Si të mposhtet populizmi në Evropë?

Si të mposhtet populizmi në Evropë?
  • 17 October 2017 - 11:45

Shkruan: Philip Stephens

Unë jam rritur në një Evropë të gjëra konkurruese, të sigurta. Mendonim se gjithmonë do të gjendeshim buzë konfliktit bërthamor me BRSS-në. Tjetra siguri ishte se, po të mund ta evitonim një shkatërrim të sigurt të dyanshëm, atëherë demokracia dhe tregu do ta sillnin një prosperitet. Secila gjeneratë do të ishte më e pasur sesa ajo e kaluara. Por, doli që siguria e dytë, ndihmoi në falsifikimin e asaj të parës. Komunizmi ra për shkak të dështimit ekonomik. Njerëzit e hirtë në limuzinat e tyre "Zil" (a ju kujtohet Yuri Andropov?) - për çdo raketë termonukleare amerikane, kishin nga një të tillë të veten. Por, njerëzit e burgosur prapa murit, filluan të vërenin se modeli perëndimor siguronte një jetë më të mirë. Për vendet demokratike të Evropës, Lufta e ftohtë ofroi një qëllim të përbashkët dhe një alibi. Lufta kundër komunizmit ishte arsyetim për ta mbyllur njërin sy ndaj luftërave të shumta të bëra nga Uashingtoni dhe Moska në Afrikë dhe në Amerikën Latine.

Disa fajësojnë ndryshimin në fuqitë globale

Me t'u shkatërruar të perandorisë sovjetike, dukej e logjikshme që bota do ta merrte Evropën si mostër. Kështu mendohej vetëm 25 vjet më parë. Sot, perspektiva e një progresi të pandërprerë duket tepër e dobët. Disa fajësojnë ndryshimin në fuqitë globale - rebalancimi midis lindjes dhe perëndimit, veriut dhe jugut, dmth që shtetet në ngritje tani caktojnë kushtet e globalizimit. Por, sikur edhe te komunizmi sovjetik, rreziku më i madh gjendet brenda. Kina nuk do ta rrëzojë demokracinë në Evropë. Evropa do të mund ta bënte një gjë të tillë. shpjegimi më bindës për një rritje të ndjenjës së pikëllimit dhe rënies së besimit te rendi i vjetër politik, gjendet në anketën ku njerëzit pyeten nëse presin një jetë më të mirë për fëmijët e tyre. Votuesit tani ka më shumë të ngjarë që të përgjigjen me 'jo', sesa me po. Ata mendojnë se 'marshi drejt progresit' ka marrë fund. Pasi të arrish deri te një përfundim i tillë, atëherë e tashmja bëhet një vend shumë më i errët. Pse të durohen vështirësitë e së tashmes, nëse edhe e ardhmja do të jetë e vështirë? Dhembja bëhet edhe më akute kur një pakicë e vogël me të vërtetë mund ta bartë te fëmijët e tyre një pushtet dhe pasuri të madhe. Ky pesimizëm deri në një masë është ciklik, një reflektim i gati një dekade të vështirësive, që nga kriza financiare globale. Sipas kësaj logjike - të mbështetur nga optimistët - një rikthim i denjë i rritjes ekonomike dhe i ngritjes së të ardhurave, do t'i vejnë gjërat në vendin e tyre.

Elitat mezi ia bënë çaren vetes

Eurozona përsëri është duke shënuar rritje, derisa papunësia është në rënie e sipër. Një analizë tjetër vëren se fitimet nga globalizimi dhe teknologjia digjitale ishin dëmtuar seriozisht shumë kohë para kolapsit të "Lehman Brothers". Rrogat mesatare kishin ngecur dhe bankierët kishin filluar t'i mbushnin xhepat që nga vitet 1990. Nëse kësaj i shtohet edhe zhvendosja kulturore nga rritja e imigrimit, atëherë hapet dera ndaj populistëve, të cilët shpresat e humbura i zëvendësojnë me zemërim. Elitat mezi ia bënë çarën vetes. Ka të tjerë, të cilët mund të thonë se jemi duke u ballafaquar me një krizë ekzistenciale, e cila do të sjellë anulimin e demokracisë nga një formë autoritare e kapitalizmit shtetëror. Sipas meje, ne kemi qenë edhe më parë këtu. Mësimet të cilat i nxorën liderët evropianë të pas Luftës së dytë botërore, nga kolapset e shoqërive gjatë viteve 1930, thoshin se një ekuilibër i qëndrueshëm midis demokracisë dhe kapitalizmit, ishte tronditur nga tepricat e tregjeve. Qytetarët nuk ishin të gatshëm ta pranonin një model të tregut, i cili tërë fitimet ua jepte elitave, derisa detyrimet i linte vetëm për të varfrit. Në SHBA, presidenti i atëhershëm Franklin Delano Roosevelt, reagoi me një "New Deal" (kontratë, marrëveshje të re). Evropa priti derisa kontinenti u shndërrua në gërmadha në vitin 1945, para se ta ndërtonte atë që britanikët e quajtën shtet të mirëqenies sociale, derisa qeveritë 'kontinentale' e quajtën model social evropian. Të mirat e këtij sistemi ishin prosperiteti dhe stabiliteti ekonomik.

Demokracia në kapitalizëm

Gjenerata aktuale e politikanëve duhet të mësojë nga kjo përvojë. Mbrojtja e një status quo-je, e cila dukshëm nuk është e drejtë në shpërndarjen e pasurisë dhe mundësisë, shërben vetëm për t'ua dhënë populistëve armët në duar. Për ta rikthyer besimin, duhet që politikanët ta rishpikin raportin e demokracisë me kapitalizmin, me qëllim që ta bëjnë atë të përshtatshëm për një epokë në të cilën globalizimi dhe teknologjia krijojnë pasiguri të thella. Socialistët e pensionuar, sikur Jeremy Corbyn, lideri i laburistëve britanikë, nuk kanë më ndonjë përgjigje ndaj të djathtës ksenofobe, të përfaqësuar nga personalitetet si Marine Le Pen nga Fronti nacional. Nacionalsocializmi është testuar derisa u shkatërrua. Por tani, sikur edhe pas vitit 1945, kufijtë midis publikes dhe privates kanë filluar të ndryshojnë. Rikthimi i besimit paraqet problem. Elitat e sotme duhet ta pyesin veten se, kur u bë e pranueshme që politikanët të shkojnë drejt nga postet publike, te bordet e kompanive; që shefat e bankave qendrore të shiten te bankat investuese amerikane; që liderët e bizneseve ta paguajnë veten sa t'u teket. Një mënyrë për rikthimin e 'kufijve' do të jetë trajtimi i monopoleve të korporatave të mëdha; pastaj duke obliguar gjigantët digjitalë, sikur që janë "Google" dhe "Apple" që të paguajnë më shumë sesa thjesht, taksat; që të sigurohemi që imigracioni të mos ndikojë në uljen e rrogave dhe të ofrojmë trajnim të përshtatshëm me tregjet fleksibile. Shumë evropianë janë të zemëruar, të tjerët janë të frikësuar. Mua nuk më duket se ata duan ndonjë revolucion, por vetëm një balancë më të drejtë dhe një ndjenjë se politikanët tradicionalë janë, të paktën, në anën e tyre. Mund të themi se, ajo që na duhet, është një ekonomi sociale e tregut.

(Autori është bursist i Richard von Weizsäcker në Akademinë "Robert Bosch" në Berlin)

(Kosova Sot)