu. Kurse bujqësia këtu në rënie të lirë.

U ndërtua Banja, a e dini ju pse u ndërtua? U ndërtua për veprën ujitëse që merret prej saj. Nuk kanë investuar një qindarkë, por nga Banja vaditet pa asnjë lloj problemi, Myzeqeja, Berati dhe gjithë kjo zonë. Asnjë lëvizje, vetëm 3D, mashtrime me 3D. 

A duhet të vazhdojmë ne kështu më tutje, nuk duhet të vazhdojmë. Por kjo kërkon që ne të bisedojmë, të bisedojmë me çdo fermer, ta ndryshojmë këtë situatë. Do u thonë se këto janë zgjedhje lokale, jo këto janë zgjedhje politike të një rëndësie të jashtëzakonshme, për të rivendosur pluralizmin. Por nuk rivendosëm pluralizmin, çatia e këtij vendi do të na zejë të gjithëve, çatia e kësaj shtëpie do të na zejë të gjithëvë. 

Prandaj ne të bashkuar duhet të bëjmë gjithçka ta shndërrojmë 14 majin në ditën e kthesës së historisë. 

A mbahet kryeministër një njeri i cili jo vetëm blen në të 4 anët cilin mundet në Shqipëri, por blen kryezbuluesin e SHBA, si vrasës me pagesë kundër opozitës shqiptare. Unë i them këtij faqeziu se historia kurrë nuk do të të falë ty këtë akt. 

U bë famëzi në Europë dhe botë me aktin e tij. Dhe dje i thoshte gazetës më të madhe në Europë se po më bëjnë kokë turku. Nuk po të bën njeri kokë turku, ke bërë veten kokë turku, dhe ti nuk po shkon kokë turku, por po shkon si një tradhtar, si një njeri pa besë, si një njeri i korruptuar, si një njeri që korrupton. Sepse ai që jep para për korrupsion, është përgjegjës njëlloj si ai i që i merr ato. 

Pra nuk je kokë turku, por je një kriminel, ke shkelur çdo kod dhe to të përfundosh njëlloj si McGonigali. 

Zonja e zotërinj! 

Kjo fushatë ka një specifikë, ne hymë në këtë fushatë totalisht duke na pasur konfiskuar ata që meritojmë, ato që na njeh ligji dhe kushtetuta. Edi Rama konfiskoi logon e partisë, duke përdorur dy pengje, por unë u them këtu; lidhjet e tyre janë lidhje krimi dhe do të ju them një gjë nga eksperienca ime: lidhjet e krimit janë lidhjet më të tmerrshme të njeriut dhe të tilla janë lidhjet e Edi Ramës me Lul Bravën dhe Alibashën. 

Dhe këtu do të vijë prap dhe të ua them se cila janë, këtu do të vij prap se atë e ka kapur me dosjen e larjes së parave dhe i tha se je 6 vite në burg, sepse janë 700 mijë euro. Auditëtkontrolluan, nesër bëjmë publikë raportin. Përveç se 25 mijë euro që janë marrë nga kontoja e PD-së, 700 mijë euro nuk kanë asnjë lidhje me Partinë Demokratike. Janë që të gjitha përgjegjësi e Lulzim Bravës, për të cilën ai në çdo ligj shkonte disa vite në burg dhe Edi Rama e ka futur në xhep. 

Kurse ai tjetri që noton mes dy Taulantëve edhe ai ka problemet e veta, por këtu do të vijmë, nuk është koha, të merremi me zgjedhjet. 

U bëj thirrje demokratëve të Lushnjes, mos qëndroni në anën e Edi Ramës se tani për çdo qytetar të këtij vendi është e qartë se Brava dhe Alibasha, janë pengje, janë paterica janë shërbëtorë të atij njeriu që po i sjell këtij vendi të këqijat më të mëdha që ka përjetuar ndonjëherë.

U bëjë thirrje lushnjareve dhe lushnjarëve, të bashkohemi në këtë betejë, të bashkohemi për rivendosjen e pluralizmit, të bashkohemi për një kthesë të madhe, të bashkohemi për të kthyer Lushnjen dhe Shqipërinë në parajsën e fëmijëve tanë, në të ardhmen më të bukur të fëmijëve tanë.

Rroftë Lushnja, rroftë Shqipëria!

(Kosova Sot Online)