Durmishi: Aleatët i dëgjojmë kur japin këshilla dashamirëse

  • A.P /
  • 07 June 2023 - 21:00
Durmishi: Aleatët i dëgjojmë kur japin këshilla dashamirëse

Për situatën e tensionuar në veri, që ka çuar në një përplasje të ashpër mes kryeministrit Albin Kurti dhe faktorit ndërkombëtarë,  ka folur zëvendësministri i Infrastrukturës dhe bashkëpartiaku i afërt me Kryeministrin kurti, Hysen Durmishi, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Durmishi ka thënë se Qeveria çdo këshillë dashamirëse dhe racionale nga aleatët. Ai, sikurse Kurti, ka thënë se nuk do të ketë dorëzim përballë grupeve kriminale në jug e veri.

“Natyrisht që ne e dëgjojmë çdo këshillë dashamirëse e çdo kërkesë racionale nga aleatët tanë. Për më shumë se dy vite kemi luftuar krimin e korrupcion në gjithë territorin e Kosovës e posaqërisht në komunat në veri dhe për këtë jemi vlerësuar. Natyrisht se ne nuk do të dorëzohemi përballë grupeve kriminale qofshin ato në jug apo në veri. Në veri sot veprojnë grupe kriminale të organizuara e të nxitura nga politka fashiste e Serbisë. Natyrisht që nuk dorëzohemi përballë tyre sepse është detyrë shtetërore e patriotike që t’i luftojmë këta kriminel”, ka shkruar Durmishi.

Ai ka thënë se luftimi i këtyre kriminelëve nënkupton normalizim dhe siguri edhe për banorët serb atje. Ne duhet të krijojmë ambient të sigurtë ku qytetarët jetojnë dhe veprojnë pa presione e shantazhe.

“Ne nuk dëshirojmë të qeverisim në komunat ku nuk jemi shumicë por nuk mund ta lëmë vendin pa institucione. Kur të heqen grupet kriminale largohen edhe policia sepse nuk do të ketë nevojë për një numër të madh atje. Kur të krijohet ambient për zgjedhje të lira e demokratike e pluralizëm politik atje do të mbahen zgjedhjet dhe do të qeverisë shumica. Për këtë po punojmë e angazhohemi pa u ndal që nga fillimi i qeverisjes tonë”, ka vazhduar ai.

“Ne jemi qeverisja më demokratike në rajon e autokratët janë në Serbi. Serbia është ajo që nuk realizon asnjë marrëveshje dhe është destruktive në çdo hap ndërsa kryeministri Kurti dhe qeveria e tij do të vlerësohet për konstruktivitet e kreativitet në çdo veprim. Qytetarët na kanë votuar për luftimin e krimit e korrupcionit dhe për sovranitet e integritet territorial. Me këto pika ne nuk bëjmë kompromis asnjëherë”, ka përfunduar Durmishi.

(Kosova Sot Online)