Stoltenberg: Dhuna po e kthen prapa Kosovën, Prishtina dhe Beogradi duhet të ndërmarrin hapa konkretë

  • E.K /
  • 07 June 2023 - 14:04
Stoltenberg: Dhuna po e kthen prapa Kosovën, Prishtina dhe Beogradi duhet të ndërmarrin hapa konkretë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se dhuna po e kthen prapa Kosovën dhe gjithë rajonin, përcjell “Kosova Sot Online”.

Soltenberg tha se Prishtina dhe Beogradi duhet të ndërmarrin hapa konkretë për të de-përshkallëzuar situatën.

Soltenberg shtoi se të dyjat palët duhet të angazhohen në dialog.

“Dhuna po e kthen prapa Kosovën dhe gjithë rajonin, duke vënë në pikëpyetje aspiratat euroatlantike. Si Prishtina ashtu edhe Beogradi duhet të ndërmarrin hapa konkretë për të de-përshkallëzuar situatën, të përmbahen nga sjelljet e mëtejshme të papërgjegjshme dhe të angazhohen në dialog me mbështetjen e BE-së, e cila është e vetmja rrugë për paqe të qëndrueshme”, tha ai për gazetën malazeze “Pobjeda”.

Ai tha se NATO dënon fuqishëm sulmet e fundit të paprovokuara ndaj trupave të KFOR-it në veri të Kosovës, në të cilat u plagosën pothuajse 40 paqeruajtës.

(Kosova Sot Online)