Tepsia e drogës

Tepsia e drogës
  • 24 October 2017 - 08:21

SHKRUAN: ENVER BYTYÇ

Saimir Tahiri është në tepsi. Ndërsa tepsia i përket kryeministrit Rama. Ai ideoi dhe jetësoi një tepsi, e cila servir hashash, kokainë, heroinë, kallashnikovë, gjithçka që trafikohet në paligjshmëri. Tepsia e drogës e zotit Rama u zgjerua prej sipërfaqes së një fshati në përmasat e 28 mijë kilometrave katrore, aq sa është sipërfaqja e Shqipërisë. Sot u zotua se nuk do të ketë më tepsi droge, duke konfirmuar se "kur Rama do, ka tepsi, kur tepsia mbushet I përzë hisedarët e tjerë si Saimir Tahiri prej saj. Që kjo tepsi të rriste vlerën e saj duhej të pushtohej tregu i huaj. Sidomos ai perëndimor. Përmasat e Shqipërisë ishin pak. Prandaj dhe tepsisë iu shtuan asetet e krijuara nga kultura e hashashit dhe tregu evropian i drogërave të shumta, sidomos italian e grek. Për këtë qëllim u krijua rrjeti I transportit dhe shpërndarjes. Lidhjet familjare u bënë forma më e përhapur e veprimit të mafisë. Habilajt e kishin lidhjen e shkurtër. Saimir Tahiri u bë mbrojtësi dhe bashkëpunëtori i tyre. Kur Dritan Zagani i denoncoi para më shumë se dy vitesh Habilajt, Saimiri në vend që të zbulonte lidhjet e mafies me krimin, burgosi denoncuesin. Tani thotë se nuk dinte gjë. Dhe vijon akoma ta denoncojë denoncuesin, në vend që të dënojë trafikantët e kriminelët. E keni dëgjuar të thotë ndonjë fjalë të egër kundër Habilajve, megjithëse ata e "tradhtuan" bosin e tyre, ish-ministër të Brendshëm?!

Imazhi i "heroit"

Tepsia është aty, e zbukuruar me diamante e varëse të florinjta, me syze e orë të çmuara, me kostume mijëra dollarëshe, me shpërblime të majme milionëshe. Tepsia e drogës dhe hashashit mori përmasat e një shpelle, ku përfunduan dhejtëra e qindra milionë dollarë të drogës së trafikuar nga Habilajt e jo vetëm Habilajt. Makina e shitur pa ndryshim pronësie e ish-ministrit të Brendshëm u shndërrua në burim të pashtershëm të aseteve që hidheshin në tepsi. U përdor për drogë dhe trafik, për maskë dhe fshehje të aktivitetit kriminal jo vetëm nga Habilajt, por edhe nga të tjera grupe kriminale. Emri i Saimir Tahirit i mbrojti të gjithë trafikantët në jug të Shqipërisë, në Vlorë e në Tepelenë. Vetëm në Shkodër ai u përplas me Tom Doshin. Ndërkohë, Tahiri shfaq bujshëm me jelek antiplumb te parcelat e hashashit për të krijuar imazhin e "heroit" që lufton kundër hashashit. E, ndërkaq, sa herë shfaqej në parcelat e drogës, skafi në emrin e tij nisej qetë-qetë për në Itali, kurse komisarët besnikë policë u bënë punë- torët e ngarkimshkarkimit.

Tahiri duhet të përgjigjet

Saimir Tahiri ndërtoi autostradën e tregut të ri e të madh të drogës, krimit dhe kriminelëve në të gjithë Shqipërinë. Edi Rama vëzhgon tepsinë e florinjtë në duar dhe i gëzohet faktit që tashmë I vetëm dhe pa Saimirin mund ta zotërojë atë fuqishëm! Bosi i Habilajve nuk është vetëm Saimiri, është vetë Naltgjatësia e tij! Nëse dhjetëra komisarë policie dhe policë në të gjithë vendin janë bërë pjesë e trafiqeve kriminale, kjo është bërë sipas një projekti Edi Ramës, ndërsa Tahiri është thjesht një i emëruar si drejtor i këtij projekti. Ai nuk i hoqi brenda ditës 28 drejtorë dhe komisarë policie të kualifikuar dhe të aftë profesionalisht për shkak të qëllimeve të tij të mira, "për të bërë shtet"! . Ai i hoqi ata se nuk pati besim që të bashkëpunonte me tanë krimin e drogëzit dhe kanabizimit të Shqipërisë! I konsideroi ata jo thjesht kundërshtarë politikë, por më së pari të papërshtatshëm për të bashkëpunuar me bandën e Saimirit në trafiqe e vepra kriminale. Ishte pra çështje besimi për bashkëpunim në krim dhe akte kriminale. Saimir Tahiri duhet të përgjigjet. Por më e mira do të ishte të bashkëpunonte me Prokurorinë e t'ia dorë- zonte drejtësisë edhe Edi Ramën, përfituesin më të madh të tepsisë së drogës. Ai nuk ka pse bën rolin e Domitrovit e të Qemal Stafës, nuk ka pse luan politikisht. Thjesht të dorëzojë dosjet e provat e implikimit të zotit Rama në drejtësi dhe vendi do të marrë një kthesë tjetër drejt zhvillimit e progresit të tij. Nëse ish-ministri i Brendshëm zgjodhi besnikët e tij, kryesisht tepelenas të tijët e të Ruçit, për kanabizimin dhe kriminalizimin e Shqipërisë, tashmë i ka shansin t'i bëjë shërbimin e fundit këtij vendi: Të dorëzojë Ramën në drejtësinë që duam! Ndryshe kryeministri do t'i zhvatë të gjitha asetet e tepsisë të vendosura aty nga kontributet e Saimir Tahirit!

(Kosova Sot)