Brexit rikthen problemin irlandez

Brexit rikthen problemin irlandez
  • 15 December 2017 - 09:38

Shkruan: Anne Applebaum

"Telashet" e Irlandës Veriore - që në fakt, ishin një Luftë e vërtetë civile, e intensitetit të ulët - zgjatën 30 vjet. Gjatë asaj periudhe, më shumë se 3,600 njerëz vdiqën nga bombat në vetura, nga dhuna në rrugë, apo nga përleshjet midis paramilitarëve katolikë, që donin bashkimin me Republikën irlandeze dhe paramilitarëve protestantë unionistë, të cilët donin që Irlanda veriore të mbetej në Britani. Problemi dukej i pazgjidhshëm pikërisht pse ishte kaq 'bardh e zi'. Katolikët kundër protestantëve, Irlanda e bashkuar kundruall Mbretërisë së Bashkuar: dukej se nuk kishte vend për kompromis. Por, kur në vitin 1998 u arrit marrëveshja e Të premtes së mirë, u gjet kompromisi. Transferimi i pushtetit nga Londra në Belfast, ndihmoi në këtë drejtim. Por, ndihmë ofroi edhe BE-ja. Meqë si Britania, po ashtu edhe Irlanda ishin anëtare të BE-së, nuk kishte nevojë për kufi midis tyre. Meqë BE-ja kishte harmonizuar rregullat, tregtia zhvillohej pa probleme. Banorët e Belfastit që donin të ishin irlandezë, mund të merrnin pasaporta irlandeze. Me mijëra të tillë e bënë një gjë të tillë, duke përfshirë edhe protestantët. Pasi u arrit marrëveshja për ndarjen e tij, sovraniteti pushoi së qeni burim i konflikteve.

Zhvendosja e kufirit

Në fakt, beteja për ndikim nuk u zhduk. Por, dhuna u transformua në diçka tjetër: në një lëmsh burokratik, në një diskutim të pafundmë, në një zënkë rreth ndarjes së pushtetit. Me kalimin e kohës, tërë problemi i Irlandës Veriore u bë... i mërzitshëm. Por, kjo ishte shumë më mirë sesa dhuna. Por, kjo po ashtu nënkuptonte që politika e Irlandës së Veriut nuk gjendej më në faqet e para të shtypit në Londër, duke kaluar në librat e historisë dhe në shfaqjet teatrore. Gjatë kampanjës për referendum Brexit, kjo çështje thuajse nuk u përmend aspak. Menjëherë pas referendumit puna më qiti në Belfast. "Krejt na kanë harruar", më tha dikush. Këtë javë, atyre iu desh doemos që t'i kujtonin, meqë vendimi i Britanisë për të dalë nga BE-ja, ka potencialin e tërheqjes së Irlandës veriore jashtë gjendjes së tashme të identiteteve 'të turbullta' dhe kthimit të saj te identitetet bardh e zi. Problemi më i rëndësishëm duket sikur çështje teknike: nëse Britania largohet jo vetëm nga institucionet politike të BE-së (gjë që është e sigurt), por edhe nga unioni doganor (gjë që është opsionale edhe pse mbështetësit e Brexitit janë duke u angazhuar për një gjë të tillë), atëherë duhet të ketë një kufi doganor midis Britanisë dhe Irlandës. Ai kufi ose mund të kalojë përmes ishullit irlandez, duke e ndarë atë përsëri në dysh, apo ai mund të shtrihet në Detin irlandez, midis ishullit të Irlandës dhe Britanisë. Ndërtimi i një kufiri nëpër ishull nuk është vetëm jo i pëlqyer, por me gjasë edhe i pamundur. Ekzistojnë me qindra rrugë dhe vijash përgjatë kufirit, pa përmendur këtu fushat dhe malet. Shanset që pikat kufitare të injorohen, anashkalohen, vandalizohen, apo edhe më keq, janë të larta; nuk mund të përjashtohet as mundësia që kufiri i rivendosur të ndikojë në ngjalljen e Armatës republikane irlandeze (IRA). Kryeministrja britanike Theresa May, mori një udhë tjetër: Ndoshta Irlanda veriore dhe Republika e Irlandës mund ta mbajnë një 'rreshtim të rregullt', në shprehje interesante e cila mund të nënkuptojë që Irlanda e veriut mbetet në union doganor me Irlandën, derisa pjesa tjetër e Britanisë shkon në një drejtim tjetër. Me fjalë të tjera, kufiri do të mund të zhvendosej në Detin irlandez.

Zënka politike për pushtet

 Cili është rezultati i kësaj? Parterët e koalicionit të May-it, Unionistët demokratikë, u revoltuan. Papritmas, te ta rilindi frika nga humbja e sovranitetit. Lideri i tyre nuk mund të ishte më i qartë: "Ne nuk pranojmë asnjë formë të divergjencës rregullatore, e cila ndan ekonomikisht apo politikisht Irlandën veriore nga pjesa tjetër e Britanisë". Zgjidhja, e cila u paraqit me pompozitet të premten ishte - dhe po kjo është shprehja teknike që përdoret nga ekspertët - një "gënjeshtër". Ajo ishte një marrëveshje, për një marrëveshje të mëvonshme, për të biseduar për të pas disa vjetësh, kur të jenë të më qarta elementet e tjera të raportit midis BEsë dhe Britanisë. Ende ka mundësi që Irlanda Veriore ta marrë ndonjë status special, sikur që ka mundësi që qeveria britanike, nën këtë kryeministër, apo ndonjë tjetër, të mbetet brenda unionit doganor. Kjo zënkë ishte ndrydhur nën gjuhën burokratike të BE-së, të cilën çdokush preferon ta urrejë. Por, ajo solli një pauzë të shkurtër në konfliktet të cilat mund të kthehen në jetë kur të hiqet mbështjellësi i butë i ligjit BE-së nga Britania. Kjo po ashtu rikujton edhe atë se sa kishte arritur Evropa e bashkuar, me procedurat e saj të mërzitshme të konsensusit, në vet Britaninë, një vend i cili asnjëherë nuk e pranoi këtë mënyrë të bërjes së gjërave. Natyrisht, ka edhe pengesa ndaj atij lloji të sovranitetit të përbashkët që kërkohet nga BE-ja. Në Irlandën Veriore, të dyja palët duhet të heqin dorë nga diçka. Zënka politike për pushtet, jo vetëm përgjatë kufirit irlandez, por edhe përgjatë kufirit francezgjerman, hungarez-rumun dhe shumë të tjerëve, po ashtu është e pakënaqshme, mirëpo askush nuk vdes.

(Kosova Sot)