Weber: E qartë që Vuçiq s’do të lejonte Listën Serbe të merrte pjesë në zgjedhje

  • A.P /
  • 28 March 2023 - 17:40
Weber: E qartë që Vuçiq s’do të lejonte Listën Serbe të merrte pjesë në zgjedhje

Analisti gjerman, Bodo Weber, ka deklaruar se komunikata e ambasadorëve të QUINT-it e thotë qartë që zgjedhjet do të mbahen pa pjesëmarrjen e Listës Srpska me shpresën që s’do të ketë probleme të mëdha kur të organizohen zgjedhjet.

Sipas ekspertit gjerman të DPC, gjithë kjo që po ndodhë është konfirmim i dobësisë së negociatave të Ohrit. Weber thotë se ka qenë e qartë që pa vendosur afate për themelimin e Asociacionit, ishte e qartë që Vuçiq s’do të lejonte Listën Serbe të merrte pjesë në zgjedhje.


 “Ky është vetëm një konfirmim i dobësisë së të gjithë negociatave të dialogut politik dhe të marrëveshjes së Ohrit, ku çështja e kthimit të serbëve në veri në institucionet e Kosovës, që më parë pritej të përbënte një pjesë të rëndësishme të marrëveshjes, as që është prekur. Pa afate në aneksin e zbatimit, duke përfshirë themelimin e Asociacionit, ishte e qartë se Vuçiq nuk do të lejonte  Listën Serbe të merrte pjesë në zgjedhje”, ka thënë Bodo Weber.

Por, a nënkupton ky qëndrim i QUINT-it një “vdekje politike” për Listën Srpska dhe a është ky qëndrim ndaj tyre një zgjidhje?

Weber shprehet se nuk e sheh këtë si rezultat të ndonjë strategjie të Perëndimit, por vetëm të dobësisë dhe dështimit politik.

“Ajo tregon se vazhdimi i largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës, mbetet e pazgjidhur, duke i kthyer zgjedhjet e prillit pak a shumë të parëndësishme, pa ndikim serioz në rolin dominues të Listës Srpska në veri”, ka potencuar Weber.

I pyetur nëse  ka kapacitete politike në veri për të zëvendësuar partinë e Goran Rakiqit, Weber shton se s’është në pyetje kapaciteti, por fuqia dhe kontrolli. Ai thotë se në komunat me shumicë serbe ka një sistem de-facto një partiak që bashkërendon me nëntokën e krimit dhe që është nën kontrollin e Vuçiqit.

Sipas tij, zgjedhjet në katër komunat veriore s’e ndryshojnë këtë gjendje dhe thotë se kushdo që i fiton zgjedhjet s’do të lejohet që të drejtojë institucionet komunale që funksionojnë sipas ligjit të Kosovës.

“Ne de-facto kemi sistemin një-partiak, jo vetëm në veri, por në dhjetë komunat me shumicë serbe, të bashkuara me nëntokën kriminale, nën kontrollin e Vuçiqit. Zgjedhjet në katër komunat veriore nuk do ta ndryshojnë këtë, sepse atje ka ende struktura paralele në institucionet komunale, plus kushdo që fiton nuk do të lejohet të drejtojë në mënyrë thelbësore institucionet komunale që funksionojnë sipas ligjit të Kosovës”, ka thënë Bodo Weber.


(Kosova Sot Online)