Dhelpra e kuqe

  • 23 February 2018 - 09:06
Dhelpra e kuqe

Emri shkencor: Vulpes vulpes

Pesha mesatare: 3,6 deri 6,8 kg

Jetëgjatësia mesatare: 3 deri 6 vjet

A e dini?
 
Nuk janë të kuqe të gjitha llojet e dhelprës së kuqe. Disa prej tyre kanë ngjyrë kafe, të zezë, apo të argjendtë. Bile edhe dhelprat e një pjelle mund të kenë ngjyrë të ndryshme
Dhelpra e kuqe është një kafshë e vogël, e ngjashme me qenin, me turinj të mprehtë dhe me një peshë të vogël trupore, e cila i mundëson asaj që të vrapojë shpejt. Dhelpra e kuqe njihet për bishtin e saj të gjatë e të gjerë. Kjo kafshë ka turinj të errët, kurse veshët dhe putrat i ka të zeza. Ka edhe disa nuanca të bardha. Edhe pse mashkulli dhe femra e këtij lloji të dhelprave duken të njëjtë, mashkulli në anglisht quhet edhe qen, dhe zakonisht ai e ka një madhësi më të madhe sesa femra, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Shumimi

Femra mund të pjellë nga një deri në dhjetë këlyshë, gjë që zakonisht ndodhë midis muajve mars dhe maj. Të vegjlit lindin të verbër dhe nuk mund t’i hapin sytë e tyre deri të bëhen dy javësh. Një muaj pas lindjes, të vegjlit fillojnë të ushqehen me ushqim të përtypur dhe gradualisht e lënë qumështin e nënës. Pas rreth shtatë muajsh, të vegjlit e dhelprës së kuqe janë në gjendje që ta gjuajnë vetë ushqimin e tyre, prandaj i braktisin prindërit në kërkim të territorit të tyre. Është parë se disa dhelpra të kuqe janë në gjendje që të udhëtojnë deri në 250 km, në kërkim të një ambienti të përshtatshëm për jetesë.
 
Ambienti jetësor

Dhelpra e kuqe jeton afër maleve, në periferi dhe në ferma. Dhelpra e kuqe e përdor strofullin vetëm në periudhën e shumimit. Ato i bëjnë strofujt e tyre në zall, apo edhe në dhe. Zakonisht strofujt e tyre kanë më shumë se një hyrje, në mënyrë që, në rast rreziku, të mund të ikin. Kur nuk është në periudhën e shumimit, dhelpra e kuqe fle në ambient të hapur, duke u mbështjellë me bishtin e saj, në mënyrë që të mbrohet nga të ftohtit.

Veçantitë

Dhelprat e kuqe janë më aktive gjatë natës, por mund të shihen edhe ditën. E kanë një shikim të zhvilluar, sikur edhe shqisën e të dëgjuarit dhe të nuhaturit. Për dallim nga gjitarët e tjerë, dhelpra e kuqe mund të dëgjojë edhe zërat e frekuencës së ulët, gjë që i mundëson asaj t’i dëgjojë kafshët e vogla edhe derisa janë nën dhe.

Dhelpra e kuqe kryesisht ushqehet me minj, lepuj, por edhe me pula, duke u shkaktuar kështu probleme të shumta fshatarëve. Përpos mishit, dhelprat e kuqe hanë edhe bimë, pemë dhe manaferra. Edhe kur nuk ka uri, dhelpra e kuqe kërkon dhe grumbullon ushqim për më vonë.

Dhelprat e kuqe jetojnë në të gjitha rajonet e Kanadasë, duke paraqitur kështu njërin ndër gjitarët më të shumtë në numër të këtij vendi. Përpos Kanadasë, këto kafshë jetojnë edhe në SHBA, Evropë, Azi, Afrikë dhe Australi. 

(Kosova Sot)