Ku fillon kriza e Evropë

Ku fillon kriza e Evropë
  • 07 December 2017 - 09:46

Shkruan: Mark Leonard

NDARJET E THELLA

Ballafaqimi me sfidat brenda shteteve të BE-së nuk do të jetë i lehtë

Sipas mençurisë konvencionale, rreziku më i madh ndaj Projektit evropian vjen nga sabotatorët "joliberalë" në periferi të BE-së, të cilët kanë vendosur që të mos i respektojnë rregullat. Por, këtu harrohet një ndarje edhe më e thellë midis shteteve anëtare të BE-së

Ndarjet e thella brenda Evropës janë duke kërcënuar gjithnjë e më shumë vlerat mbi të cilat bazohet Projekti evropian për një "union edhe më të afërt". Në vitin 2015, gjatë krizës së refugjatëve, shumë analistë shihnin ndarjen midis "Willkommenskultur" (kulturës mikpritëse) të kancelares gjermane Angela Merkel dhe vizionit të pastërtisë etnike të kryeministrit hungarez, Victor Orbán, një Evropë Perëndimore e urave, karshi një Evrope Lindore të mureve. Por, një rrezik tjetër ndaj unitetit evropian, vjen nga vetë brendësia e vendeve. Në Gjermani bisedimet për formimin e koalicionit të Qendrës së majtë dhe Qendrës së djathtë kanë dështuar. Në Holandë, kryeministrit Mark Rutte iu deshën 208 ditë për ta formuar qeverinë, pas zgjedhjeve të marsit. Në Britani, establishmenti politik është i ndarë rreth Brexitit. Dhe, në Poloni, nacionalistët e bardhë dhe neonazistët tash vonë organizuan një marsh nëpër rrugët e Varshavës. Cili hendek është më i thellë - ai midis shteteve anëtare, apo ai brenda vet atyre? Përgjigja në këtë pyetje ka rëndësi të madhe. Nëse problemi më i madh i Evropës është ndarja e saj përgjatë kufijve kombëtarë, atëherë vendet me anim liberal, sikur Franca dhe Gjermania, mund të provojnë ta ndryshojnë balancin e fuqisë brenda vendeve gjithnjë e më pak liberale. 

Merkel është një negociatore më e talentuar sesa të tjerët

Çdo vend i BE-së është pajtuar që të vendosë standarde liberale-demokratike, kur i është bashkuar klubit. Por, me kalimin e kohës, qeveria e Hungarisë dhe ajo e Polonisë vendosën se më nuk duan t'iu binden atyre rregullave. Një zgjidhje do të mund të ishte krijimi i një klubi të vogël, me përfitime më të mëdha. Vendet të cilat duan t'i bashkohen këtij rrethi të privilegjuar, do të duhej që të pajtohen me një grup të ri, origjinal, të rregullave dhe, vendet të cilat do t'i thyenin këto rregulla, do të mbeteshin jashtë. Përfundimisht, do të kishte një kosto për shkeljen e standardeve të BE-së. Por, kjo zgjidhje mund të funksionojë vetëm nëse problemi më i madh është ndarja midis shteteve anëtare. Sa u përket ndarjeve brenda vetë shteteve, mund ta marrim shembullin e Gjermanisë. Pas mbajtjes së zgjedhjeve federale në shtator, Merkel iu rrek një eksperimenti mbresëlënës, duke u munduar që ta bashkonte partinë e saj të qendrës së djathtë (CDU), me partinë simotër të saj (CSU), Demokratët e lirë pro biznesit (FDP) dhe me të Gjelbrit majtistë. Merkel është një negociatore më e talentuar sesa të tjerët. Por, ende mbetet për t'u parë nëse ajo mund t'i shërojë ndarjet në vendin e vet. Derisa të Gjelbrit do të donin ta mbanin "Willkommenskultur", pozicioni i CSU-së rreth migrimit është më i afërt me atë të Grupit të Vishegradit (Çekinë, Hungarinë, Poloninë dhe Sllovakinë). Në fakt, në vlugun e krizës së refugjatëve në vitin 2015, CSU-ja e mirëpriti Orbánin në njërën prej konferencave të saj partiake. Për më tepër, derisa të Gjelbrit janë federalistë evropianë, që mbështesin një solidaritet më të madh ekonomik me Greqinë dhe Italinë, FDP-ja është për disiplinën fiskale të finlandezëve, holandezëve dhe 'swabian'-ëve gjermanë. Ata ashpër kundërshtojnë një integrim më të thellë evropian. Ishin të shumtë ata që kishin shpresuar se Merkel do t'ia dilte ta krijonte një koalicion "Xhamajka", por, në fund, ky eksperiment dështoi. FDP-ja braktisi bisedimet për shkak të frustrimit se, sikur që tha lideri i saj Christian Lindner, "Katër partitë që merrnin pjesë në diskutime nuk kanë një vizion të përbashkët për modernizimin e vendit, e as për besim të ndërsjellë". Edhe pa një koalicion Xhamajka, Gjermania vazhdon që ta ketë një shumicë stabile liberale në Bundestag. E njëjta gjë nuk mund të thuhet për pjesën tjetër të BE-së, ku gati çdo i dyti vend anëtar tani ka një shoqëri "50-50": gjysmëkozmopolit, gjysmëkomunitar. Në këto vende, qeveria në çdo kohë përfaqëson cilëndo palë që ka fituar raundin e fundit të luftës së vazhdueshme kulturore. Në Britani, p.sh. 52% të votuesve votuan për të dalë nga BE-ja. Ky vend tani është duke shkuar kah shndërrimi në një shtet të izoluar me provincializëm dhe ksenofobi, por liderët e tij vazhdojnë që t'iu thonë qytetarëve se Britania do ta ketë më mirë si e vetme. Për ata që besojnë një gjë të këtillë, fakti që Britania do ta humbë të drejtën e ndikimit në marrjen e vendimeve të BE-së, që ndikojnë në ambientin e saj ekonomik, duket se nuk ka fare rëndësi. Franca, në anën tjetër, ka një president të ri energjik, pro evropian, Emmanuel Macron, i cili është përkushtuar për përgatitjen e vendit të tij për vitet e ardhshme. Por, përkundër kësaj, Franca nuk është më shumë kozmopolite sesa Britania. Në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale këtë pranverë, kampanjat nativiste të kandidatëve Marine Le Pen, Jean-Luc Mélenchon dhe Nicolas Dupont-Aignan, së bashku fituan 46% të votave, gati sa edhe kampanja e Britanisë për largim nga BE-ja. Është e qartë se BE-ja është një shoqëri shtetesh dhe qytetarësh. Kjo nënkupton se ndarjet brenda shtetërore kanë po aq rëndësi sa edhe mosmarrëveshjet diplomatike midis vendeve. 

Një Evropë fleksibile

Në fillim të vitit, një raport i Institutit "Brookings", u përpoq që të përcaktonte nëse Evropa është një "arenë optimale politike", një koncept ky i huazuar nga teoria e ekonomistit Robert Mundell, teoria e "zonave optimale valutore". Raporti konkludonte se dallimet kulturore dhe institucionale midis vendeve të BE-së nuk kanë ndryshuar shumë gjatë tri dekadave të kaluara të integrimit evropian. Por, ai po ashtu gjeti se ndarjet midis vendeve janë shumë më të vogla sesa dallimet brenda vet vendeve. Apo, me fjalë të tjera, rreth çështjes së lirisë së lëvizjes, ka një polarizim më të madh midis Londrës dhe pjesës së brendshme të Britanisë, sesa midis Britanisë dhe Polonisë. Duke krijuar një Evropë fleksibile, apo me shumë nivele, mund të ishin zgjidhur disa nga problemet e saj afatshkurtra, duke bashkuar koalicionet e gatshme për të adresuar çështjet specifike. Por, një gjë e tillë do të mund të sillte edhe rreziqe të reja. Në fund të fundit, shumica e vendeve evropiane, pa marrë parasysh se çfarë orientimi kanë ato, do të vazhdonin të ishin shoqëri të ndara përgjysmë, që do të mund të hynin, apo të largoheshin nga një integrim më i thellë me anë të votës së lirë. Në të ardhmen, nuk mund të përjashtohet mundësia që Le Pen të zgjidhet presidente e Francës, apo që Lëvizja italiane Pesë Yjet, me qëndrim anti BE, të vijë në pushtet. Sipas të së njëjtës logjikë, në Poloni ka mundësi që të vijë në pushtet një Platformë Civile, që është më e moderuar. Ballafaqimi me sfidat brenda shteteve të BE-së nuk do të jetë i lehtë. Ky është një problem i thellë, gjeneratash, i cili depërton deri në esencën e identitetit nacional, historisë dhe gjeografisë. Për një problem të këtillë nuk ekziston ndonjë zgjidhje e shpejtë institucionale. (Mark Leonard është drejtor i Këshillit evropian për marrëdhënie me jashtë) 

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)