Kampanja e dështuar e rrenave, e Qeverisë hungareze

Kampanja e dështuar e rrenave, e Qeverisë hungareze
  • 16 December 2017 - 10:42

Shkruan: George Soros 

PLANI IM PËR MIGRIMIN E MYSLIMANËVE NË EVROPË

Vendimet se si të adresohet kriza e imigracionit merren nga shtetet anëtare të BE-së

Qeveria do të donte që ju të besonit se unë jam armik i popullit hungarez. Asgjë nuk mund të jetë më larg së vërtetës. Fondacionin e parë bamirës e hapa në Hungari, në vitin 1984, derisa vendi ende ishte nën dominimin e BRSS-së. Që nga atëherë, ky fondacion ka ofruar më shumë se 400 milionë dollarë për ta forcuar dhe mbështetur vendin tim të lindjes

Në tetor, Qeveria e Hungarisë iu dërgoi pyetësorë të gjithave, 4 milionë, amvisërive të vendit, duke i pyetur për pikëpamjen e tyre në lidhje me shtatë deklarata, që përshkruanin planin tim të supozuar për ta vërshuar Evropën, e sidomos Hungarinë, me imigrantë dhe refugjatë myslimanë. Qeveria kishte bërë shtatë vlerësime rreth asaj që ajo e quan "Plani Soros". Të gjitha këto vlerësime i kam hedh mer poshtë në deklaratat e mia të bëra publike. Tani, Qeveria ka publikuar gjoja rezultatet e "konsultimit nacional" rreth planit tim fantazmë, duke thënë se ky kishte qenë një sukses i paprecedent. Ia lë publikut hungarez që të vendosë se deri në ç'masë shifra prej 2,301,463 pjesëmarrësish (nga një popullsi e përgjithshme prej 9.8 milionë banorësh) ishte fryrë. Do të duhej që të ishte e mundur të inspektohej lista e atyre që morën pjesë, për të parë se a kishin marrë ata pjesë me të vërtetë. Me të vërtetë dua që të përqendrohem te substanca e kampanjës. Konsultimet nacionale dhe publikimi i rezultateve janë elementet e fundit të një propagande masive aktuale, të financuar nga taksapaguesit hungarezë, me qëllim që të përfitojë një qeveri thellësisht e korruptuar, që tenton ta largojë vëmendjen nga dështimi i plotësimit të aspiratave legjitime të hungarezëve, sidomos në edukim dhe shëndetësi. Kampanja filloi në verë, duke vërshuar hapësirat publike me pllakate, ku shihesha unë duke qeshur, me fjalët: "Mos lejoni që Soros të qeshet i fundit". Në pllakate të tjera më kishin paraqitur si kryemjeshtër të politikanëve të opozitës. Sikur që kanë theksuar tanimë shumë vetë, e tërë kampanja përmban aromën e antisemitizmit.

Shoqëria e hapur bazohet te ideja

Qeveria do të donte që ju të besonit se unë jam armik i popullit hungarez. Asgjë nuk mund të jetë më larg së vërtetës. Fondacionin e parë bamirës e hapa në Hungari, në vitin 1984, derisa vendi ende ishte nën dominimin e BRSS-së. Që nga atëherë, ky fondacion ka ofruar më shumë se 400 milionë dollarë për ta forcuar dhe mbështetur vendin tim të lindjes. Në vitet 1990, derisa hungarezët e rëndomtë përpëliteshin me tranzicionin nga komunizmi në një ekonomi të tregut, fondacioni financoi qumësht falas për fëmijët e shkollave fillore në Budapest dhe furnizoi aparatet e para të ultrazërit për spitalet hungareze. Më shumë se 3,200 hungarezë kanë marrë bursa akademike nga fondacioni. Shumë prej tyre kanë kompletuar studimet e tyre në Universitetin e Evropës Qendrore (CEU), të cilin e themelova në Budapest, në fillim të viteve 1990. CEU tani klasifikohet në mesin e top 100 universiteteve në botë, në shkencat sociale - që është një e arritur e rëndësishme për një universitet të ri. Një element tjetër i propagandës ishte ndryshimi i domethënies së "Shoqërisë së hapur". Prandaj më lejoni të qartësoj se çka mendoj kur e përdori atë shprehje. Nuk nënkuptoj hapjen e kufijve dhe migrimin masiv, që ka për qëllim shkatërrimin e supozuar të krishterë të Hungarisë, sikur që thotë qeveria. Shoqëria e hapur bazohet te ideja se askush nuk e posedon të vërtetën e fundit dhe se, për të jetuar në paqe së bashku, duhet të respektojmë pakicat dhe mendimet e tyre. Mbi të gjitha, kjo është një shoqëri e bazuar te të menduarit kritik dhe debati energjik rreth politikave publike. Për këtë shkak fondacioni im sot mbështetë grupet e tilla, si Unioni hungarez i të drejtave qytetare dhe Komitetin hungarez të Helsinkit, të cilët mbrojnë dhe promovojnë vlerat dhe parimet mbi të cilat është formuar BE-ja. Qeveria po ashtu pretendon se unë kontrolloj institucionet evropiane në Bruksel dhe se jam duke e përdorë atë kontroll për ta imponuar Planin e poshtër Soros ndaj vendeve anëtare të BE-së. Këto janë broçkulla. Vendimet se si të adresohet kriza e imigracionit, merren nga shtetet anëtare të BE-së, duke përfshirë edhe qeverinë hungareze. Nëse thuhet ndryshe, atëherë ofendon inteligjencën e popullit hungarez. Për herë të parë kam publikuar idetë e mia rreth krizës së refugjatëve në shtator të vitit 2015, dhe ato i kam ndryshuar kohë pas kohe, sikur që kanë ndryshuar edhe faktet në terren. Në vitin 2015, kam vlerësuar se bota e zhvilluar duhet të jetë në gjendje që të pranojë, të paktën, një milion refugjatë në vit; më pas e kam zvogëluar këtë shifër globale në 500.000, ku nga kjo shifër kisha sugjeruar që Evropa të merrte 300,000 sish. 

Plagët e së kaluarës

Parimi im udhëheqës është se alokimi i refugjatëve brenda BE-së duhet të jetë tërësisht vullnetar. Shtetet anëtare nuk duhet të detyrohen të pranojnë refugjatët, të cilët nuk i duan dhe refugjatët nuk duhet që të detyrohen që të vendosen në vendet ku ata nuk janë të dëshiruar. mVendet anëtare që refuzojnë pranimin e refugjatëve, mund të bëjnë një kontribut adekuat në shumë mënyra tjera, por kriza e refugjatëve është problem evropian, prandaj ka nevojë për zgjidhje evropiane. Fatkeqësisht, BE-ja nuk i miratoi idetë e mia dhe, atmosfera toksike e krijuar nga Hungaria (dhe Polonia), ka zvogëluar kapacitetin evropian për të pranuar dhe integruar refugjatë. Nuk i fajësoj Qeverinë e Hungarisë dhe atë të Polonisë që kanë refuzuar të pranonin refugjatët, të cilët nuk i donin, por i konsideroj ato përgjegjëse për rrezikimin e një zgjidhjeje evropiane. Më kujtohet çka kishte ndodhur gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur një grup tjetër ishte viktimizuar për problemet e Evropës. Plagët e së kaluarës kanë lënë vragë të thella, të cilat ende nuk janë shëruar, por që janë rihapur sërish. Qëllimi i vërtetë i kampanjës qeveritare për propagandë është mbjellja e frikës dhe urrejtjes te populli hungarez, duke i bërë ata indiferentë ndaj vuajtjeve të të tjerëve. Kam kënaqësinë që të deklaroj se kampanja propagandistike e Qeverisë hungareze ka dështuar në tërësi. Fjalimi im i shkurtër në TVnë hungareze joshi më shumë se 1 milion shikues dhe, platformat e mediave sociale ishin vërshuar me shprehje të simpatisë dhe mbështetjes. Kjo më inkurajon tej mase. Përbetohem që vitet e mbetura të jetës sime, t'ia përkushtoj mendimit të lirë dhe shprehjen e lirë, lirisë akademike dhe mbrojtjes së të drejtave dhe opinionit të minoriteteve, jo vetëm në vendlindjen time, Hungari, por kudo në botë. 

George Soros, kryesues i Menaxhmentit të fondit 'Soros' dhe i Fondacioneve 'Open Society', është autor i librit "The Tragedy of the European Union: Disintegration or Revival?" Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)