Haxhiu: Për provokime si këto të organizuara nga Serbia duhet të përgjigjet faktori ndërkombëtar

  • A.P /
  • 14 June 2023 - 17:09
Haxhiu: Për provokime si këto të organizuara nga Serbia duhet të përgjigjet faktori ndërkombëtar

Kidnapimin e tre policëve të Kosovës, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka quajtur provokim të Serbisë dhe për këtë ka thënë se edhe faktori ndërkombëtar duhet të përgjigjet, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Serbia kriminale ka rrëmbyer tre pjesëtarë të policisë së Republikës së Kosovës në Leposaviq. Për provokime si këto, të organizuara nga Serbia me qëllim të destabilizimit të situatës në veri, duhet të përgjigjet edhe faktori ndërkombëtar”, ka shkruar ajo.

Haxhiu tha se “zyrtarët policorë duhet të lirohen sa më shpejt të jetë e mundur dhe veprime të tilla agresive duhet të ndalojnë”.

Tre zyrtarë policorë sot janë kidnapuar në territorin e Kosovës nga policë të njësisë speciale të Serbisë. Për këtë ka reaguar kryeministri Kurti, i cili tha se e sheh si agresion të Serbisë në Kosovë dhe si hakmarrje për arrestimin e Milun Milenkovic, i cili u arrestua nga Policia e Kosovës për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it në protestat e fundit në veri të vendit.

(Kosova Sot Online)