"Paradiese Papers" dhe furtuna e pritshme ballkanike

  • 07 November 2017 - 09:37

SHKRUAN: PROF.AS.DR. ENVER BYTYÇI

V etëm një administrator i një forme ofshore të "Paradiese Papers" realizon një xhiro vjetore prej 100 milionë dollarë amerikanë dhe ka të punësuar 470 punëtorë. Si kjo janë me qindra kompani ofshore, të cilat operojnë në bankat panameze e deri libaneze, malteze, të Singaporit, Qipros e më gjerë si kontraktorë të parave të pista që vijnë nga droga, korrupsioni, abuzimi me fondet publike, shpërblimet për shërbime spiunazhi e të tjera shpërblime jo ligjore. Dy janë kategoritë e atyre që kanë dërguar paratë e tyre në parajsën fiskale, kategoria e kriminelëve dhe bashkëpunëtorëve me krimin e organizuar dhe kategoria e atyre që i fshihen taksave në vendet e tyre. Janë jo pak, por 13.4 milionë dokumente, të cilat tashmë gjenden në duart e mediave. Në këto dokumente dëshmohet se dhjetëra e qindra politikanë, sipërmarrës, yje të Hollivudit, personalitete të mëdhenj janë përfshirë në skandalin e fshehjes së parave në kompanitë e parajsës fiskale.

Aleanca e fshehtë për interesa okulte

Gazeta gjermane "Sueddeutsche Zeitung" përmend gjithashtu emrin e ish-kancelarit Gerhard Schroeder, si një nga politikanët kryesorë të këtij vendi të përfshirë në skandalin e "Paradiese Papers". Bie në sy fakti se shumë prej politikanëve të implikuar kanë lidhje me politikën dhe oligarkët rusë. Njëri prej tyre është Schroeder. Ish-Kancelari gjerman është i vetmi në historinë e këtij vendi që krijoi një lidhje shumë të ngushtë me Kremlinin e personalisht me presidentin rus, Vladimir Putin. Duket se ai ka vënë para të paligjshme dhe për këtë shkak ka përdorur kompanitë ofshore për pastrimin e këtyre parave të pista. Por, Schroeder ishte para dy vitesh edhe në Shqipëri për të takuar kryeministrin tonë, zotin Rama. Më pas ai i bëri një shërbim të radhës zotit Rama, duke dërguar në Tiranë ushtarin e tij të bindur, Gabriel Sigmar, me qëllim që ta ndihmonte politikisht Edi Ramën në fushatën elektorale të 25 qershorit 2017. Kjo lidhje e dyshimtë midis Schroeder, kryeministrit Rama dhe përmes tij edhe Vladimir Putin, nuk është thjesht një lidhje politike dhe aleancë e fshehtë për interesa okulte, por edhe një pjesëmarrje në veprimtarinë e paligjshme tek "Paradise Papers". Para disa javësh analistë me emër në botën e politikës perëndimore kanë paralajmëruar se nëpërmjet zbulimit të skandaleve në "Paradiese Papers", qytetarët e vendeve ballkanike do të duhet të përballen me oligarkinë e këtyre vendeve në pushtet e për pasojë duket se nuk do të kemi për disa muaj ditë të qeta. Një tronditje sociale në Shqipëri e vendet rreth nesh do të ndodhë. Protestat për rrëzimin e qeverive të inkriminuara janë të pashmangshme. Kutia e pandorës u hap. Mediet evropiane dhe amerikane filluan botimin e informacioneve nga "Paradiese Papers" dhe derisa të zbulohen këto miliona dokumente ne do të mësojmë shumë emra si dhe shifra të paimagjinueshme të parave që janë depozituar në bankat e parajsës fiskale. Më së shumti emrat në Shqipëri e në Ballkan i përkasin elitës politike të korruptuar e të inkriminuar, ndërsa shumat marramendëse që do të dalin në dritë, do të jenë paratë e korrupsionit, shpërdorimit të fondeve publike, të trafikut të lëndëve narkotike e të qenieve njerëzore, ku janë implikuar politikanët ballkanas e shqiptarë. Ato 863 mijë eurot e Sajmir Tahirit do të duken si gjethe dushku përpara miliona, dhjetëra- milionave e qindramilionave që do të dalin në emër të politikanëve tanë ose familjarëve të tyre.

Në oazën fiskal kanë përfunduar 7.9 bilionë dollarë amerikanë

Furtuna ballkanike dhe ajo shqiptare duket se nuk do të vonojë. Faktet që u zbuluan këto javë në adresë të Habilajve dhe ish-ministrit Sajmir Tahiri, janë thjesht pjata e servirur për apetit. Antipasta do të serviret nga "Paradiese Papers"-i. Vërtet nuk paskemi parë gjë akoma. Llogaritet që në oazën fiskal të kenë përfunduar 7.9 bilionë dollarë amerikanë. Se cila do të jetë pjesa e VIP-ave të Ballkanit e të Shqipërisë do ta mësojmë në ditët e javët e ardhshme. E sigurt është se këto para janë djersa, mundi dhe gjaku i qytetarëve të thjeshtë, të cilët përfundojnë në qelitë e burgut për mospagesën e energjisë elektrike, ndërkohë që dhunuesit e tyre në pushtet do të dalin me emër e mbiemër të implikuar në krimin e pastrimit të parave të drogës e të krimit. Dokumentet qëndrojnë në duart e 380 gazetarëve dhe po publikohen së paku nga 96 medie në 67 vende të botës. Mesazhi i këtyre publikimeve është një: - Asnjë politikan, asnjë koncern, asnjë shkelës i sanksioneve ndërkombëtare, asnjë fshehës i taksave në vendin e tij, asnjë veprimtari kriminale e fshehtë nuk do të mundet më të bëjë tregti me para të pista e të fshehura, sepse edhe në qoshet më të errëta të botës financiare në çdo kohë do të ndizet dritë. Ky është një shans i madh që të ketë dritë edhe për Shqipërinë e shqiptarët, me qëllim që të marrë fund babëzia e politikanëve kriminelë, të cilët thithin gjakun tonë për t'u pasuruar e në momentin kur zbulohen nisin e qajnë me "aman se kam fëmijë"!

(Kosova Sot)