Koalicioni djathtist i Austrisë, pikë kthese për Evropën

Koalicioni djathtist i Austrisë, pikë kthese për Evropën
  • 01 January 2018 - 12:35

E ARDHMJA E KONTINENTIT TË VJETËR 

Shkarja e Austrisë kah e djathta vjen në një moment aspak të përshtatshëm

Shkruan: Paul Hockenos

Qeveria e re e Austrisë - një koalicion i Partisë popullore konservatore (OVP) dhe partisë ekstreme djathtiste Partia e Lirisë (FPO) - ka manifestuar besnikërinë e saj ndaj BEsë, duke kundërshtuar kështu refuzimin e kamotshëm të BE-së nga ana e partisë së ekstremit të djathtë, si dhe kërcënimet e mëparshme rreth mbajtjes së referendumit rreth daljes nga BE-ja. Aleanca midis konservatorëve të Austrisë dhe të së djathtës ekstreme, në zemër të Evropës, paraqet një pikë të rëndësishme kthese, derisa kontinenti i ka sytë kah e ardhmja e tij. Në mes të tetorit, Partia popullore fitoi zgjedhjet nacionale në Austri, duke mbajtur një qëndrim të ashpër rreth imigracionit, duke apeluar për shkurtimin e beneficioneve të refugjatëve në Austri, duke sulmuar grupet islamike dhe duke ndalur imigrimin "ilegal". Qëndrimet e saj rreth imigracionit dallonin pak nga ato të Partisë së lirisë, e cila ndërtoi reputacionin e saj mbi pikat e tilla populiste. Ajo zuri vendin e tretë në zgjedhje, me 26% të votave.

Merkel, besnike e qëndrimit

Në qeverinë e re, Partia e Lirisë do t'i ketë gjashtë ministri, duke përfshirë edhe ministrinë e jashtme, të brendshme dhe të mbrojtjes, gjë që ia siguron asaj se do të jetë një partner i fuqishëm në administratën e Partisë popullore. Një komplikim shtesë: Austria do ta mbajë presidencën me radhë të BE-së në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm, kur BE-ja pritet që të bëjë reforma rrënjësore. Konservatorizmi modern evropian, sikur ai i partisë së kancelares gjermane Angela Merkel, Unioni Kristian-demokrat (CDU), paraqet një mburojë qenësore kundër ekstremistëve nacionalistë në tërë Evropën. Fati i tashëm i Evropës gjendet në duart e partive konservatore dhe te vendimi i tyre se a të bashkëpunojnë apo jo me nacionalistët ekstremistë. Konservatorizmi i 'ndriçuar', sikur ai që ekziston në pjesën më të madhe të Evropës perëndimore, ofron për votuesit tradicionalë dhe, shpesh, religjiozë, një opsion të qëndrueshëm politik në demokracitë liberale. Partitë konservatore të Evropës perëndimore, pa marrë parasysh në Suedi, apo Spanjë, janë patriotike dhe krenare me vendin e tyre, por të kuptuarit e kombit nga ana e tyre është i hapur, jo i bazuar te gjenealogjia, apo i mbyllur për jo të krishterët. Ata besojnë bindshëm në një BE të integruar dhe te vlerat kulturore, sikur që janë të drejtat e femrave, të homoseksualëve dhe te diversiteti etnik. CDU-ja e Gjermanisë është një shembull tipik i një partie moderne kristiane demokratike, e cila në mënyrë kategorike ka refuzuar koalicionin me Alternativën për Gjermaninë (AfD) - që është një parti gjermane e ekstremit të djathtë, me qëndrim islamofob. Ajo refuzon edhe bashkimin me djathtistët për miratimin e ligjeve të caktuara. Është evidente se ka një grup votuesish gjermanë që pëlqejnë qëndrimet raciste dhe antiimigrante të AfD-së, e cila i fajëson të huajt dhe refugjatët për krime, terrorizëm dhe keqpërdorim të ndihmave sociale. Por, përkundër kësaj, Merkel, përkundër asaj se ka zvogëluar numrin e refugjatëve që hyjnë në vend, i ka qëndruar besnike qëndrimit se Gjermania do të vazhdojë që të pranojë refugjatë dhe do ta respektojë të drejtën për azil politik. Duke u deklaruar kundër hyrjes në koalicion me partinë AfD, CDU-ja, bashkë me çdo parti tjetër tradicionale të këtij vendi, ka bërë me dije se politikanët nga AfD nuk përkasin në demokracinë liberale, të cilën Gjermania e ka ndërtuar që nga përfundimi i Luftës së dytë botërore. Për dallim nga ky qëndrim i Merkelit, Partia popullore dhe Sebastian Kurz tani do ta udhëheqin një qeveri me Partinë e lirisë. Derisa Kurz do ta mbajë postin e kryeministrit, zëvendës i tij do të jetë Heinz-Christian Strache, kreu i Partisë së lirisë. Strache, i cili si i ri ishte përfshirë në një lëvizje neonaziste, tani refuzon radikalizmin dhe ka përjashtuar anëtarë të partisë, të akuzuar për ekstremizëm, duke përfshirë edhe praktikimin e përshëndetjes naziste, me dorën e ngritur lartë dhe drejt. 

Oportunizmi shkurtpamës i Kurz-it

Sipas kontratës së partive për formimin e koalicionit, planet për ashpërsimin e politikave që kanë të bëjnë me migrimin, do të fillojnë menjëherë që të aplikohen. Me të mbërritur në Austri, autoritetet do t'ua marrin kërkuesve të azilit celularët dhe të gjitha paratë e gatshme, celularin për ta analizuar për qëllime të sigurisë shtetërore, derisa paratë për të paguar mbajtjen e refugjatëve që presin shqyrtimin e kërkesës së tyre për azil. Oportunizmi shkurtpamës i Kurz-it iu jep të djathtës ekstreme dhe ideve të saj joliberale një vulë legjitimiteti, duke ua bërë me dije austriakëve dhe pjesës tjetër të Evropës se, një parti si Partia e Lirisë, ka një vend meritor në demokracinë tonë moderne. Austria nuk është vendi i vetëm që i sheh gjërat në këtë mënyrë. Me një fjalë tjetër, ky është realiteti i ri evropian. Gerald Knaus, drejtor i grupit të ekspertëve të bazuar në Berlin, me emrin Iniciativa e stabilitetit evropian, thotë se Kurz dhe Merkel paraqesin shtyllat e konservatorizmit evropian. "Kur Merkel, në vitin 2015, u ballafaqua me krizën e imigrantëve, iu tha gjermanëve se "ne mund ta menaxhojmë këtë" dhe dizajnoi politika për realizimin e kësaj. Por, Kurz e vlerësoi këtë si rrezik fundamental ndaj kulturës evropiane dhe shteteve perëndimore të mirëqenies sociale. Dhe, tani, ai hyri në një koalicion me një parti e cila ngriti një ndjenjë të fortë të islamofobisë, në një vend i cili nuk ka përjetuar asnjë sulm terrorist islamik". Mënyra sesi Kurz i qaset migrimit, thotë Knaus, është i ngjashëm me atë që është praktikuar më parë nga lideri autokratik i Hungarisë, Victor Orban, e jo nga Merkel. Shkarja e Austrisë kah e djathta vjen në një moment aspak të përshtatshëm, kur Evropa është e sulmuar nga populistët nacionalistë në tërë kontinentin dhe është duke luftuar për mbijetesën e saj. Kjo dërgon një porosi të gabueshme te fqinjët ish-komunistë të Austrisë në Evropën qendrore, sikur që janë Hungaria dhe Polonia, ku regjimet jo liberale tanimë e kanë marrë pushtetin dhe tentojnë ta reformojnë BEnë. Në fakt, kjo atyre iu shkon për dore, duke nënvizuar faktin se vizionet e tyre për një Evropë etnikisht homogjene, mund të bëhet ligj, e jo përjashtim në BE. Liderja ekstremiste e Francës, Marine Le Pen, e kishte kuptuar lidershipin e ri austriak në këtë mënyrë: "Ky është një lajm i mrekullueshëm për Evropën".

(Paul Hockenos është autor i "Berlin Calling: A Story of Anarchy, Music, the Wall and the Birth of the New Berlin") 

(Kosova Sot)