Gjasat e Evropës për të udhëhequr në robotikë dhe Inteligjencë artificiale

Gjasat e Evropës për të udhëhequr në robotikë dhe Inteligjencë artificiale
  • 09 December 2017 - 11:26

Shkruan: Guy Verhofstadt

ENDE KEMI KOHË PËR TA FORMËSUAR TË ARDHMEN

Së shpejti do të kemi nevojë për një status të veçantë ligjor për robotët

Përparimet e tashme teknologjike do ta kenë një efekt të thellë në jetën tonë, ngjashëm me një Revolucion industrial të ri. Duke caktuar tani rregullat dhe standardet, BE-ja mund të sigurojë që tërë evropianët të përfitojnë nga ndryshimet e ardhshme, në vend se të zhyten në kaos

Të paktën qyshkur Mary Shelley sajoi Victor Frankenstein-in dhe përbindëshin e tij ikonik në vitin 1818, njerëzit kanë pasur një fascinim morbid me 'krijesat' e bëra nga njeriu, të cilat mund të na e rrezikojnë ekzistencën. Nga adaptimi amerikan TV i "Westworld", i cili sjell një park të argëtimit të popullzuar nga androidet, e deri te filmat "Terminator", në të cilin makinat super-inteligjente kanë për qëllim ta shkatërrojnë njerëzimin, shpesh përfshihemi nga fantazia paranoide se 'krijesat' tona teknologjike mund të kthehen kundër nesh. Në "Homo Deus", Yuval Noah Harari nga Universiteti hebre, thotë se përparimet ekzistuese teknologjike tanimë e kanë vënë njerëzimin në rrugën e shkatërrimit të vet. Zhvillimet në Inteligjencën artificiale (AI), algoritmet të cilat marrin vendime më të mira sesa njerëzit, si dhe inxhinieringu gjenetik, që të gjitha na tregojnë se shumica e qenieve njerëzore do të jenë të tepërta në një të ardhme jo fort të largët. Në Konferencën "Web Summit" në Lisbonë, muajin e kaluar, fizikani i njohur Stephen Hawking adresoi rreziqet si dhe mundësitë që i kemi përpara. "Suksesi në krijimin e Inteligjencës artificiale", tha Hawking, "mund të jetë ngjarja më e madhe në historinë e civilizimit tonë. Apo, më e keqja". Problemi, shtoi ai, është se "nuk e dimë. Për këtë shkak, nuk mund ta dimë nëse Inteligjenca artificiale do të jetë gjithherë në ndihmën tonë, apo do të injorohemi dhe lihemi anash nga ajo, apo edhe të na shkatërrojë". 

Evropa ka një shans për ta vendosur standardin

Përkundër vërejtjeve të tyre të ashpra rreth implikimeve të mundshme të teknologjive ekzistuese, megjithatë, si Hawking dhe Harari besojnë se ende kemi kohë për ta formësuar të ardhmen, për neve. Sfidat para nesh do të shtrojnë shumë pyetje për politikëbërësit. Çka d.m.th. përhapja e robotikës dhe Inteligjencës artificiale (AI) për mbrojtjen dhe sigurinë, apo për punësimin në të ardhmen? Dhe, kush mund të garantojë që këto zbulime do të jenë në të mirë të të gjithëve? Deri më tani, debati kryesor politik rreth këtyre çështjeve ka qenë i limituar. Kjo nuk mund të befasojë: sikur që pamë me rastin e klonimit të shtazëve, politika është e prirë që të mbetet prapa shkencës. Në BE, rregullat e tregut të përbashkët shpesh miratohen me vite të tëra pas përparimeve shkencore, të cilat i kanë bërë ato të nevojshme. Por, kur flitet për robotikën dhe AI, nuk guxojmë që të hezitojmë. Fatmirësisht, sikur që ka vënë në pah Hawking, disa politikëbërës evropianë tanimë kanë filluar punën legjislative në këtë front. Në shkurt të këtij viti, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë ku thirrej për miratimin e rregullave të reja, që kanë të bëjnë me AI dhe me robotikën. Kërkojmë nga Komisioni evropian që të propozojë masa të cilat do të maksimalizojnë përfitimet ekonomike nga këto teknologji, duke garantuar në të njëjtën kohë një nivel standard të sigurisë. Edhe pse nuk pajtohem me disa propozime aktuale, fakti që, të paktën, jemi duke pasur një debat rreth kësaj çështjeje, është një zhvillim pozitiv. Derisa edhe vendet e tjera janë duke konsideruar rregullat e reja për robotët dhe AI, BE-ja ka një mundësi unike që ta marrë rolin udhëheqës. Duke vepruar tani, mund të sigurojmë që BE-ja të mos jetë e detyruar të pasojë kornizat rregullatore të vendosura nga vendet e tjera. Në fund të fundit, rregullat globale do të kërkohen; dhe Evropa ka një shans për ta vendosur standardin se si duhet të jenë ato. Së shpejti do të kemi nevojë për një status të veçantë ligjorë për robotët, në mënyrë që të përcaktojmë se kush është përgjegjës për dëmet që ata mund t'i shkaktojnë. Për më tepër, sikur që ka tërhequr vërejtjen themeluesi i kompanisë "Microsoft" dhe filantropi Bill Gates, robotika dhe algoritmet e përparuara me gjasë do të eliminojnë shumë vende të punës. Në fakt, Forumi ekonomik botëror vlerëson se, pesë milionë vende të punës, në 15 vende të zhvilluara, do të humben, si pasojë e automatizimit, deri në vitin 2020.

Krijimi i një agjencie të re

Duke pasur parasysh se ndryshimet aktuale në mjetet e prodhimit tanimë e kanë nisur këtë trend, Gates dhe disa në Parlamentin Evropian, kanë sugjeruar që robot- ët të ngarkohen me taksa për t'i paguar shërbimet njerëzore. Se a është kjo zgjidhja më e mirë, tani është temë e debateve të shumta, por, është qartë se do të duhet të arrihet njëfarë kompromisi. Robotika dhe AI po ashtu do të ngrehin çështje të thella etike për politikanët liberalë, sidomos në lidhje me privatësinë dhe sigurinë. Fatmirësisht, ekziston një konsensus më i gjerë politik në lidhje me këtë çështje, sesa me taksim. Parlamenti Evropian ka propozuar një kod vullnetar të sjelljes për inxhinierët dhe të tjerët që punojnë në fushën e robotikës. Standardet etike si edhe ato legale nevojiten për të siguruar që robotët dhe teknologjitë e ngjashme janë të dizajnuara duke pasur parasysh respektin ndaj dinjitetit njerëzor. Së fundmi, Parlamenti Evropian ka apeluar te Komisioni evropian që ta shqyrtojë krijimin e një agjencie të re, në nivel të BE-së për robotikë dhe AI, për t'iu ofruar zyrtarëve njohuri teknike, etike dhe rregullatore. Për mua, ky do të ishte një hap i ndjeshëm përpara, duke pasur parasysh se rreth 30% të kompanive kryesore botërore do të punësojnë zyrtar shef të robotikës deri në vitin 2019. Mund të jemi më se të sigurt se përparimet e tashme teknologjike do ta kenë një efekt të thellë në jetën tonë, ngjashëm me një Revolucion industrial të ri. Duke caktuar tani rregullat dhe standardet, BE-ja mund të sigurojë që tërë evropianët të përfitojnë nga ndryshimet e ardhshme, në vend se të zhyten në kaos. 

(Guy Verhofstadt, ish-kryeministër i Belgjikës, është president i Grupit të Aleancës së liberalëve dhe demokratëve për Evropën -ALDE, në Parlamentin Evropian) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)