Perandori i ri i Kinës

Perandori i ri i Kinës
  • 27 October 2017 - 14:52

KONTROLLI NDAJ SHTETIT

Presidenti Xi nuk është duke e fuqizuar vetëm ekonominë 

Shkruan: Chris Patten 

Sikur të ishte në ndonjë vend tjetër, atëherë presidenti kinez Xi Jinping me përqendrimin e fuqisë në duart e tij, do të mund të shkaktonte akuza për totalitarizëm të ditëve tona, por, në Kinë, sjellja e Xi-së ka marrë lëvdata nga vëzhguesit, të cilët besojnë se ai është duke e realizuar 'ëndrrën kineze' të ripërtëritjes kombëtare. Një anekdotë nga vizita e presidentit amerikan Richard Nixon në Kinë, në vitin 1972, për një kohë të gjatë është konsideruar si konfirmim i asaj se liderët kinezë e njohin mirë historinë. Zhou Enlai, numri dy i Maos thuhet të jetë përgjigjur në një pyetje rreth mësimeve që dalin nga Revolucioni francez, duke thënë se ishte tepër herët për të thënë. Në fakt, sipas diplomatëve që ishin aty, Zhou nuk e kishte fjalën për revolucionin e vitit 1789, por për trazirat studentore të Parisit, të vitit 1968, prandaj me të vërtetë ka mundësi që të kishte qenë tepër herët për të thënë diçka më konkrete. Pas këtij fillimi fals, mësimet nga Revolucioni francez janë kthyer në Kinë. Shkurt pas Kongresit të 18-të kombëtar të Partisë komuniste kineze, në vitin 2012, ishte raportuar se libri i shkruar nga Alexis de Tocqueville, me titull "The Old Regime and the Revolution" (Regjimi i vjetër dhe revolucioni), në vitin 1856, është bërë lexim i detyruar për kuadrot e larta partiake. Meritat e librit më së shumti janë theksuar nga Wang Qishan, njeriu që gjendet në krye të kampanjës anti-korrupsion të presidentit dhe, me gjasë, aleati më i afërt i presidentit Xi. 

Shenjat e pakënaqësisë

Toqueville thoshte se rritja e prosperitetit në Francën e shekullit XVIII, e kishte vështirësuar qeverisjen e vendit. Pasi që njerëzit të bëhen më të pasur, ata bëhen edhe më të vetëdijshëm rreth pabarazive sociale dhe ekonomike, kështu gjithnjë e më shumë të inatosur ndaj të pasurve dhe të fuqishmëve. Tentimet për ta reformuar sistemin vetëm sa kanë vënë në pah brishtësitë e tij. Pasoi revolucioni, duke fshirë përpara monarkinë dhe aristokracinë. Kokat e tyre thjesht, rrokulliseshin rrugëve. Kongresi i sapombaruar kombëtar, i 19-të, i Partisë komuniste kineze, tregoi shkallën deri te e cila liderët kinezë kanë mësuar pikëpamjet e Toqueville-s. Xi ka shtrirë autoritetin e tij të padiskutueshëm ndaj partisë dhe vendit të tij. Xi e konsolidoi pozitën e tij gjatë mandatit të tij të parë, duke zhbërë pjesën më të madhe të trashëgimisë së Deng Xiaopingut, duke përfshirë edhe hapjen e ekonomisë së Kinës, ndarjen e partisë nga qeveria dhe një qasje të nivelit të ulët ndaj politikës së jashtme dhe të sigurisë. Xi po ashtu ka mënjanuar rivalët potencialë, duke u mbështetur kryesisht te kampanja e tij e gjerë antikorrupsion, për të sulmuar zyrtarët të cilët deri vonë ishin konsideruar të paprekur. Ai po ashtu ka mbikëqyrur spastrimin më të madh ndonjëherë, të Komitetit qendror të Partisë komuniste. Ai ndëshkoi edhe kritikat më të vogla, apo shenjat e pakënaqë- sisë, duke ndaluar bile edhe shakatë në internet, duke përfshirë edhe 'memet' të cilët e krahasonin atë me personazhin e animuar Winnie the Pooh. Sikur të ishte në ndonjë vend tjetër, atëherë presidenti kinez Xi Jinping me përqendrimin e fuqisë në duart e tij, do të mund të shkaktonte akuza për totalitarizëm të ditëve tona, por, në Kinë, sjellja e Xi-së ka marrë lëvdata nga vëzhguesit, të cilët besojnë se ai është duke e realizuar 'ëndrrën kineze' të ripërtëritjes kombëtare. Por, për disa, kjo ëndërr është kah bëhet ankth. Trendët demografikë janë duke kërcënuar që ta shndërrojnë bilancin pozitiv të punës, i cili ndihmoi në arritjen e rritjes së shpejtë ekonomike gjatë disa prej dekadave të fundit, në një mungesë të fuqisë punëtore të një shkalle të paparë. Ndotja dhe mungesa e ujit, bashkë me lirimin e dyoksidit të karbonit dhe nivelet e rrezikshme të ndotjes së ajrit, janë duke rrezikuar shëndetin e njerëzve dhe stabilitetin e performancës ekonomike të Kinës. Për më tepër, rritja e GDP-së kineze, edhe pse e mirëpritur, kryesisht është mundësuar nga kombinimi i rritjes së borxhit dhe 'flluskave' të përhapura të pronësisë. Bile edhe analistët kinezë pranojnë se vendi i tyre ka njërin prej niveleve më të larta të pabarazisë të të ardhurave në botë. Derisa të varfrit janë duke u bërë më të varfër dhe të pasurit më të pasur, shumë pyeten se a është kjo me të vërtetë domethënia e 'socializmit me karakteristika kineze'. Natyrisht, gjithmonë ka nga një optimist për të ofruar një shikim pozitiv. Kina pjesën më të madhe të borxhit e ka ndaj vetvetes, meqë prioritetet politike stimulojnë huamarrjen, aq sa edhe konsideratat tregtare. Kina mbështetë përpjekjet ndërkombëtare për të adresuar degradimin ambiental dhe ndryshimet klimatike. Gjendja e shumicës së njerëzve është duke u përmirësuar, edhe pse jo në një masë të barabartë. Dhe, administrata e Xi-së të paktën është duke bërë diçka për ta luftuar korrupsionin endemik në Partinë komuniste kineze. 

Xi mund të jetë shumë më i mençur sesa Trump

Të gjithë ne duhet të shpresojmë se, të paktën diçka nga ajo që thonë liderët kinezë, të jetë e vërtetë; nëse vjen deri te kolapsi i rritjes kineze, atëherë pasojat do t'i vuajë tërë ekonomia globale. Por edhe nëse optimistët mund të kenë të drejtë deri diku, pretendimet e presidentit Xi se Kina ka gjetur një mënyrë më të mirë për udhëheqjen e një shoqërie dhe ekonomie moderne, duken tepër larg realitetit. Thënë të vërtetën, duke filluar nga sjelljet groteske të presidentit amerikan Donald Trump, e deri te ngritja dëmtuese e nacionalizmit populist në Evropë, vendet demokratike janë duke përjetuar periudha të vështira. Por, sistemet demokratike përmbajnë mekanizma stabilizues, të cilët ua mundësojnë atyre që ta 'ndreqin' veten pa përdorë dhunën, apo presionin. Kjo nuk mund të thuhet për Kinën e presidentit Xi. Për vite, në Kinë është zhvilluar një debat serioz rreth rolit adekuat të shtetit në çështjet ekonomike. Njëri kamp thoshte se, nëse partia lëshon nga dora ekonominë, atëherë ajo do ta humbte kontrollin edhe ndaj shtetit. Të tjerët e thoshin të kundërtën: nëse partia nuk do ta lehtësojë kapjen e ekonomisë, atëherë ajo do ta humbë fuqinë politike, meqë kontradiktat ekonomike do të rriteshin dhe zhvillimi do të bëhej më pak i qëndrueshëm. Është e qartë që Xi bën pjesë në kampin etatist. Por, presidenti Xi nuk është duke e fuqizuar vetëm ekonominë. Ai është duke e fuqizuar edhe veten e tij. Në fakt, është vështirë të dihet se kush është duke u ngritur në nivelet komanduese të partisë, e kush do të shtypet, për shkak të mospajtimit me liderin e pashoq. Kjo nuk i ka penguar autsajderët nga spekulimet, por nuk ia vlen të merremi me to. Xi, sikur edhe çdo perandor tjetër, do të vazhdojë që të emërojë oborrtarë, të cilët do ta ndjekin atë pas, pa marrë parasysh se kah do të shkojë ai. Por, me një fuqi të madhe vjen edhe një përgjegjësi e madhe dhe, në këtë aspekt, fuqia e presidentit Xi është absolute. Kjo është një barrë e rëndë për një njeri. Xi mund të jetë shumë më i mençur sesa Trump, por kjo nuk është garanci për një të ardhme stabile dhe të përparuar të Kinës. Dhe, nëse gjërat shkojnë keq, të gjithë do ta dinë kë ta fajësojnë. Ka një arsye pse dinastitë diktatoriale shpesh marrin fund në të njëjtën mënyrë. nuk keni nevojë ta lexoni Toquevillen për ta ditur këtë. 

(Chris Patten, guvernatori i fundit britanik i HongKongut, është kancelar i Universitetit të Oksfordit)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)