Mashtrimet më të famshme në histori

  • 12 December 2017 - 12:15
Mashtrimet më të famshme në histori

Mashtruesit janë ata njerëz që i bëjnë të tjerët që të besojnë gjëra krejtësisht të pamundshme. Për këta njerëz, çdo ditë e vitit është 1 prill.

Njeriu misterioz gjigant

Në vitin 1869, derisa disa bujq ishin duke e hapur një bunar në afërsi të Nju-Jorkut, ata gjetën mbetjet fosile të një njeriu të gjatë 3 metra, që peshonte rreth 1 400 kile. Shumë njerëz, duke përfshirë edhe disa shkencëtarë, thanë se kjo ishte kufoma e një pjesëtari të një race tanimë të zhdukur të njerëzve gjigantë. Me mijëra njerëz prisnin në radhë që ta shihnin atë kufomë. Por, e vërteta ishte më pak e mistershme: një mashtrues e kishte gdhendur një gur në formë të njeriut, e më pas i kishte paguar fshatarët që ta varrosnin atë statujë, për ta “gjetur” më pas. Në vitin 1947, ky gjigant iu shit Muzeut të fermerëve në Kuperstaun, Nju-Jork, ku mund të shihet ende, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

E pabesueshme!

Në vitin 1912, në vendin Piltdaun të Anglisë ishin gjetur disa eshtra, për të cilët shkencëtarët thanë se paraqitnin unazën kalimtare ndërmjet majmunëve dhe njerëzve. Edhe pse që në fillim kishte njerëz që dyshonin në vërtetësinë e kësaj gjetjeje, u deshën 40 vjet që të dëshmohej se ajo ishte vetëm një rrenë. Doli se kafka pjesërisht ishte e njeriut, por nofulla ishte e majmunit.

Shah-mat!

“Turku” nuk ishte kompjuter, por kjo makineri që luante shah ia doli që t’i mundte thuajse të gjithë kundërshtarët për 84 vjet, nga fundi i viteve 1700 deri në mes të viteve 1800. Kjo makineri paraqiste një figurë druri, të vendosur mbi një tavolinë, ku figura kishte duar mekanike, me të cilat luante shah. Ku qëndron sekreti? Brenda kutisë së tavolinës fshihej një ekspert i shahut, i cili ishte ai që i bënte lëvizjet e figurave. Edhe pse ekspertët në fund e zbuluan mashtrimin, kishte njerëz që ende donin të luanin shah kundër “turkut”.

Marsianët janë duke ardhur

Me rastin e festës Hallouin të vitit 1938, dëgjuesit e radios në SHBA e patën rastin t’i dëgjonin disa lajme shumë të frikshme. Në lajme thuhej se Toka ishte duke u sulmuar nga marsianët. Shumë dëgjues të frikësuar dolën në rrugë, disa prej tyre e thirrën policinë, apo edhe gazetarët. Më pas u mor vesh se ato lajme ishin pjesë e një radiodrame të bazuar në romanin fantastik-shkencor “Lufta e planetëve”. Interpretimi i aktorëve ishte shumë real, tepër bile.

Disa hollësi

Në vitin 1998, në një park të Nju-Xhërsit u ngrit një monument për nder të kësaj drame radiofonike. Ai ishte vendi ku marsianët gjoja kishin zbarkuar.

(Kosova Sot)