Nxjerrja e maksimumit nga Marrëveshja Brexit

Nxjerrja e maksimumit nga Marrëveshja Brexit
  • 21 December 2017 - 09:01

Shkruan: JEAN PISANI-FERRY

Më 8 dhjetor, Britania e Madhe dhe 27 vendet anëtare të BE-së, arritën marrëveshje rreth disa aspekteve kyçe të marrëveshjes së shkurorëzimit Brexit, duke i hapur udhë vendimit, të marrë më 15 dhjetor, për hapjen e një kapitulli të ri të negociatave, të përqendruara te adresimi i marrëdhënieve të mëtejme midis Britanisë dhe BE-së. Ky është një lajm i mirë, meqë eviton skenarin më të keq të mundshëm: një Brexit të vështirë. Por, ajo që kemi përpara, është edhe më sfiduese. Ka kohë që duket se Evropa do të hyjë kuturu në një Brexit të vështirë. Në kohën kur Partia konservatore (në pushtet) britanike është thellësisht e ndarë, si dhe kur BE-ja nuk duket e gatshme që të veprojë me strategji, gjasat për një skenar pa marrëveshje janë tepër të larta. Megjithatë, në fund, Britania bëri ca lëshime kritike, të cilat ua mundësuan negociatorëve që të lëviznin përpara. Ajo pranoi që të paguante më shumë ndaj partnerëve të BE-së, sesa që kishte pretenduar në fillim. Dhe, ajo u përkushtua për evitimin e vënies së një kufiri të fortë midis Irlandës veriore dhe Republikës së Irlandës, edhe derisa Irlanda veriore mban qasjen e plotë në tregun britanik.

Shërbimi shëndetësor nacional i Britanisë

Marrëveshja është një pilulë e hidhur për t'u gëlltitur për ata që kanë bërë kampanjë për Brexit në emër të kursimit të parave për Shërbimin shëndetësor nacional të Britanisë. Ata do ta kenë të vështirë t'iu thonë votuesve se, caktimi i përkushtimeve ekzistuese ndaj BE-së do t'i kushtojë çdo britaniku të rritur nga 1,000 euro, në mos më shumë. Dhe, leninistët e ditëve të fundit, të cilët e shihnin Brexitin si mënyrë të kompletimit të agjendës politike të filluar nga kryeministrja Margaret Thatcher, do ta kenë të vështirë që ta përshtatin vizionin e tyre të një Britanie të derregulluar, me vazhdimin e rreshtimit të sistemit rregullator të Irlandës së veriut me atë të BE-së. Por, është fakt që një Brexit i vështirë do t'iu kushtonte më shumë si Britanisë, po ashtu edhe BEsë, në aspektin e vendeve të punës dhe prosperitetit. Edhe vetëm rreziku nga një rezultat i tillë kishte filluar të shkaktonte dëm, meqë kompanitë private kishin vënë investimet 'në pritje'. Pasojat politike të një Brexiti të vështirë do të ishin po ashtu tepër të dëmshme. Si Britania, po ashtu edhe BEja do ta humbnin një ndikim të madh global në një moment kur një administratë e çoroditur e SHBA-së është duke u përpjekur që ta rrëzojë rendin ekzistues ndërkombëtar, derisa lidershipi kinez ka filluar që ta përdorë këtë, për dobinë e vet. Sikur Britania të mos kishte vepruar për ta evituar një skenar të këtillë, ajo do të ishte humbësja më e madhe, sidomos sikur të kishte mbetur e varur nga një sistem i trandur i tregtisë multilaterale, për ta siguruar qasjen në tregjet e huaja. Sido që të jetë, meqë gjeografia ka rëndësi, BE-ja do të mbetet tregu kryesor i Britanisë. Dhe, meqë madhësia ka rëndësi, Britania do të vazhdojë që të varet nga rregullat e BE-së, sidomos sa iu përket shërbimeve.

Raportet Britani- BE, pa vision

 Por, evitimi i një Brexiti të vështirë është vetëm hapi i parë. Tani shtrohet pyetja se çfarë marrëdhënies bilaterale mund ta arrijnë dy palët. Dhe, përgjigjja në këtë pyetje nuk është aspak e qartë. Në anën britanike, mungesa e një vizioni të qëndrueshëm për të ardhmen e raportit midis Britanisë dhe BE-së, është tronditës. Fjalimi i kryeministres Theresa May në Firence, në fillim të shtatorit, mbetet afrimi më i madh ndaj një oferte, por ai la shumë çështje pa shpjegim të qartë. Dhe, sikur që u nënvizua nga mposhtja legjislative e May-it në Dhomën e përfaqësuesve më 13 dhjetor, qeveria britanike mbetet tepër e ndarë, për ta arritur një agjendë të përbashkët Brexit. As nga ana e BE-së nuk ka kushedi çfarë vizioni. Me marrëveshjen më të re, Michel Barnier, negociatori kryesor i BEsë, shënoi një fitore taktike. Por, modeli i një partneriteti të ardhshëm ende nuk shihet askund. Udhëzimet për negociatat Brexit, të publikuara prillin e kaluar nga krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së, dështuan që ta ofronin një gjë të tillë. Në vend të kësaj, ato ofruan vija të kuqe, duke theksuar "pamundësinë e ndarjes" së "katër lirive" - lëvizjes së lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe punës - të cilat mbështesin tregun e përbashkët të Evropës. As deklarata e 15 dhjetorit nuk shkon më tej. Tani për tani, qëndrimi negociues i BE-së vazhdon që të ndikohet kryesisht nga frika se, në rast të arritjes së një marrëveshjeje të favorshme, kjo do t'i shtyjë edhe vendet e tjera ta pasojnë veprimin e Britanisë. Përtej këtij qëndrimi defensiv mungesa e konsensusit politik ka rezultuar me një preferencë për status quo-n.Në një dokument të vitit 2016, unë dhe kolegët e mi thoshim se BE-ja duhet ta shikojë Britaninë si mundësi për përcaktimin e një modeli të ri të partneritetit për vendet që duan lidhje më të forta ekonomike dhe të sigurisë, pa integrim politik. Ne më tej thoshim se, në një kohë kur momenti i zgjerimit ishte shteruar, BE-ja duhet të punonte në diversifikimin e raportit me fqinjët e saj. Ne propozuam ndërtimin e një "partneriteti kontinental", i cili do të përfshinte një integrim të thellë ekonomik, të bazuar te një kornizë e përbashkët, me BE-në, Britaninë dhe, mundësisht, me vendet e tjera që pranojnë lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, por jo të punës. Ne po ashtu u deklaruam në favor të një procesi permanent të konsultimeve politike, i cili do t'ia jepte Britanisë një zë, por jo një votë, në krijimin e legjislacionit ekonomik evropian.

Tregu i integruar

Në qarqet zyrtare të BE-së, ky dokument ishte pranuar me ftohtësi, ku kritikët përqeshnin ndarjen e katër lirive. Por, mbetet fakti që, derisa një treg i integruar për mallra dhe shërbime kërkon një shkallë të lëvizjes së punës, ai nuk imponon që të gjithë njerëzit ta kenë të drejtën e kalimit të kufijve për të kërkuar punë në vendin e tyre të preferuar. Pretendimi se ai e bën një gjë të tillë, dmth të përzihen të drejtat e qytetarëve me domosdoshmëritë ekonomike. Kjo paraqet një politikë të dyshimtë dhe një ekonomi të keqe. Kritikët tonë po ashtu nuk pajtoheshin me parashikimin e një marrëveshjeje më afatgjatë, para se të caktoheshin detajet e "divorcit". Por, ky kapitull tani po mbyllet, dmth se ka ardhur koha që BE-ja të mendojë jashtë kutisë dhe t'ia bëjë Britanisë një ofertë ambicioze. Çdo marrëveshje sensibile midis BE-së dhe Britanisë është e prirë që të rezultojë që kjo e fundit ta humbë një sasi të madhe të ndikimit të cilin e ka aktualisht në lidhje me çështjet evropiane - një rezultat i cili do ta zvogëlojë gatishmërinë për ta ndjekur këtë model. Por, edhe nëse ndonjë vend anë- tar aktual i BE-së vendosë se do ta kishte më mirë jashtë 'rrethit të brendshëm' të BE-së, ky nuk do të ishte fundi i botës. E, as nuk është arsye për ta mbajtur status quo-n.

(Jean Pisani-Ferry është profesor në Shkollën e qeverisjes "Hertie" në Berlin dhe në "Sciences Po" në Paris)
Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për Project Syndicate, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"

(Kosova Sot)