Fillimi i të shkruarit

  • 22 February 2019 - 15:31
Fillimi i të shkruarit

Shkrimi ishte zbuluar në Mesopotami, rreth vitit 3.200 para erës së re. Qytetet ishin rritur aq shumë, saqë njerëzit më nuk mund të bënin tregti duke mbajtur çdo detaj përmendësh. Sunduesve u duhej ta dinin se kush i kishte paguar taksat, e kush jo, si dhe sa mall ishte prodhuar, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Cilat ishin format e hershme të shkrimit?

Shkrimet e para përbëheshin nga piktogramet – pikturat e vogla që përfaqësonin objektet, apo shprehnin veprime dhe ide. Këto sisteme të të shkruarit, ku bën pjesë edhe shkrimi kuneiform, ishin të komplikuara dhe ishin të paktë njerëzit që ia dilnin t’i mësonin.

Ku tjetër përdorej shkrimi me piktograme?

Forma të ndryshme të shkrimit me piktograme ishin zhvilluar në Egjipt, Kinë dhe Amerikë të Mesme. Në Luginën Indus, shkrimet bëheshim me një kombinim të pikturave me simbole – një sistem i cili edhe sot e kësaj dite nuk ka mundur të shpjegohet.

Shkrimet kuneiforme

Janë ato shkrime që kanë simbole në formë pyke, që u paraqitën në vendin e quajtur Sumer (Iraku i sotëm), rreth vitit 2.900 para erës së re. Edhe popujt e tjerë të Lindjes së Mesme huazuan këtë lloj shkrimi, para se të paraqitej alfabeti, transmeton gazeta Kosova Sot Online. 

Si shkruhej në fillim?

Piktogramet e para shkruheshin në tabela të argjilës së njomë, me anë të kërcejve të kallamit që rriteshin afër lumenjve të Mesopotamisë. Më pas këto tabela tereshin në diell, në mënyrë që të ruhej teksti i shkruar. Shkruesit shpejt filluan që t’i mprehin kallamet, në mënyrë që të shkruanin më lehtë dhe më mirë.

Alfabeti

Alfabeti i parë në botë ishte shpikur rreth vitit 1.000 para erës së re nga fenikasit, të cilët jetonin në pjesën lindore të Mesdheut. Për dallim nga piktogramet, alfabeti përdorte shkronja, të cilat simbolizonin tinguj të veçantë.

Pse alfabeti i parë ishte aq i rëndësishëm?

Fenikasit zbuluan se shkronjat mund të bashkohen në kombinime të shumta, për të shqiptuar gati të gjitha fjalët e njohura. Shkrimi me alfabet kishte nevojë për vetëm 30 shkronja, krahasuar me 600 simbole kuneiforme që përdornin shkruesit sumerë, apo rreth 5.000 simboleve që përdornin shkencëtarët kinezë. Kjo lehtësoi shumë procesin e mësimit, kështu që shkrim-leximi filloi që të përhapej me të madhe.

Guri Roseta

Në vitin 196 para erës së re, shkruesit egjiptianë kishin gdhendur të njëjtin tekst, në të njëjtin gur, me tri mënyra të ndryshme. Ky gur u gjet në Roseta, Egjipt, në vitin 1799. Ky gur ka rëndësi të madhe, meqë ofroi mundësinë e përkthimit të hieroglifëve egjiptianë. 

(Kosova Sot)