Rasti i parë me virusin 'Ethet e Nilit' është konfirmuar edhe në Kosovë
Raportohet se është konfirmuar rasti i parë në Kosovë me virusin “Ethet e Nilit”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Lajmin e ka konfirmuar Drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Arben Vishaj, i cili nuk dha shume detaje për këtë rast.
“E kemi një rast ama nuk është diçka shqetësuese. Është një rast që e kemi konfirmuar me virusin VNP”, tha Vishaj.
Ndërkaq Ethet e Nilit Perëndimor është një sëmundje infektive që shkaktohet nga virusi i Nilit Perëndimor, i cili përhapet kryesisht përmes pickimeve të mushkonjave të infektuara.
Ky virus në Shqipëri është rikthyer pas 13 viteve dhe deri më tani bilanci i të vdekurve ka shkuar në tre persona.
Njihuni me simptomat:
80% e njerëzve të infektuar nuk shfaqin simptoma fare.
20% e rasteve shfaqin simptoma të lehta deri mesatare, të ngjashme me gripin, si:
Ethe
Dhimbje koke
Lodhje
Dhimbje trupi
Dhimbje të kyçeve
Vjellje
Dhimbje në sy
Rrash (skuqje e lëkurës)
Rreth 1% e rasteve zhvillojnë forma të rënda të sëmundjes, që mund të përfshijnë:
Encefalit (inflamacion i trurit)
Meningjit (inflamacion i membranave rreth trurit dhe palcës kurrizore)
Paralizë
Disa raste mund të jenë fatale, sidomos tek personat e moshuar apo ata me sistem imunitar të dobësuar.
Parandalimi i sëmundjes përfshin shmangien e pickimeve nga mushkonjat përmes përdorimit të repelentëve, mbajtjes së rrobave mbrojtëse dhe eliminimit të vendeve ku mushkonjat mund të shumohen (ujëra të ndenjur).
Ethet e Nilit Perëndimor janë të zakonshme në rajone të ndryshme të botës, përfshirë Afrikën, Evropën, Lindjen e Mesme dhe Amerikën e Veriut.
(Kosova Sot Online)