Demokratët përleshen me fantazmat zgjedhore të së kaluarës

Demokratët përleshen me fantazmat zgjedhore të së kaluarës
  • 10 November 2017 - 10:15

Shkruan: COURTNEY WEAVER

Ah, nëntori i vitit 2017: çfarë kohe të jesh demokrat në Uashington. Një avokat special i trimëruar ka ngritur padi kundër dy zyrtarëve të lartë të kampanjës së Donald Trump-it. Një ndihmës i nivelit të ulët, i kampanjës së Trump-it ka bashkëpunuar me FBI-në, pasi ishte marrë vesh se ai kishte tentuar që të vinte komunikim me rusët. Dhe, shkalla e mbështetjes ndaj presidentit Trump ka rënë në vlerat më të ulëta historike, ku 6 nga dhjetë amerikanë deklarojnë se nuk e pëlqejnë mënyrën sesi ai e ushtron detyrën e presidentit. Prandaj, shtrohet pyetja, pse kaq shumë demokratë duken aq të gatshëm që t'i ringjallin ankthet e vitit 2016? Për ata që kishin shpresuar se emrat, si "Bernie bros" dhe "Debbie Wasserman Schultz" përfundimisht ishin ndaluar nga leksikoni kombëtar, disa ditë të kaluara kanë qenë një zhgënjim i hidhur. Pjesa më e madhe e udhëheqësve të Partisë demokratike duken të kënaqur me zhvendosjen e bisedës nga Robert Mueller, te ndarjet që kanë mbetur nga zgjedhjet primare të vitit 2016. Në sipërfaqen e tij, ky raund i ri i vetë-ndëshkimit është nxitur nga publikimi i memoareve nga Donna Brazile, ushtruesja e detyrës së Komitetit nacional demokrat (DNC) gjatë muajve të fundit të zgjedhjeve të vitit 2016, si dhe menaxherja e kampanjës parazgjedhore e Al Gore-it, kur ai kishte garuar për president, në vitin 2000.

Krahasimi me repartin antiseptik

Një vit më parë, ajo ishte kritikuar ashpër nga konservatorët e së djathtës, pasi që "Wikileaks" kishte zbuluar se ajo kishte informuar kampanjën e Clinton-ës rreth një pyetjeje të debatit. Sot, zonja Brazile është e famshmja e radhës e "Fox News", falë librit të saj të ri, një koleksioni të kritikave përçmuese ndaj çdo pjesëtari të lartë të kampanjës Clinton, duke përfshirë edhe vet kandidaten për president. Sikur edhe në rastin e emailave të Hillary Clinton-it, pjesët më 'të yndyrshme' të librit të zonjës Brazile, pikë-pikë, janë bërë publike derisa libri ende nuk ishte publikuar. Në fillim ishte publikuar pretendimi i saj se kampanja Clinton kishte përdorë një marrëveshje financiare, për të ushtruar ndikim ndaj aktiviteteve të DNC-së. Më pas u bë publike pritja e zonjës Brazile se Joe Biden do të duhej ta zëvendësonte zonjën Clinton në garë. Në një moment të librit të saj, ajo krahason selinë e kampanjës së Clinton-it në Nju- Jork, me një repart "antiseptik" të spitalit, ku "dikush ka vdekur". Libri i zonjës Brazile del të njëjtën ditë kur mbahen edhe zgjedhjet për guvernator të Virxhinias, një garë të cilën kandidati demokrat dikur mendohej se do ta fitonte pa problem, por që tani duket se kjo nuk do të jetë edhe aq e lehtë. "Do të doja sikur ajo të kishte pritur një javë", thotë Matt Bennett, një strateg demokratik dhe 'nxënës' i Shtëpisë së Bardhë nën Bill Clinton-in. "Mendoj se ky libër risjell shumë prej gjërave, të cilat shumë njerëz kishin menduar se i kishin lënë në të kaluarën. Pyetja që shtrohet, është: Kur do të marrë fund kjo gjë? Kur do të marrin me të vërtetë fund zgjedhjet primare të vitit 2016?". Por, jo të gjithë lodhen për këtë punë. E pyetur nga një person gjatë nënshkrimit të librit të saj në Çikago, javën e fundit, se çka planifikon që të veshë për Halloween, Hillary Clinton, pasi mendoi për disa çaste, tha me një seriozitet të plotë, "Ndoshta do të vishem si president".

Lajmet negative

Megjithatë, për shumë demokratë të thjeshtë, ndarjet brenda partiake janë duke u bërë gjithnjë e më të padurueshme. Në një mbledhje zgjedhore të Ralph Northamin, kandidatin demokrat në Virxhinia, Vlad Ochynnikov, një vullnetar i kampanjës, vërejti se lajmet e fundit negative kanë marrë një vëmendje më të madhe sesa që e kishin merituar. "Më duket sikur të gjitha lajmet e këqija rreth republikanëve thjesht harrohen, sikur të ishin diçka me të cilën jemi duke u mësuar", u ankua ai. "Por, çdo lajm i keq rreth demokratëve thjesht mbetet aty". Për ironi, kohët e fundit ka pasur më shumë lajme pozitive për demokratët. Një anketë e bërë nga "Washington Post-ABC News", e publikuar të hënën, tregonte se shumica e votuesve amerikanë tani thonë se do të votonin më parë për një kandidat demokrat për Kongres, sesa për ndonjë republikan. Legjislacioni republikan ka ngecur në Kongres. Dhe, një grup senatorësh të rëndësishëm republikanë janë duke kryesuar një rebelim kundër presidentit të partisë së tyre. Për demokratët, të cilët janë të interesuar që ta rikthejnë kontrollin ndaj Dhomës së përfaqësuesve, vitin e ardhshëm, ky është një lajm i mirë. Ndërkohë, duket sikur telashet e tyre vijnë nga vet ata.

(Kosova Sot)