Rreziku që vjen nga Koreja Veriore

Rreziku që vjen nga Koreja Veriore
  • 13 December 2017 - 12:01

TESTIMI I RAKETAVE BALISTIKE 

SHBA-ja duhet t'i forcojë aftësitë e saj mbrojtëse nëpërmes bashkëpunimit me Korenë Jugore dhe Japoninë 

Shkruan: JOSEPH S. NYE

Koreja Veriore tash vonë testoi raketën e saj balistike Hwasong-15, duke arritur një lartësi prej 4,475 kilometrash, gjatë fluturimit të saj 53-minutësh. Duke përdorur një trajektore të sheshtë, regjimi i Kim JongUn-it e fiton aftësinë e goditjes së bregut lindor të SHBA-së. Edhe pse ende nuk e ka demonstruar një mbijetesë në kushtet e fërkimit atmosferik, Koreja Veriore ka bërë me dije se ka përvetësuar aftësinë e sulmeve bërthamore dhe është bërë një shtet bërthamor në kuptimin e plotë të fjalës. 

Kim mund të jetë një diktator i egër

Sikur edhe presidentët e tjerë amerikanë, Donald Trump ka deklaruar se kjo gjendje është e patolerueshme. E, tani çka? Ka rëndësi që të prezantohen ca mite, të cilat pengojnë një analizë të qartë. Së pari, Kim mund të jetë një diktator i egër, por ai nuk është i çmendur e as nuk ka sjelle vetëvrasëse. Deri më tani, ai ka mundur HBAnë në këtë lojë të rreziqeve të larta, por ai e di se një këmbim bërthamor me SHBA-në nënkupton fundin e regjimit të tij. Së dyti, SHBA-ja ka shkelur në kurthin e Kimit, rreth fuqisë së vërtetë të raketave të Kimit. Fundja, Koreja Veriore ka më shumë se katër dekada që posedon armë bërthamore, të cilat mund të dërgohen deri në SHBA, në pjesën lindore apo veriore. Së treti, në këtë lojë blofesh, gjeografia ia ofron Koresë Veriore një dominim të një eskalimi lokal. Me mijëra gypa të artilerisë të fshehur në tunele afër kufirit, Koreja veriore mund të shkaktojë kasaphanë në Seul, me mjete konvencionale. SHBA-ja e kuptoi këtë në vitin 1994 - shumë kohë para se Koreja Veriore ta kishte një armë bërthamore - kur planifikonte një sulm parandalues për shkatërrimin e fabrikës për përpunimin e plutoniumit në Jongbion të Koresë Veriore, por pa se aleatët e saj në Korenë Jugore dhe Japoni ishin të rrezikuar nga hakmarrja me mjete konvencionale. Në aspektin e politikës, Kina ka propozuar "një ngrirje për një ngrirje", si metodë për t'i kontrolluar ambiciet bërthamore të veriut. Koreja Veriore do të ndalte të gjitha testet bërthamore he raketore; derisa një gjë e tillë nuk do ta zhbënte statusin bërthamor të Koresë Veriore, ajo do ta ngadalësonte zhvillimin e arsenalit të saj. Në këmbim, SHBA-ja do të ndërpriste stërvitjet e përvjetshme ushtarake me Korenë e Jugut. Disa e shohin këtë si një marrëveshje të mirë, por ajo varet nga mënyra e vlerësimit të objektivave të Kimit. Nëse tërë ajo që ai dëshiron është siguria, ne mund ta lëmë atë, ndoshta ta nënshkruajmë një marrëveshje paqësore, do t'i zbusnim sanksionet dhe do të lenim që rritja ekonomike ta ndryshojë regjimin me kalimin e kohës, sikur në Kinë. Por, Koreja Veriore nën dinastinë Kim nuk është fuqi status quo. Që nga viti 1945, ky shtet ishte një çudi më vete: një diktaturë e trashëgueshme komuniste, legjitimiteti i të cilës qëndron te pretendimi se ajo ruan nacionalizmin korean. Deri më tani, ajo ka mbetur prapa në garën ekonomike me Jugun, por shpreson se statusi i saj bërthamor do ta ndryshojë këtë balancë.

Sanksionet nuk ndihmuan shumë

Sikur që Sung-Yoon Lee nga Universiteti Tufts tërhoqi vërejtjen tash vonë, "për Veriun, rrezikimi i SHBA-së është një mjet i panegociueshëm i ushtrimit të dominimit mbi Seulin. Kështu regjimi i Kim Jong-Unit përpiqet që ta sigurojë mbijetesën afatgjate të tij". Opsionet politike të SHBA-së janë të limituara. Njëri është përdorimi i limituar i forcës. Lejtënant gjenerali H. R. McMaster, këshilltari i Sigurisë kombëtare të Trump'it, është cituar në disa raste duke thënë se, një luftë parandaluese mund të jetë e nevojshme, nëse dështon diplomacia. Por, edhe nëse ai sulm do të dizajnohej si i kufizuar, a do të mbetej ai i tillë në çdo rrethanë? Nëse jo, atëherë viktimat mund të sillen nga dhjetëra mijëra, e deri në numra edhe më të mëdhenj. Sanksionet vazhdojnë që të jenë një opsion, por deri më tani ato nuk kanë krijuar një presion të mjaftueshëm, për ta bërë regjimin e Kimit që të heqë dorë nga ajo që ai konsideron aset strategjik të tij. Në anën tjetër, Kina nuk e do Kimin, por nuk dëshiron as kaos e as nuk i do amerikanët në kufirin e saj. Një pako e mundshme do të mund të jetë diçka e ngjashme me "GRIT"-in e Luftës së Ftohtë: SHBA-ja siguron Kinën rreth qëllimeve të saj të kufizuara dhe pajtohet që t'i koordinojë veprimet e veta me ato kineze. Në këmbim, Kina përdor presionin e saj ekonomik dhe diplomatik për të ngrirë rrezikun imediat që del nga testet e Koresë veriore, por nuk insiston në një 'ngrirje' të forcave amerikane. Një tërheqje e mundshme nga stërvitjet e SHBA-së në të ardhmen, do të varet nga sjellja e Koresë Veriore ndaj Koresë Jugore. SHBA-ja do të propozonte negociata për arritjen e një marrëveshjeje paqësore, pasi Koreja Veriore ta pranonte një "détente" me Korenë Jugore. SHBA-ja dhe Kina do ta pranonin de facto statusin bërthamor të Koresë Veriore, por së bashku do të riafirmonin qëllimin e tyre afatgjatë për një gadishull korean pa armë bërthamore. Perspektivat e një pakoje të tillë, të përqendruar te Kina, nuk janë të larta, por nëse ajo dështon, SHBA-ja nuk duhet të bëjë panik. Nëse asaj i kishte shkuar për dore ndalja e një BRSS-je shumë më të fortë nga marrja e Berlinit perëndimor të izoluar për tri dekada, ajo mund ta ndalë edhe Korenë Veriore. SHBAja duhet t'i forcojë aftësitë e saj mbrojtëse nëpërmes bashkëpunimit me Korenë Jugore dhe Japoninë. Prezenca e rreth 50,000 trupave amerikane në Japoni dhe rreth 28,000 në Korenë Jugore, e bën më të besueshme një përmbajtje të zgjatur. Kim nuk mund t'i vrasë koreanët e jugut apo japonezët, pa vrarë edhe amerikanë dhe, ai e di se, një gjë e tillë, do ta shënonte fundin e regjimit të tij. 

Joseph S. Nye, Jr. është profesor në Universitetin e Harvardit)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot" 

 

(Kosova Sot)