A mundet Evropa ta mbështetë momentin e Macron-it?

A mundet Evropa ta mbështetë momentin e Macron-it?
  • 18 December 2017 - 12:07

Shkruan:CARL BILDT

DERISA JEMI DUKE IU AFRUAR VITIT 2018

Macron është duke pritur me ankth formimin e një qeverie të re në Berlin

Perspektiva politike dhe ekonomike e BE-së u përmirësua ndjeshëm në vitin 2017, pas një viti, gjatë të cilit blloku përjetoi referendumin Brexit dhe zgjedhjen e presidentit Trump

Në fillim të vitit 2017, ishin të shumtë ata që kishin frikë se projekti evropian do të përjetonte ndoshta një thyerje totale brenda vitit të ardhshëm. Britania ka vendosur që të dalë nga BE-ja, SHBA-ja zgjodhi një president, i cili kishte mbështetur Brexiterët dhe forcat populiste në zgjedhjet franceze dhe gjermane paraqisnin një rrezik të qartë ndaj integrimit evropian. Por, derisa jemi duke iu afruar vitit 2018, gjendja është shumë e ndryshme. Projekti evropian jo vetëm që mbijetoi, por ai mund ta fitojë edhe një moment të ri. Të paktën brenda flluskës së institucioneve të BE-së në Bruksel, mund të shihet një besim i rigjetur. Më shumë se kushdo tjetër, presidenti francez Emmanuel Macron gjendet në qendër të kësaj kthese. Fjalimi i tij i mbajtur në maj, pas fitores në zgjedhje, ishte shoqëruar nga himni i BEsë, vepra e Beethovenit "Himni i gëzimit" - një gjest i fuqishëm simbolik. Që nga atëherë, Macron ka lansuar apo propozuar një iniciativë pas tjetrës, me qëllim të forcimit të institucioneve të BE-së, derisa mori rolin udhëheqës në politikën e jashtme të Evropës. Derisa kancelarja gjermane Angela Merkel përpiqet që ta formojë një qeveri pas zgjedhjeve të përgjithshme të shtatorit, të gjithë sytë tani janë të drejtuar kah Macroni.

Gjermanët tani e konsiderojnë Trumpin si një rrezik më të madh ndaj interesave të tyre

Ndryshimi i disponimit në Evropë gjatë vitit të kaluar është ndikuar nga tre faktorë, në veçanti. I pari është Brexiti, i cili pa dyshim se është duke shkaktuar probleme për britanikët dhe, si rrjedhim, është duke bërë që shumë evropianë të fillojnë të kuptojnë se sa shumë janë të ndërlidhura ekonomitë dhe shoqëritë e tyre. Dikur një vend i lavdishëm, Britania sot është një shtet në agoni politike, derisa përpiqet që të zgjidhë problemet politike, ekonomike dhe logjistike, të shkaktuara nga vendimi për të dalë nga BE-ja. Faktori i dytë është Donald Trump, administrata e të cilit gëzon një mbështetje më të ulët në Evropë sesa ndonjë administratë tjetër, përgjatë historisë. Sipas një ankete të bërë tash vonë, gjermanët tani e konsiderojnë Trumpin si një rrezik më të madh ndaj interesave të tyre në botë, sesa presidentin rus, Vladimir Putin, apo diktatorin e Koresë Veriore, Kim Jong-un. Përgjatë vitit të kaluar, liderët evropianë kanë pranuar se Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për çështjet e veta. Pas një takimi të ndërlikuar me Trumpin gjatë samitit të G7-tës në Itali, në muajin maj, Merkel shprehu një ndjenjë të cilën tani e ndajnë shumë liderë të tjerë evropianë: "Ne evropianët duhet të luftojmë për të ardhmen dhe fatin tonë", deklaroi ajo, duke shtuar "Ne evropianët duhet ta marrim fatin në duart tona". Faktori i tretë është Rusia e Putinit, e cila ka vazhduar që të përzihet në zgjedhjet e Perëndimit dhe të veprojë me agresivitet në Ukrainë. Thënë këtë, "efekti BTP" - Brexit, Trump, Putin - i ka bindur edhe evropianët më skeptikë rreth domosdoshmërisë së bashkëpunimit në nivel të BE-së. Por, përkundër ndikimit të efektit BTP, Evropa ka një rritje më të fuqishme ekonomike. Ditët e errëta të krizës së euros kanë filluar që të harrohen, sikur edhe kriza e refugjatëve, e fundit të vitit 2015, e cila ka shkaktuar efekt politik te Gjermania, Suedia dhe te vendet e tjera. Edhe pse detyra e madhe e thellimit të integrimit të BEsë mbetet e papërfunduar, rrethanat politike dhe ekonomike në këtë drejtim janë përmirësuar. 

Nuk ka vend për vetëkë- naqësi

Në të njëjtën kohë, BE-ja papritmas është paraqitur si ruajtëse e rendit liberal botëror. Në shtator ka hyrë në fuqi Marrëveshja përfshirëse ekonomike dhe e tregtisë (CETA) midis BE-së dhe Kanadasë. Dhe, që atëherë, BE-ja gjendet më afër finalizimit të një marrëveshjeje edhe më të rëndësishme tregtare me Japoninë dhe, ndaras, me vendet themeluese të "Mercosur" - Argjentinën, Brazilin, Paraguain dhe Uruguain. Britania mund të jetë duke u larguar, por pjesa tjetër e botës duket se pret në rend për të bërë marrëveshje me BEnë. Megjithatë, nuk ka vend për vetëkë- naqësi. Përkundër shumë zhvillimeve pozitive, qeverisja është duke u bërë më e komplikuar brenda disa vendeve evropiane, për shkak të një terreni gjithnjë e më të fragmentuar politik. Në Gjermani, formimi i një qeverie të re pas mbajtjes së zgjedhjeve, dikur ishte çështje e lehtë dhe e shpejtë. Por, tani vendi mund të jetë nën një qeveri të përkohshme deri në muajin mars, me pak qartësi rreth asaj se çfarë qeverisje do të ketë. Në ndërkohë, Gjermania zor se mund ta luajë rolin e saj si spirancë evropiane e stabilitetit. Në vendet danubiane, Hungari, Austri dhe Bavari, nacionalizmi është në rritje e sipër. Edhe në Itali janë të paktë ata që do ta merrnin guximin për të ofruar ndonjë parashikim solid rreth asaj se çka do të ndodhë në zgjedhjet e ardhme të përgjithshme, të cilat duhet të mbahen para 20 majit të vitit 2018. Për më tepër, evropianët nuk mund të mbështeten përgjithmonë te normat e ulëta të interesit, të cilat kanë kontribuuar për rimëkëmbjen aktuale. BE-ja do të duhet të angazhohet më shumë për të bërë reforma strukturore, sesa që ka bërë deri më tani. Edhe pse Spanja e ka ringjallë ekonominë e saj me reforma të rëndësishme dhe Macron ka trajtuar kodin famëkeq 'bizantin' të punës në Francë, BE-ja ende është duke pasur probleme në shumë fronte. Për shembull, përkundër përpjekjeve heroike të Estonisë për ta krijuar një agjendë të reformës digjitale gjatë presidencës së saj në Këshillin e BEsë, në këtë fushë ende ka mbetur shumë për t'u bërë. Vitin e ardhshëm do të ofrohet shansi i fundit për të bërë reforma në nivel të BE-së, para se të fillojë një vit fatkeq i llogaridhënieve. Në mars të vitit 2019, Britania do të dalë nga BEja, me apo pa një marrëveshje të divorcit. Më pas, në maj do të mbahen zgjedhjet për Parlamentin evropian dhe do të caktohen liderë të rinj për institucionet qendrore të BE-së. Para se ta marrim vesh, do të marrë fund presidenca e Jean-Claude Junckerit mbi Komisionin Evropian. Macron është duke pritur me ankth formimin e një qeverie të re në Berlin. Ashtu sikur që qëndrojnë gjërat, është larg të qenit e qartë se a do të mbështetet agjenda e tij për reforma në BE edhe nga ana e koalicionit të ri qeverisës në Gjermani. Dhe, çdo ditë e më shumë, Komisioni Evropian do të mbetet pa kohë për të ndjekur ndonjë iniciativë të re, e cila do të mund të finalizohej para vitit 2019. Pra edhe nëse errësira dhe sikleti i vitit 2016 mund të kenë kaluar, ato mund të kthehen shumë lehtë. Nëse dëshirohet mbështetja e momentit të krijuar nga fitorja e Macronit në Francë dhe realizimi i premtimeve të tij, do të kërkojë veprime vendimtare gjatë muajve në vijim.

(Carl Bildt është kryesues i Komisionit global për qeverisje me anë të internetit dhe anëtar i Këshillit të agjendës globale për Evropën, i Forumit ekonomik botëror) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)