Kriza e Spanjës është sfida e radhës për BE-në

Kriza e Spanjës është sfida e radhës për BE-në
  • 02 November 2017 - 10:37

Shkruan: Gideon Rachman

BE-ja nuk është e përgatitur në aspektin politik, e as atë intelektual, për një krizë në Spanjë. Projekti evropian bazohet te ideja se BE-ja është një 'vend i sigurt' i vlerave liberale. Pasi një vend të hyjë në klub, mendohet që ai t'i lejë jashtë konfliktet e vjetra, qofshin ato të jashtme, apo të brendshme. Besimi i BE-së te një zgjidhje paqësore për mosmarrëveshjet, është fundamental dhe mbështetet nga përkushtimet themelore të demokracisë, të sundimit të ligjit dhe ekonomisë së tregut. Çështjet e sovranitetit nacional po ashtu janë paraparë që ta humbin urgjencën e tyre brenda BE-së, ku vendimet thuhet se merren në cilindo nivel që duket më i përshtatshëm - regjional, nacional, apo evropian. Por, çka nëse tërë kjo nuk është e vërtetë? Tentimi i Katalonisë për pavarësi demonstron faktin se çështjet tradicionale të shtetësisë dhe sovranitetit ende mund të derdhin gjak në Evropën moderne. Ekziston edhe mundësia që kriza të çojë deri te dhuna midis qeverisë qendrore spanjolle dhe forcave pro pavarësisë në Kataloni. Kjo do ta sfidonte statusin tradicional të Spanjës, si shembull tipik të përfitimeve nga Projekti evropian. Spanja hyri në BE në vitin 1986, 11 vjet pas vdekjes së diktatorit Francisco Franco dhe, gati 30 vjet pas lansimit të Komunitetit ekonomik evropian në vitin 1957.

Belgjika dhe Italia kanë frikë nga lëvizjet e veta separatiste

Që nga atëherë, ajo është bërë aksiomë e tranzicionit nga diktatura në demokraci si në Bruksel, po ashtu edhe në Madrid, nga izolimi te ndërkombëtarizimi dhe nga varfëria te përparimi, ku të gjitha këto të mira kishin ardhur pas vendimit të Spanjës që të hynte në BE. Por, nëse shteti spanjoll hyn në një krizë të zgjatur dhe të rrezikshme, atëherë ky rrëfim i suksesit do të rrezikohet. Imazhi i BE-së si garantuese e paqes dhe stabilitetit në Evropë, po ashtu do të rrezikohej. Për këtë shkak, situata aktuale në Spanjë në fund të fundit mund të prezantojë një sfidë edhe më të madhe për BE-në, sesa Brexit. Për momentin, megjithatë, BEja duket se nuk ka shumë mundësi të tjera, pos që të shikojë e pafuqishme nga anash. Në një takim të mbajtur tash vonë në Këshillin e Evropës, i cili mbledhë krerët e qeverive të 28 vendeve të BE-së, Angela Merkel tentoi ta fillonte një bisedë rreth Katalonisë. Por, kancelarja gjermane u refuzua nga Mariano Rajoy, kryeministër i Spanjës, e më pas asnjëri nga të pranishmit nuk e përmendi këtë çështje. Ky incident e vuri në pah faktin se, përkundër akuzave të kritikëve britanikë - BE-ja nuk është armik i shteteve të Evropës. Përkundrazi, ajo është një klub i shteteve kombëtare. Spanja, për dallim nga Katalonia, është anëtare e këtij klubi, me një ulëse në tavolinën e institucioneve kyçe të BE-së. Pra, derisa disa liderë evropianë mund t'i kenë dyshimet e tyre rreth asaj sesi qeveria spanjolle është duke e trajtuar këtë krizë, duke e konsideruar këtë si një qasje të dorës së fortë, ata hezitojnë që t'i shprehin shqetësimet e tyre publikisht. Disa nga shtetet e tjera të BE-së, në rend të parë Belgjika dhe Italia, kanë frikë nga lëvizjet e veta separatiste.

Kriza e Katalonisë është e ndryshme

Pas krizës së euros dhe tronditjes që solli Brexit, Projekti evropian nuk mund ta durojë edhe një sfidë ekzistenciale në Spanjë. Derisa nuk u paraqit kriza në Spanjë, rrjeti Berlin-Bruksel-Paris, i cili dominon të menduarit në BE, ishte duke pasur një vit të mbarë 2017. Ngjarja kryesore ishte fitorja e Emmanuel Macronit në zgjedhjet presidenciale në Francë, në muajin maj. Kjo në të njëjtën kohë paraqiste një mposhtje të populizmit në Evropë, duke forcuar unitetin e BE-së rreth Brexitit dhe duke premtuar një marrëveshje Macron-Merkel, për ta rilansuar Evropën. Për elitën e BE-së, sfida më e madhe tani ka të bëjë me shfrytëzimin e mundësisë që ofron presidenca Macron, që të ripërtërihet Projekti evropian nëpërmes të përtëritjes së partneritetit franko-gjerman. Kjo perspektivë dominon të menduarit e kuadrit të ekspertëve të BE-së, gjë që e pashë edhe vetë në një konferencë të mbajtur në Berlin javën e kaluar. Me orë të tëra u bisedua rreth mundësive të një marrëveshjeje franko-gjermane. Në anën tjetër, kriza e Spanjës thuajse nuk u përmend fare. Nuk pati shumë fjalë as rreth përhapjes së populizmit në Evropën qendrore, ku zgjedhjet si në Çeki, po ashtu edhe në Austri, rritën mundësitë për partitë euroskeptike. Çështjet në qendër të marrëdhënieve franko-gjermane janë të rëndë- sishme dhe komplekse. Por, ato po ashtu janë edhe njëfarë lloji i mbulesës së sigurt, meqë konturat e debatit janë tepër të njohura. Kriza e Katalonisë është e ndryshme. Ajo ngre çështje me të cilat shumica e specialistëve të BE-së nuk dinë çka të bëjnë. e njëjta mund të thuhet edhe për ngritjen e populizmit antidemokratik në Evropën lindore. Dhe, mund të ketë edhe sfida të tjera, të ngjashme, në të ardhmen. Zgjedhjet në Itali, që do të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm, munden lehtë që të sjellin fitore shtesë për partitë populiste dhe euroskeptike. Në mënyrat e tyre të ndryshme, Spanja, Britania, Italia, Polonia, Greqia dhe pjesa më e madhe e Evropës qendrore, janë duke devijuar në mënyrë dramatike nga ajo që ishte dikur normë evropiane. Në këtë aspekt, vetëm vendet nordike, Irlanda, Beneluksi dhe dyshja e madhe, Franca dhe Gjermania, duken sikur 'hapësirë e sigurt' për Projektin Evropian. Pyetja për elitën e BE-së është se, a është rilansimi i partneritetit franko-gjerman, një hap i domosdoshëm që nevojitet për ta shpëtuar Projektin evropian, apo një introspektivë e paraqitjes së problemeve më të mëdha, më shqetësuese. Liderët evropianë do të donin ta injoronin krizën në Spanjë. Por, kriza e Spanjës nuk mund t'i injorojë ata.

(Kosova Sot)