Kriza e Spanjës është mundësi për Evropën

Kriza e Spanjës është mundësi për Evropën
  • 12 October 2017 - 10:15

Shkruan: Yanis Varoufakis

KRIZA KUSHTETUESE NË NJË VEND ANËTAR TË BE-SË

Hipokrizia është gjendur në qendër të sjelljes së BE-së

Me qëllim të ringjalljes së projektit të sëmurë evropian, atëherë konflikti i shëmtuar midis qeverisë regjionale të Katalonisë dhe shtetit spanjoll mund të jetë mu ajo që ka përshkruar doktori. Një krizë kushtetuese në një vend të madh, anë- tar të BE-së, ofron një mundësi të artë për të rikonfiguruar qeverisjen demokratike të institucioneve regjionale, nacionale, dhe evropiane, gjë që do të rezultonte me një BE të qëndrueshme, që do të mund të mbrohej. nbReagimi zyrtar i BE-së ndaj dhunës politi6ke që është parë me rastin e mbajtjes së referendumit për pavarësimin e Katalonisë, është i barabartë me shkeljen e detyrës. Deklarata e presidentit të Komisionit evropian, se ky është një problem i brendshëm i Spanjës, ku BE-ja nuk ka çka të thotë, paraqet një hipokrizi të paqëndrueshme. Natyrisht, ka kohë që hipokrizia është gjendur në qendër të sjelljes së BE-së. Zyrtarët e BE-së nuk hezitojnë aspak që të përzihen në punët e brendshme të shteteve anëtare, p.sh. kërkimin e largimit të politikanëve të zgjedhur për shkak të refuzimit të implementimit të shkurtimit të pensioneve, apo shitjes së aseteve publike me çmime qesharake (gjë që e kam përjetuar personalisht). Por, kur qeveritë hungareze dhe polake në mënyrë eksplicite refuzojnë parimet fundamentale të BE-së, mospërzierja papritmas bëhet e shenjtë.

Zvogëlimi i taksave

Çështja katalonase ka rrënjë të thella historike, sikur që ka edhe nacionalizmi në përgjithësi. Por, a do të shpërthente ajo ashtu sikur që ndodhi tani, sikur Evropa të mos e kishte keq menaxhuar krizën e eurozonës që nga viti 2010, duke imponuar një ngecje thuajse permanente në Spanjë dhe në pjesën tjetër të periferisë evropiane, duke përgatitur skenën për ksenofobi dhe panik moral kur refugjatët filluan që të kalonin kufijtë e jashtëm të Evropës? Një shembull e ilustron këtë lidhje. Barcelona, kryeqyteti i Katalonisë, është një qytet i pasur, me bilanc pozitiv. Përkundër kësaj, shumë qytetarë të Barcelonës tash vonë janë ballafaquar me dëbim nga bankat spanjolle, të cilat ishin shpëtuar me taksat e tyre. Rezultat i kësaj ishte formimi i një lëvizjeje civile, e cila në qershor të vitit 2015 arriti që ta zgjidhte Ada Colaun si kryetare të qytetit të Barcelonës. Në mesin e premtimeve të Colau't ndaj popullit të Barcelonës, ishte zvogëlimi i taksave për bizneset e vogla dhe amvisëritë, asistenca ndaj të varfërve dhe ndërtimi i strehimeve për 15,000 refugjatë. E tërë kjo mund të arrihej thjesht duke zvogëluar bilancin pozitiv të komunës. Fatkeqësisht, Colau shumë shpejt kuptoi se ballafaqohej me pengesa të pakalueshme. Qeveria qendrore e Spanjës, duke u thirrur te obligimet ndaj direktivave kursyese të BE-së, ka miratuar ligje që ndalojnë çdo komunë që ta zvogëlojë bilancin e vet pozitiv. Në të njëjtën kohë, qeveria qendrore ndaloi hyrjen e 15,000 refugjatëve, për të cilët Colau kishte ndërtuar banesa të mrekullueshme. Edhe sot e kësaj dite mbizotëron buxheti pozitiv, shërbimet dhe shkurtimet e taksave lokale nuk janë realizuar dhe banesat sociale për refugjatët vazhdojnë të mbesin boshe. Rruga nga kjo gjendje e mjerë e gjërave deri te ripërtëritja e separatizmit katalonas, nuk mund të jetë më e qartë. Në çdo krizë sistematike, kombinimi i masave kursyese për shumicën, socializmit për bankierët dhe ngufatjes së demokracisë lokale, krijon një gjendje të pashpresë dhe një pakënaqësi e cila është sikur oksigjeni për nacionalistët. Katalonasit përparimtarë, jo nacionalistë, sikur Colau, kanë presion nga të dyja palët: establishmenti autoritar i shtetit dhe nga provincializmi radikal, izolacionizmi dhe nativizmi atavik. Që të dy këto fenomene reflektojnë dështimin e përmbushjes së premtimeve për një prosperitet pan evropian.
Alternativa qëndron tek evropianizimi i zgjidhjes së problemit të shkaktuar kryesisht nga kriza sistematike e Evropës

Katalonia ofron një shembull të shkëlqyeshëm shkollor të rebusit më të gjerë evropian. Zgjedhja midis një shteti autoritar spanjoll dhe një nacionalizmi "Ta bëjmë përsëri Kataloninë madhështore", është njësoj sikur të përzgjidhet midis Jeroen Dijsselbloemit, presidentit të "Eurogroup"-it të ministrave të financës së eurozonës, dhe Marine Le Penit, lideres së partisë franceze së ekstremit të djathtë, "Fronti nacional": masa kursyese apo dezintegrim. Detyrë e evropianëve progresivë është që t'i refuzojnë të dyja këto: establishmentin e thellë në nivel të BEsë dhe solidaritetin shkatërrues të konkurrimit të nacionalizmit me arsyen e shëndoshë në shtetet anëtare, sikur që është Spanja. Alternativa qëndron te evropianizimi i zgjidhjes së problemit të shkaktuar kryesisht nga kriza sistematike e Evropës. Në vend të ndalimit të qeverisjes demokratike lokale dhe regjionale, BE-ja duhet ta mbështetë atë. Marrëveshjet e BE-së do të mund të ndryshoheshin, me qëllim të përfshirjes së të drejtës së qeverive lokale dhe këshillave të qytetit, sikur ato të Katalonisë dhe Barcelonës, për autonomi fiskale, bile edhe për para të veta fiskale. Ato po ashtu mund të lejohen edhe që të implementojnë politikat e tyre rreth refugjatëve dhe imigrimit. Nëse edhe pas kësaj do të kishte kërkesa për shtetësi dhe ndarje nga shtetet e njohura ndërkombëtarisht, të cilave iu takojnë, atëherë BE-ja do të mund ta kërkonte një kod të sjelljes për secesionin. Për shembull, BE-ja do të mund të përcaktonte që të miratonte referendumet për pavarësi, nëse qeveritë regjionale që e kërkojnë një gjë të tillë, tanimë i kanë fituar zgjedhjet mbi atë platformë, me një shumicë absolute të votave. Për më tepër, referendumi do të duhej të mbahej më së herëti një vit pas zgjedhjeve, me qëllim të mundësimit të një debati të vërtetë gjakftohtës. Sa iu përket shteteve të reja, ajo do të duhej të mbante të paktën nivelin e njëjtë të transferimeve fiskale, sikur më parë. Për shembull, Venediku i pasur do të mund të ndahej nga Italia, përderisa do të vazhdonte me transferimet e tij fiskale për jugun e Italisë. Për më tepër, shtetit të ri do të duhej t'i ndalohej ngritja e kufijve të ri dhe ai do të duhej të detyrohej që qytetarëve të vet t'ua garantojë një shtetësi të trefishtë (atë evropiane, shtetësinë e shtetit të vjetër dhe atë të shtetit të ri). Kriza e Katalonisë është një shenjë e fuqishme nga historia, se Evropa duhet ta zhvillojë një formë të re të sovranitetit, i cili i forcon qytetet dhe regjionet, shkrinë veçantinë nacionale dhe mbështetë normat demokratike. Përfituesit imediatë do të ishin katalonasit, pastaj populli i Irlandës veriore dhe ndoshta skocezët. Por, përfituese afatgjatë nga ky lloj i ri i sovranitetit, do të ishte Evropa si tërësi. Parashikimi i një demokracie panevropiane, është parakusht për parashikimin enjë Evrope që ia vlen të shpëtohet. 

(Yanis Varoufakis është profesor i ekonomisë në Universitetin e Athinës) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për ' Project Syndicate', pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)