Vota e ndëshkimit, si mjet për ndërgjegjësimin e skenës politike

Vota e ndëshkimit, si mjet për ndërgjegjësimin e skenës politike
  • 09 November 2017 - 08:23

SHKRUAN: FATON MEHMETI

Zgjedhjet lokale më 22 tetor në Kosovë u mbajtën në një atmosferë të qetë, edhe pse ky shtet i brishtë nuk do të na çudiste nëse do të përgatiste skenarë të ndryshëm, sikur më përpara gjatë votimeve. Ajo çka është me rëndësi, është se zgjedhjet tek elektorati shqiptar dëshmuan se shqiptarët kanë vlera, potenciale dhe qytetari të lartë, kur partitë politike të tyre besatohen se do të udhëheqin fushatë të qetë, si dhe kur nuk i lënë hapësirë shërbimeve të huaja që të implikohen gjatë fushatës parazgjedhore dhe gjatë zgjedhjeve. Ngritja e vetëdijes së qytetarëve ka detyruar edhe partitë politike, që të ndryshojnë konceptin e të bërit fushatë, duke u fokusuar atë më tepër tek qytetari. Zhvendosja nga epiqendra e politikanëve duke vendosur më tepër qytetarin në qendër të vëmendjes, si subjekt legjitim që të jep të drejtën përmes votës për të udhëhequr, ka ndikuar ndjeshëm ne ndryshimin e roleve. Këto role faktikisht ishin përzier pas lufte, nga euforia e krijuar.

Të rinjtë kanë filluar të përdorin votën si fuqi të tyre për të ndryshuar shtetin

Krejt kjo ishte e kuptueshme në një vend të pa mësuar me demokraci dhe të bërit politikë. Gjithsesi tani që Kosova ka një traditë të zgjedhjeve dhe politikës, qytetarët kanë kuptuar rolin e tyre dhe të politikanit, të parit si shërbyes, dhe jo mbret. Deri sot qytetarët kanë votuar "shabllon', duhet të provojmë të dalim jashtë kornizave tradicionale, që si pasojë kemi vepruar edhe në votën që kemi dhënë deri më sot. Tradicionalisht si popull njihemi se ka folur "I zoti i shtëpisë" dhe ka vendosur për të gjithë anëtarët e familjes, ani pse motra ose vëllai i vogël ka pasur ide të qarta për një punë të caktuar, përgjigjja e tyre ka qenë "ata nuk dinë, janë të vegjël". E këta të vegjlit shpeshherë e kanë dëshmuar se dinë dhe duan, kanë ide dhe qëllime të qarta dhe të caktuara. Të rinjtë kanë filluar të përdorin votën si fuqi të tyre për të ndryshuar shtetin. Zgjedhjet mbaruan, dikush doli e dikush s'doli, përqindja e votuesve thanë të jetë 43. Për dikë e madhe për dikë e vogël. Për dikë e pritur e për dikë e papritur. Gjithsesi Kosova ka filluar të ndryshojë hartën politike të partive, e të cilat dështon apo do të ndryshojnë qasjen ndaj qytetarit. Përkundër kësaj, mosreformimi i brendshëm i partive politike nuk do të lejojë edhe ndryshimet në shoqëri dhe rrjedhimisht nuk do të mundësojnë ndryshime thelbësore.

Kandidatët kredibilë

Por, qytetarët në këto zgjedhje kanë ndryshuar pak a shumë mënyrën se si votojnë, nga fokusi që ishte me herët tek partia, tanimë qytetarët votojnë kandidatin duke thyer të gjithë skemat e partive . Kjo do t'i detyrojë partitë politike që edhe në të ardhmen, të propozojnë kandidatë kredibilë, me autoritet dhe të pranueshëm për qytetarët. Kështu edhe partitë politike do të reformohen, por edhe qytetarët do të kenë përfaqësues më të dinjitetshëm se deri tani. Zgjedhjet e 22 tetorit kanë shënuar kthesë të madhe në ndryshimin rrënjësor të votimit ndaj kandidatëve, duke mënjanuar stemën e partisë. Qytetarët ndëshkuan atë që nuk kanë punuar, dhe iu vazhduan besimin atyre që i mbajtën premtimet. Kjo është fuqia votës, kjo është qytetaria që i duhet Kosovës. Një hap i madh drejt demokracisë, më në fund Kosova po tregon se ka filluar të piqet politikisht, falë qytetarëve, të cilët kanë filluar të jenë më pragmatistë në votim, se sa emocionalë.

(Kosova Sot)