Detaje: Ja si ndodhi vrasja e shqiptares nga burri

  • A.P /
  • 31 March 2023 - 18:10
Detaje: Ja si ndodhi vrasja e shqiptares nga burri

Zenepe Uruçi, shqiptarja e cila u vra një ditë më parë nga bashkëshorti i saj në Itali, ka jetuar me frikë ditët e fundit. Një mike e shqiptares, ka treguar për mediat italiane se viktima i ka treguar se burri është xheloz, e se në shtëpi kanë pasur herë pas here zënka, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Kohët e fundit ajo ka jetuar në frikë dhe kjo duket. Kur folëm për situatën e saj, ajo shpërtheu në lot nja dy herë. Ajo më tha 'sa më pak të jem në shtëpi aq më mirë është se atje ka një grindje të vazhdueshme'. Por burri i saj ishte xheloz dhe nuk donte që ajo të shkonte në punë, edhe nëse për të ishte një hapësirë qetësie që e ndihmonte të shkëputej.

Rreth një vit më parë ka qenë një periudhë që e kemi parë me sy të nxirë për disa ditë. Asnjëherë nuk më ka pranuar e as nuk ka rrëfyer asgjë, por edhe atëherë dyshimi se ato shenja nuk kanë qenë të rastësishme ka qenë i fortë. Situata ishte përkeqësuar tash e një vit. Tensioni ishte aty dhe Zenepe ishte shpesh nervoze. Vetëm me punë, fëmijë dhe sidomos nipër e mbesa mundi të gjente pak qetësi. Burri ka probleme nga më të ndryshmet. Një situatë shumë e trishtë dhe fatkeqësisht epilogu ishte më i keqi i mundshëm. Ajo ishte e mirë, e ëmbël, e përzemërt. E gatshme për të ndihmuar të gjithë, por ndoshta ishte ajo që kishte më shumë nevojë se kushdo tjetër”.

Shqiptarja mori plagë të shumta me thikë, në pjesën e sipërme të trupit, në qafë, gjoks dhe shpinë.

Bashkëshorti i saj, Xhafer Uruci, u arrestua mbrëmjen e djeshme nga policia për vrasje dhe u dërgua në burg me akuzën e vrasjes së rëndë me dashje.

Të dy ishin martuar kur ishin të vegjël në Shqipëri, por jetonin prej vitesh në Terni. Viktima, punonte në një treg peshku në zonë.

(Kosova Sot Online)