Dyshohet se njerëz të lidhur me ministrin e Qeverisë së Kosovës përfituan mbi 300 mijë euro

  • A.P /
  • 28 March 2023 - 17:37
Dyshohet se njerëz të lidhur me ministrin e Qeverisë së Kosovës përfituan mbi 300 mijë euro

Nga një fondacion i Qeverisë së Kosovës për kuzhinat popullore, lidhjet e forta me pushtetin bënë që dy shoqata humanitare nga Peja e Klina të përfitojnë mbi 335 mijë euro.

Bëhet fjalë për “Shoqatën Humanitare Pejane” dhe “Vëllezërit e Diasporës të Fadil Dukagjinit”, të drejtuara nga dy njerëz të afërt me ministrin e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe partinë e tij.

Mbi 300 mijë euro të Qeverisë së Kosovës të dedikuara për financimin e kuzhinave popullore dyshohet kanë përfunduar në menaxhimin e njerëzve të afërt me një ministër të Qeverisë së Kosovës.

Dy njerëz të lidhur me ministrin e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe me partinë e tij, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK), kanë përfituar nga fondet e qeverisë për financimin e kuzhinave popullore.

“Shoqata Humanitare Pejane”, e drejtuar nga Gazmen Polaca, një njeri i afërt me ministrin Krasniqi dhe funksionarë të tjerë të IRDK-së, ka përfituar 158 mijë euro nga thirrja publike e Ministrisë së Financave për financimin e kuzhinave popullore.

Rreth 177 mijë euro nga fondi i qeverisë për financimin e kuzhinave popullore, i ka përfituar edhe shoqata “Vëllezërit e Diasporës”, e cila udhëhiqet nga Fadil Ajrizaj, një person i afërt me ministrin Krasniqi dhe rrethin e tij politik.

Shoqata Humanitare Pejane”, e cila ndodhet në Pejë, ka hapur kuzhinën popullore humanitare më 2021, në vitin kur ka përfituar ndihmën e parë financiare nga qeveria. Zyrat e selisë së shoqatës janë të mbuluara me logo të IRDK-së, partisë së ministrit Elbert Krasniqi, bazuar në disa dëshmi të cilat i ka siguruar media online.

Lidhjen e Gazmend Polacës, shefit të “Shoqatës Humanitare Pejane” me ministrin Krasniqi dhe këshilltarët e tij politikë, e dëshmojnë edhe disa fotografi mes tyre të shoqëruar me njëri-tjetrin.

Pas nënshkrimit të kontratave ndërmjet ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe shoqatave, në të njëjtën ditë përfaqësuesit e të dy shoqatave janë pritur në takim nga ministri Krasniqi.

I kontaktuar nga të martën, Gazmend Polaca, nuk e ka mohuar afërsinë e tij shoqërore me ministrin, por ka mohuar ndikimin e Krasniqit në procedurat e përfitimit të fondeve nga qeveria.

Polaca i ka thënë se gjatë këtij viti kanë përfituar 71 mijë euro nga thirrja e qeverisë për financimin e kuzhinave popullore, ndërsa vitin e kaluar 87 mijë euro. Në total, kjo shoqatë ka përfituar rreth 158 mijë euro nga fondet e qeverisë.

“Po gjatë këtij viti kemi përfituar 71 mijë euro, ndërsa vitin e kaluar kemi përfituar 87 mijë. Elbertin e kom pas shok, dhe vazhdoj me pas shok, por nuk ka qenë kjo arsyeja e përfitimit të kësaj mase”, ka thënë Polaca.

(Kosova Sot Online)