Stoltenberg: Rusia s’mund ta bllokojë anëtarësimin e Ukrainës

  • A.P /
  • 06 June 2023 - 22:28
Stoltenberg: Rusia s’mund ta bllokojë anëtarësimin e Ukrainës

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se Rusia nuk mund ta ndalojë anëtarësimin eventual të Ukrainës në aleancës perëndimore të mbrojtjes ushtarake, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

“Të gjithë aleatët pajtohen se dera e NATO-s mbetet e hapur, që Ukraina do të bëhet anëtare e aleancës dhe se Rusia nuk ka të drejtë vetoje”, tha Stoltenberg më 6 qershor

Deklarata e Stoltenbergut erdhi gjatë vizitës së tij në kryeqytetin e Sllovakisë, në Bratisllavë, për bisedime me presidentët e vendeve anëtare të aleancës në kufirin e saj lindor, të ashtuquajturin grupi i Nëntë i Bukureshtit.

Nisja e pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit të kaluar e ka intensifikuar aktivitetin e NATO-s, aleancës së themeluar pothuajse 75 vjet më parë për ta kundërshtuar Bashkimin Sovjetik.

Bisedimet në Bratisllavë vijnë pak para samitit të ardhshëm të NATO-s në Vilnius, ku Stoltenberg tha se aleanca veri-atlantike do të marrë vendime “shumë të rëndësishme”.

“Ne do ta përforcojmë mbështetjen tonë për Ukrainën me një pako shumëvjeçare të ndihmave për t’u ndihmuar të kalojnë nga standardet e epokës Sovjetike në standardet e NATO-s dhe ta sjellim Ukrainën më afër NATO-s”, tha ai.

 “Ne duhet të pajtohemi për një përkushtim më të madh për t’i rritur investimet në mbrojtje”, shtoi Stoltenberg.

Ukraina ka kërkuar disa herë anëtarësimin në NATO, mirëpo Stoltenberg ka thënë më parë se anëtarësimi në mes të një lufte nuk është opsion.

Ai gjithashtu tha se po “punonte shumë për t’u siguruar që ne do ta mirëpresim Suedinë sapo të bëhet anëtare e plotë e kësaj aleance”.

Suedia dhe Finlanda kaluan nga politika e mbajtur për dekada të tëra për mosrenditje ushtarake dhe aplikuan për anëtarësim në NATO pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës. Finlanda u anëtarësua zyrtarisht në NATO muajin e kaluar, në prill.

(Kosova Sot Online)