Kultura dhe segmentet e saj të dëmtuara

 Kultura dhe segmentet e saj të dëmtuara
  • 02 January 2018 - 08:58

Për çka do të uronim njëri-tjetrin në festat e fundvitit?

Të ardhura e begati arrijnë vetëm një grup nëpër institucione dhe oligarkët

Dikur ne shqiptarët ankoheshim për mungesën e kuadrove të mira në politikë e administratë. Ankoheshim se janë krejt do pleq e partizanë analfabetë pas LD. Megjithatë, bota kishte shumë njerëz të aftë, në disa vende. Ata kur e shihnin ndonjë bandit të krisur, që do të bëjë zullum, qoftë në përmasa lokale apo më të gjera, uleshin dhe bisedonin çfarë mund të bënin me rastin

Shkruan: SHEFIK SHKODRA

Për çka do të uronim njëri-tjetrin në përfundim të kohës kalendarike? Çka na solli të re viti i  shkuar? Do të ishte përgjigje e gjatë, e pavlerë. Krejt me ndonjë arritje individuale. Asgjë e jashtëzakonshme: në arsim, shëndetësi, administratë, kulturë... Të ardhura e begati arrijnë vetëm një grup nëpër institucione dhe oligarkët. Ne qytetarët, sikur jemi të mësuar tashmë t’i numërojmë veç pikat e zeza. Po për ato të këqijat s’ka përgjigje dhe s’ka askush faj.    

Prishet njerëzimi!?

Nuk është profeci as nuk vjen nga profetët ky mendim. Bota shkatërrohet, pjesë-pjesë, duke dëmtuar vitalitetin njerëzor. Nga masakra e njeriut ndaj njeriut, grumbuj ikin nga vdekja. Në dete e oqeane e gjejnë varrin e pafund. Shuhen ëndrrat. I forti (numri shumës) sikur e fshin njëjësin, atë të dobëtin. Në rrugën e sotme na përcjellin, veç reagime e intriga ndaj çdo gjëje që quhet paqe. Me spica e kurthe ndaj njëri-tjetrit, robotët veprojnë vetëm për arën e vet të materializuar dhe mirëqenien e tyre e të rrethit. Asnjë ngacmim kulturor...veç improvizues.  

Një krahasim banal

E dimë se njeriu në jetën rurale ishte dhe duhet të bashkëjetojë me kafshët. Pa to nuk ka kuptim jeta. Me gjallje ato ishin ndihmesa e fshatarit, e bujkut në punë të përditshme. Në mesin e tyre dallohej ndonjëra, jo veç me kambanën apo zilen që mbante në togun e vet, por edhe më dëmtuesja e bishtpërpjeta. Prej deleve mund të dilte ndonjë galë, ndonjë brinoshë e rrallë, por ato shytat më shpesh ishin të parat në dëme. Ky tip i fundit, nëse gjente një grapcyllë (shteg), me krejt bylykun hynte në kallamboq dhe e mblidhnin krejt fasulen para kohe. Argatët e arës mbeteshin me duarkryq, duke shikuar pamjet shkretuese – rrënimi i krejt bereqetit të një viti. Dhe shumë e sigurt, kur kafshët i liron (ua qel portën) nga vathi, shpërndahen në bahçen e shtëpisë dhe për një kohë të shkurtër mund ta lënë pa asnjë artikull të mbjellë me mund nga familjarët... Në fshatra të malësisë janë kultivuar edhe qen të zellshëm, vigjilent dhe të ushtruar për mbrojtjen e shtëpisë dhe rrethit nga rreziqet. Mirëpo, ka pasur edhe qen llaskuç, kështu i quante populli, melezë. Ata llaskuçët lehnin ditë e natë, por qëllimi nuk dihej. Madje, ujku mund ta rrëmbente delen më të mirë në pikë të ditës dhe lehja e tij ishte njësoj. Për këta, njerëzit thoshin: “Qeni i keq ta bie ujkun në torishtë!” Urithi, kafshë e egër, i bartë të gjitha nën tokë dhe nuk e di kah shkojnë qepët, patatet, etj. Është shënuar një portret për këtë kafshë, e cila nuk i bën ballë dritës. Veç terr dëshiron. Në terr të gjitha grabitjet i bën dhe pa frikë fare. Ai si duket nuk ka sy. Kafshët si kafshë, u mungon logjika, s’është çudi për dëmin që e bëjnë.

Kuadrot që dirigjojnë jetën qytetare

Dikur ne shqiptarët ankoheshim për mungesën e kuadrove të mira në politikë e administratë. Ankoheshim se janë krejt do pleq e partizanë analfabet pas LD. Megjithatë, bota kishte shumë njerëz të aftë, në disa vende. Ata kur e shihnin ndonjë bandit të krisur, që do të bëjë zullum, qoftë në përmasa lokale apo më të gjera, uleshin dhe bisedonin, çfarë mund të bënin me rastin. Sot, le që nuk kemi ne politikanë të duhur, por as në botë, të shumtën nuk po shoh se janë njerëz të zgjedhur dhe të pikatur për sigurinë e jetës së njerëzve. Dhe kjo krijon frikë e pasiguri kudo në përditshmërinë tonë. Thonë “një budalla e hedh një guri në rrugë, njëqind të tjerë s’mund ta heqin”.  

Është me interes të potencohet për dallim nga kohët tjera, se si njeriu i sotëm nuk është në gjendje, krejtësisht nga injoranca, të dallojë të mirën prej së keqes. Apo nuk do qëllimisht, për interesa të ndyta personale. Shembull, qeveritë e Kosovës pas luftës zgjidhnin për ministër të Arsimit një njeri të një profesioni krejt tjetër, punësime politike në vende jo me përgjegjësi profesionale. Në drejtësi, njeriu që është përgatitur për diçka tjetër. Në elektro-ekonomi një historian, një tjetër për kulturë, veç sa për të shënuar vendin e karrigen. Si kaçakët e shek. 19 – 20: vjedhim, plaçkitim, armët i kemi për ahengje dhe për ndjekje të kundërshtarëve... Me kaq logjikë kanë vepruar këta njerëz. Kot është folur e shkruar për këto dukuri që dilnin si risi prej grupeve të reja sundimtare në Kosovë. Nuk e ndiejnë fare një grimë turpi dhe përgjegjësie, nëse shteti i Kosovës dështon nga shkaku i tyre, në këto rrethana politike globale. Po të mbetem për vetëqeverim! Do të shënohej në tabelë: Pa forcë për mbrojtje...! Edhe fika edhe koria!...

 

 Kultura dhe segmentet e saj te ne, rreziku nga rrymat shpëlarëse

 

Janë përzier shumë ideologji te ne, jo krejt pa qëllim. Njëri thotë “vraje edhe prindin nëse nuk kthehet sipas idesë tonë...”Një tjetër thotë, “martohu me të gjithë anëtarët e familjes e farefisit, veç vajzës tënde!” etj. Mund të thuhet se kultura është njëra prej atyre segmenteve shoqërore, e cila më së paku çmohet për llogarinë e atyre që kanë bërë zgjedhjet e kuadrove vetë, e të cilët shumë pak janë të kulturuar vetë. Pak veta botojnë libra të dobët me pagesa të veta, të familjarëve, por jo edhe nga institucionet shtetërore, ose të rrallë. Dikush bën ndonjë dramë me shpejtësi, gjithashtu me pak pagesë, apo një film që nuk e arrin efektin pozitiv, duke bërë improvizime. Krejt këto për mos financim të duhur e nga kuadro joprofesionistë. Shkurt, janë shenja që manifestojnë fatalizmin e shoqërisë me improvizime dhe formalizma në kulturën kombëtare!

Dëmtuesit më të mëdhenj

Disa herë është përmendur se sporti dhe kultura janë më ambasadorë se çdokush tjetër në gjithë globin. Bota njerëzore duhet të pasurohet edhe nga të mirat shpirtërore. Fisnikërimi i qenies  njerëzore nga kulturat e ndryshme, por njohjen dhe imitimin e tyre, pa e njohur mirë kulturën e vet, sot e bën një edukim variabël. Të shumtën kjo mënyrë quhet kozmopolitizëm. Një formim personaliteti të brishtë e pa stabilitet. Pa një vetëdije për kërkesat e veta individuale, e aq më pak ato të përbashkëtat etnike. Duke u nisur nga ajo rreth vetvetes e duke kërkuar gjithnjë origjinalen nga mesi, vijojmë në zgjerimin e rrethit me komunikime të drejtpërdrejta, prej një ane në anën tjetër të gjeografisë globale, e madje edhe të njohjes së gjuhës politike të bashkësive të etnive të tjera shoqërore e shtetërore. Njohjet do të rreshtohen edhe në ekonomi, arsim e shkencë, shëndetësi, etj. Po më parë duhet të njohësh vetveten. Duhet t’i ikim edhe një abuzimi të madh në gjuhë. Emancipimi i tërësishëm të kulturës dhe të kulturave autoktone. Dhe jo me telenovela, seriale, filma horror e të aksionit është askund. Përveç këtyre, secili individ sot manipulon, prej moshës pesë-gjashtë vjeçare e deri te plaku, rrjetet sociale – bastarde, sidomos Fesbook-un, i cili ka okupuar pothuaj të gjitha shtresat e shoqërisë. Këtu është një si rrugë e gjatë virtuale për gjithë universin të qenieve njerëzore dhe atyre të llojeve tjera. Ky rrjet ka shkaktuar rrëmujë, sidomos te moshat e reja. S’do mend se, edhe një pjesë e të moshuarve e kanë përqafuar...Bisedat për të mirë dhe informimi për gjëra shoqërore janë të mirëseardhura. Por, kur dialogun e bëjnë sharje me njëri-tjetrin për politikë, edhe ata/ato që nuk e dinë “kah e ka dhia bishtin”, i zë pasmesnata pa asnjë vlerë komunikimi. Kjo vetëm rrit një robotizim dhe një trans-kulturim dhe degjenerim në mese tona. Kur ia shtojmë edhe mungesën punës e edhe mungesën e segmenteve kulturore, atëherë rrjetet sociale mbeten shfrytëzimi për ngushëllim. S’ka respekt në familje (jo autoritet), as në rrugë, as në shkollë e institucione të tjera. Armët i kanë në dorë edhe fëmijët për njëri-tjetrin. Martesat e këtyre të rinjtë dëshirojnë t’u ngjajnë romancave të serialeve. Pas një bashkëjetese të gjatë, bëhen kurorëzimet, e pas një jave, ndodh shumë shpesh, kërkojnë qiftet divorc. Lënë fëmijë rrugëve e nëpër kosha bërlloku...Droga shpërndahet nëpër oborret e shkollave tona. Këtë ofertë nuk mund ta bëjë kushdo. Duhet pasur kujdes se po e vrasim ditë për ditë rininë tonë!   

Organizimi i kulturës dhe mjetet ndërmarrëse

Nuk do të çonte peshë organizimi i seminareve për të rinj, ta zëmë për drogën. Kundër kësaj shfaqje të keqe, në mënyrë spontane, do të angazhonim segmente të kulturës. Arsimi dhe kultura janë pasqyrë e një shteti, jo të merren si diçka të dorës së dytë, të tretë. Krejt pa vlerë, në instancë të fundit, duket si cirk. Këto dy segmente janë manifestimi i krejt gjendjes shoqërore. Duhet një përpjekje më e madhe në ndërprerjen, përkatësisht zvogëlimin e pasojave të këqija, në shoqërinë e deridjeshme shumë vitale të popullit shqiptar. Që të braktisin pjesa më e mirë e rinisë, e qytetarëve të tjerë këtë farë shpikje idiote. Do të duhej që shteti të derdhë mjete më shumë për kulturë dhe të vërë një përgjegjësi ndaj operimeve kulturore. Duke përmirësuar jetën dhe shpagimin e frytit nga segmente të kësaj sfere, që do të themi, të kemi ndonjë dramaturg të madh, ndonjë romansier e poet cilësor, ndonjë regjisor të famshëm. Meqë kemi edhe tema të pa eksploruara nga jeta autoktone, të cilat do të nxisnin kureshtjen e popujve të tjerë për kulturën shqiptare. Nuk duhet që, euro-perëndimorëve t’u “shesim” imitimet e kahershme që i bëjmë nga mënyra e tyre. Njerëzia interesohet për diçka të panjohur, origjinale. Nuk janë të ndaluara harxhimet e mjeteve për një kulturë të shëndetshme.   

Mjetet për një kulturë rilindëse, veçanërisht në mese tona, janë të njohura për të gjithë, si mediet, gjuha, revista, libri, filmi, teatri, muzika, arkitektura dhe artet pamore, muzetë, bibliotekat dhe produksioni i tyre.  Destinimi i këtyre mjeteve do të ishte nga qytetarët për qytetarët. Një nxitje për kureshtje nga secila prej tyre, që qytetari ta gjejë veten. Që ai të ushqejë shpirtin, gjithnjë me diçka të re. Me diçka që ngjall ritmin e jetës. Në këtë aspekt do të fundoseshin të gjitha elementet improvizuese-importuese e formaliste me mediokritet të një politike ditore, të pasinqertë për vetë etninë më parë. Pastaj, ngarendja dhe gjurmimi për të bukurën, kudo qoftë, të filmit, muzikës, dramës, letërsisë, etj. Kjo arrihet me një forcë organizative shtetërore, përkatësisht Ministrisë së kulturës, e cila do të bëjë një elaborat në detaje për rimbursimin e nevojshëm të këtyre segmenteve. Pra, sporti dhe kultura janë depërtuesit më të mirë dhe më të shpejtë për lidhje me gjithë botën. Pa harruar asnjëherë se një shërbim të madh e efikas do ta bënin mediet në luftimin e asaj negatives, duke ndriçuar përherë veprat me autorët dhe personalitetet e historisë dhe kulturës nga e kaluara e deri në ditët e sotme. Pa i përjashtuar edhe ata që “me lidhje” vijnë deri te një imponim publik, sikur i shohim përditë, një pjesë të madhe, nëpër televizionet tona, me disa intervista për asgjësend në plan të parë.  

(Kosova Sot)