Papunësia, shqetësuese te të rinjtë në Kosovë

Papunësia, shqetësuese te të rinjtë në Kosovë
  • 22 December 2017 - 08:05

SHKRUAN: RENEA CANA

Krahas shumës së pagës minimale, një temë tjetër mjaft e diskutuar në Kosovë është dallimi i kësaj shume mes grupmoshave të ndryshme. Personat nën moshën 35- vjeçare marrin një shumë prej 130 euro, ndërkaq ata mbi këtë moshë marrin mbi 170 euro. Sipas kalkulimeve bazuar në anketën e fuqisë punëtore nga Agjencia e Statistikave e Kosovës, mbi 50% e të rinjve në Kosovë, përkatë- sisht grupmoshës 15 deri 24-vjeçare, janë të papunë. Pjesëmarrja e fuqisë punëtore në Kosovë është 37.6%, një shifër kjo shumë më e ulët krahasuar me ato të Ballkanit Perëndimor (44.1% deri 64.9%), sipas përllogaritjeve të vitit 2015 mbi tregun e punës.

Të rinjtë nuk janë të motivuar të punojnë për paga të ulëta

Është lehtë të mendohet se kjo rrogë e ulët minimale është shkak për papunësinë e të rinjve. Në fakt, faktor dekurajues në fuqinë e re punëtore, janë remitancat e larta. Bazuar në të dhënat nga Banka Qendrore e Kosovës, në Kosovë ato vijnë kryesisht nga Gjermania dhe Zvicra dhe gjithsej janë llogaritur të jenë rreth 600 milionë dollarë për vit. Remitancat luajnë rol shumë të rëndësishëm në aktivitet investuese dhe mirëqenien sociale në përgjithësi. Posaçërisht, kategoria e të rinjve të papunëve, e njohur si të papunët vullnetarë, është e lidhur ngushtë me remitancat. Vlera e lartë e remitancave automatikisht rrit pagën e rezervacionit, dhe si rrjedhojë të rinjtë nuk janë të motivuar të punojnë për paga të ulëta. Kjo kategori është e gatshme të punojë vetëm për rrogë më të lartë se shuma e dërgesave nga jashtë, megjithëse nuk janë të kualifikuar për kaq.

62.4% nuk janë ekonomikisht aktivë

Proporcioni i popullsisë së Kosovës në moshe pune, prej 15 deri 64-vjeçare, është pothuajse dy të tretat dhe pritet të rritet në 10 vitet e ardhshme, duke qenë një ndër vendet me popullsinë më të re në Evropë. Prej tyre, 62.4% nuk janë ekonomikisht aktiv, që nënkupton se ata nuk janë të punësuar, nuk kanë qenë aktiv në kërkim të punësimit gjatë katër javëve të fundit ose nuk janë të gatshëm të fillojnë punë brenda dy javësh. Ndërsa, prej 37.6% së popullsisë ekonomikisht aktive, të papunë janë 32.9%. Të rinjtë në Kosovë kanë dy herë më shumë mundësi të jenë të papunë në krahasim me të rriturit. Në mesin e personave prej 15 deri 24-vjeçare dhe në fuqi punëtore, 57.7% janë të papunë.

Puna praktike duhet te jete me pagesë

Kjo grupmoshë përfaqësohet kryesisht nga studentët, të cilët janë grupi me më së paku përvojë pune në fuqinë punë- tore. Një arsye për këtë papunësi është mungesa e punës praktike dhe mospërputhja e kurrikulumit të arsimit me kërkesat e tregut të punës. Për sa i përket gjinisë, përqindja e femrave të papunë- suara prej 67.2% është më e madhe se ajo e meshkujve prej 54.2%. Nga gjithsej 31.4% e personave të grupmoshës 15- 24-vjeçare, një e treta e tyre nuk janë në punë, shkollim apo trajnim; 34.9% femra dhe 28.3% meshkuj. Si përfundim, kjo gjende mund të përmirësohej nga qeveria, duke bërë reforma në arsim, të cilat do ta përmirësonin kurrikulumin në mënyrë që të përputhet me kërkesat për tregun e punës. Për më tepër, puna praktike duhet te jete me pagesë që të shërbejë si shtysë për këta të rinj për të hyrë në punë.

(Kosova Sot)