A e dini si janë zbuluar patinat për patinazh?

  • 26 December 2017 - 12:51
A e dini si janë zbuluar patinat për patinazh?

Tehet e mprehta për patina u shpikën nga holandezët në shekullin e 13-të ose në shekullin e 14-të. Këto patina mbaroheshin nga çeliku me tehe të mprehta në pjesën e poshtme për ta lehtësuar lëvizjen. Konstruksioni i patinave moderne ka mbetur kryesisht i ngjashëm me konstruksionin e këtyre patinave. Ndryshimi i vetëm madhor në dizajnin e patinave për akull pasoi shumë shpejt,transmeton “Kosova Sot Online”.

Përafërsisht po në atë kohë kur patinave iu shtuan tehet e mprehta, edhe një holandez, i cili punonte si shegert i një zdrukthëtari, bëri eksperiment me proporcionin e gjatësisë dhe gjerësisë së tehut të metaltë të patinave duke prodhuar kështu një dizajn i cili ka mbetur pothuajse i pandryshuar gjer në ditët e sotme. Personi i cili rrëshqet mbi akull nuk ishte më i detyruar të përdorë thupra për shtytje kurse lëvizja mbi patina fitoi tani shumë më tepër liri dhe stabilitet.

Statusi shoqëror i patinazhit në akull

Në Holandë, patinazhi në akull konsiderohej si sport i përshtatshëm për të gjitha shtresat e njerëzve. Megjithatë, në vende të tjera, pjesëmarrja në patinazh ishte e limituar vetëm për pjesëtarët e shtresave të larta. Perandori Rudolf-i II nga Perandoria e Shenjtë Romake kënaqej aq shumë duke rrëshqitur mbi akull sa që ai kishte konstruktuar një shesh të madh të patinazhit në pallatin e tij në vitin 1610 në mënyrë ta bënte këtë sport më të popullarizuar. Mbreti i Anglisë, James-i II erdhi në Holandë si mbret i dëbuar dhe u dashurua në këtë sport. Kur u kthye në Angli, ai e përhapi këtë sport të “ri” tek aristokracia angleze. Mbreti i Francës, Louis XVI e përhapi rrëshqitjen mbi akull në Paris gjersa ishte në pushtet. Madame de Pompadour, Napoleoni I, Napoleoni III si dhe Pallati i Stewart-ëve bënin pjesë në mesin e personave të cilët e adhuronin patinazhin në akull, dhe këta adhurues vinin nga shtresa e lartë dhe mbretërore e asaj kohe. Besohet që Mbretëresha Victoria u njoh më mirë me bashkëshortin e saj të ardhshëm, Princin Albert, përmes disa takimeve të cilat i realizuan duke bërë patinazh në akull së bashku.

(Kosova Sot)