A janë Evropa & SHBA-ja për zhvlerësimin e luftës së UÇK-së?

A janë Evropa & SHBA-ja për zhvlerësimin e luftës së UÇK-së?
  • 03 January 2018 - 09:21

SHKRUAN: RESHAT SAHITAJ 

Specialja do t'i japë fund spekulimeve dhe propagandës serbe

Specialja nuk po i kërkon luftëtarët që kanë luftuar, por vetëm ata që kanë vrarë të pafajshëm sipas ligjeve të luftës të përcaktuar në Konventën e Gjenevës. Pra, qëllimi nuk është zhvlerësimi i luftës së UÇK-së, por vetëm zhvlerësimi i disa komandantëve që kanë përfituar nga lufta

Në bazë të shkrimeve të ndryshme që kam lexuar lidhur më copëtimin e tokave tona që nga viti 1878 e gjer më sot, rezulton se shqiptarëve u është bërë padrejtësi. Me shembjen e Perandorisë Turke dhe forcimin e Rusisë, padrejtësisht tokat tona iu dhanë dhuratë Greqisë, Serbisë, Malit të Zi…

Cili është sekreti i kësaj padrejtësie ndaj shqiptarëve?

Të shkruash se padrejtësisht Fuqitë e asaj kohe i copëtuan tokat tona, është lehtë dhe e pranueshme nga çdo shqiptar. Madje, për këto padrejtësi janë thurur këngë duke kënduar " Evropa shtrigë ", duke shkruar se Bizmarku paska thënë: " Nuk ekziston popull shqiptar" dhe janë krijuar shumë rrëfime trishtuese kundër Evropës, saqë sot të shkruash të kundërtën do të keqkuptohemi, sepse sipas disave Evropa dhe SHBAja ende po na mashtruakan. Duke e lexuar historianin e njohur shqiptar Kristo Frashëri, i cili ka bërë studim mbi këtë çështje me rëndësi kombëtare, do të mësojmë se Shërbimet Sekrete të Rusisë dhe Serbisë të asaj kohe kanë shpifur kundër Bizmarkut, në mënyrë që shqiptarët t'i armiqësojnë me evropianët. Shqiptarët si atëherë edhe sot me një logjikë të kufizuar, filluam ta quanim Evropën shtrigë, e të humbim çdo shpresë dhe çdo simpati ndaj Evropës pa e kërkuar fajtorin. Kristo Frashëri në librin e tij shkruan se deri më sot nuk është gjetur asnjë dokument ku ai paska folur kundër shqiptarëve. Si u ngulit shprehja " Evropa shtrigë " dhe se Evropa është kundër shqiptarëve?! Mendoj se ne shqiptarët asnjëherë nuk jemi marrë me analiza objektive të historisë sonë të kaluar dhe bashkëkohore, dhe fajin, në vend se t'ia lëmë vetes, ia kemi hedhur të tjerëve. Ne, shqiptarët për t'i ikur përgjegjësisë për gabimet tona fajin ia hedhim tjetrit. Gjatë periudhës kohore, kur Perandoria Osmane kishte humbur territore të pushtuara, në Prizren fillimisht u krijua Lidhja Myslimane e Prizrenit ku përfaqësohej nga shqiptarët dhe boshnjakët, e më vonë kjo u shndërrua vetëm si Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Kur të gjithë popujt e tjerë kërkonin të ndaheshin nga Perandoria Osmane, ne shqiptarët asokohe kërkonim autonomi në kuadër të Perandorisë, duke u përpjekur t'ia ruanim Turqisë daljen në Detin Adriatik dhe e mbrojtëm me fanatizëm Hotin, Grudën dhe Ulqinin derisa Flota e Fuqive Ndërkombëtare ndërhyri kundër shqiptarëve për t'ia ndërprerë Turqisë daljen në Adriatik. Disa shkruajnë se tokat tona u copë- tuan se ne ishim të besimit mysliman, kjo nuk qëndron sepse Evropa ishte kundër Perandorisë Turke e jo kundër shqiptarëve, ngase i takonin fesë islame. Fuqitë Ndërkombëtare i copë- tuan tokat tona, ngase ne nuk kërkonim pavarësi, por i mbronin interesat e Turqisë. Më vonë historia do të përsëritej, kur Hasan Prishtina dhe të tjerët i çlirojnë territoret tona deri në Shkup, dhe në momentin kur Hasan Prishtina po bëhej gati të ngritë flamurin tonë e t'i lajmëronte Ambasadës së Inglizit e ambasada të tjera për shpallje të Pavarësisë, Isa Boletini nuk e lejon. Isa Boletini kërkonte të shkonte në Selanik ta nxirrte nga burgu Sulltanin e Turqisë. Madje, Isa Boletini, ky trim shqiptar, kishte qenë edhe më i ashpër kundër ngritjes së flamurit tonë, duke iu kërcënua Hasan Prishitnës se pa lejen e krajlit të Serbisë nuk duhet të valojë flamuri shqiptar në Shkup. Ishin zhvilluar luftëra të ashpra për ta fituar luftën kundër Perandorisë Turke, që e kishte zgjeruar territorin deri në Molouse të Francës, e ne shqiptarët kërkonim jo shkëputjen totale nga Turqia, por ruajtjen e territoreve të saj. Kush na ka faj, Evropa apo vetë ne i kemi fajet ?! Nga 1878 deri në çlirimin e Shkupit janë zhvilluar lufta të tmerrshme shqiptaro-serbe ku janë masakruar qindra-mijëra shqiptarë e qindra-mijëra të tjerë i kanë dëbuar me dhunë nga Nishi, Leskovci , Kurshumlia… Liderët tanë të asaj kohe, a nuk e dinin se Serbia ishte armike?! 

Evropa e sotme dhe SHBA-ja, a e kanë humbur simpatinë e popullit tonë?

Gjatë kohës së sistemit totalitar, popullit tonë nën Jugosllavi përsëri iu është bërë padrejtësi, duke i ndarë shqiptarët në tri Republika: Maqedoni, Serbi dhe në Mal të Zi. Shqiptarët luftuan kundër pushtimit serb fillimisht nën udhëheqjen e Shaban Polluzhës, pastaj me burgosjen e Adem Demaçit, që u shndërrua në simbol të rezistencës. Në vitin 1968 shpërthyen demonstratat, që si rezultat e fituam përdorimin e flamurit deri në shpërthimin e demonstratave pranverës së vitit 1981, ku vetëdija kombëtare ishte ngulitur në secilin shqiptar. Themelimi i LDK-së, më 15 dhjetor 1989, ishte hapi më i guximshëm i shqiptarëve, ku nga ky çast u ndanë shqiptarët nga serbët, mirëpo në Programin e kësaj lëvizjeje kërkohej autonomi e zgjeruar dhe ruajtja e integritetit territorial i Serbisë, si në kohën e Lidhjes së Prizrenit. Lindja e UÇK-së ishte një hap i duhur në kohën e duhur, pa të cilën ushtri Kosova do të kishte mbetur edhe sot duke kërkuar autonomi të zgjeruar. Zhvillimin e proceseve politike në Kosovë e përcillnin Evropa dhe SHBAja, por gjithnjë në pritje që faktori politik shqiptar t'i modifikonte kërkesat nga autonomia në Republikë në kuadër të Federatës ose nëse do të shpartallohej federata të kërkonin pavarësi. Këto ishin dy opsione që priste Evropa dhe SHBA-ja, opsionet e tjera janë përralla të gazetave tona të asaj kohe dhe të tubimeve para gazetarëve tanë. Gjendja e tensionuar në Kosovë e veçmas masakra e Reçakut ka ndikuar që Zhak Shiraku dhe Toni Bleri të vendosin t'i bombardonin caqet serbe dhe ta çlironin Kosovën. Këtij vendimi në Londër menjëherë i bashkëngjitën edhe SHBA-ja. Këto janë fakte të pakontestueshme që ruhen në arkivat e Francës dhe Anglisë, siç është fakt i pakontestueshëm edhe letra e kryetarit të SHBA-së G.Bushit dërguar Milosheviqit dhe gjeneralit të tij në ditët e fundit të dhjetorit 1992, ku i tregon Serbisë vijat e kuqe ndaj Kosovës. Nga këto dhe shumë fakte të tjera do të rezultojë se Evropa nuk ishte shtrigë ndaj kërkesave të shqiptarëve, por shqiptarët ishin pa aleatë. Edhe kur i kishin, radhiteshin në krahun e humbësit, si dhe fakti tjetër se ne shqiptarët kurrë nuk jemi mirënjohës as ndaj vetvetes, e as ndaj askujt. Ne jemi mirënjohës vetëm nga frika dhe interesat imediate. 

Politika aktuale e nxit popullsinë në anti- evropianizëm 

Kosova duhet t'i falënderohet si politikës paqësore edhe asaj të krahut të luftës, ku secila e ka luajtur rolin e tyre historik gjatë periudhave që kanë ekzistuar. Dy opsionet: i luftës dhe pacifist, kanë pasur gabimet e tyre për ç'gjë historianët e gjeneratave të ardhshme mundën t'i analizojnë. Liderët e luftës dhe të pasluftës nuk janë të interesuar për ruajtjen e shtetësisë së Kosovës, por janë të prirë t'i mbrojnë interesat e tyre personale. Të gjitha partitë bashkërisht janë duke luftuar për pushtet dhe pasuri individuale dhe këta u grindën gjatë fushatave zgjedhore, por në fakt bizneset i kanë të përbashkë- ta. Sikur liderët tanë të ishin me ide shtetformues, nuk do të ishte krijuar "Zajednica" me forcën e një minishteti në shtet, por do të kishin kërkuar ashtu siç e ka korrigjuar Kushtetuta e Kosovës. Po të ishin liderët shtetformues, nuk do rrëzoheshin qeveritë tona sa here që dikush ka dëshirë të merrte pushtetin. Po të ishin liderët tanë shtetformues, e jo për interesa personale, do të aprovohej Demarkacioni dhe Specialja sipas kërkesave të shtetit të Kosovës. Shumica e liderëve tanë politikë e luajnë lojën e djallit. Kur liderëve tanë u bie mirë deklarohen se kështu na thanë aleatët tanë amerikanë dhe evropianë pa thënë ata asgjë. Tani, kur po u vjen fundi i gënjeshtrave të liderëve tanë, po bëjnë përpjekje që për çdo gjë t'ia hedhin fajin Evropës dhe Amerikës, duke u arsyetuar se ata na premtuan, ata na kanë këshilluar … Në fakt, amerikanët dhe evropianët kanë premtuar që të aprovohen në kuvend " Zajednica" por jo ashtu siç e vendosi Edita Tahiri dhe serbët, të cilën e kundërshtoi Gjermania përmes zonjës Doris Pack. Ata kanë premtuar të aprovohet Specialja, por të dalin para drejtësisë disa që dyshohet se kanë kryer vepra kriminale ndaj civilëve. Amerika dhe Evropa nuk na kanë premtuar se duhet vetëm të nënshkruhet e të rregullohet liberalizimi i vizave , por të dyshuarit të dalin para drejtësisë. 

Çka kërkon Specialja ? 

Secili shqiptar e di se në Tribunalin Special do të shkojnë të dyshuarit për krime lufte që ia kanë bërë popullsisë civile. Që në fillim pala shqiptare dhe asnjë deputet nuk kanë dhënë vërejtje që kriminelët serbë të dënohen për krime lufte. Nga kush u frikësuan deputetët dhe Qeveria jonë të kërkonin të shtonin që edhe kriminelët serbë të dënoheshin ?! Amerikanët, e as evropianët nuk do të kishin kundërshtuar një kërkesë të tillë, por shqiptarët nuk e kërkuan. Pala shqiptare kërkuan që të dyshuarit për krime lufte të mbrohen me para të shtetit, të dyshuarit për krime lufte t'u ruhet vendi dhe pozita e punës, të dyshuarit për krime lufte t'u paguhen të gjitha shpenzimet e familjarëve që do shkojnë për t'i vizituar anëtarin e tyre, kërkuan edhe shumë gjëra që Kosovës do t'i kushtojnë qindra milionë euro. Në Tribunalin Special do të shkojnë dhjetëra individë, për të cilët dyshohet se kanë kryer vepra të rënda mbi popullsinë civile. Asnjëri nuk akuzohet se kanë vrarë ushtarë serbë. Pas proceseve gjyqësore që do të zhvillohen kundër të dyshuarve, disa mund të dënohen e disa të lirohen si të pafajshëm. Specialja nuk po i kërkon luftë- tarët që kanë luftuar, por vetëm ata që kanë vrarë të pafajshëm sipas ligjeve të luftës të përcaktuar në Konventën e Gjenevës. Pra, qëllimi nuk është të zhvlerësimi i luftës së UÇK-së , por vetëm zhvlerësimi i disa komandantëve që kanë përfituar nga lufta. Ne jemi dëshmitarë që SHBA-ja i dënon ushtarët e tyre për sjellje të këqija ndaj popullsisë civile në Irak. Evropa po ashtu i dënon ushtarët e tyre që kanë krye vrasje të civilëve të pafajshëm në Kongo e vende të tjera. Lufta i ka rregullat e veta. Si është e mundur që disa dhjetëra personalitete të luftës të vënë në pikëpyetje shtetin e Kosovës për interesa personale?! Po edhe sikur ndonjëri prej tyre të dënohet, ai duhet të jetë krenar e jo qyqar. A i keni parë serbët se si qëndrojnë të pamposhtur në Gjykatën e Hagës?! A i keni parë serbët se si janë krenarë që kanë vrarë civilë shqiptarë e kroatë ?! Për serbët shteti ka rëndësi e jo jeta e tij individuale. Serbët në Gjykatën e Hagës e sakrifikojnë veten për interesa të shtetit , e ne shqiptarët po e sakrifikojmë shtetin për interesa personale. Luftën e UÇK-së e kanë zhvlerësuar vetë personalitetet e luftës, të cilët dikur në Hagë disa thoshin se nuk kishte UÇK, e as nuk ishin komandantë, e në Kosovë para nesh paraqitën komandantë. Cila është e vërteta e tyre: ishin komandantë, apo nuk ishin ?! Asnjë komandant nuk dezerton nga ushtria e tij, madje as komandanti i një anije të vogël nuk e shpëton veten para udhëtarëve. Specialja do t'i japë fund spekulimeve dhe propagandës serbe se kosovarët nuk i respektojnë ligjet dhe se ne jemi ende barbarë. Shtrohet pyetja pse frikësohen nga Specialja, ata që kanë bërë dhjetëra miliona? Pse frikësohen nga Specialja ata që i kanë siguruar fëmijët e fëmijëve të tyre me pasuri përrallore, që as Bill Klintoni nuk u afrohet?! Pse frikësohen nga Specialja kur ata nuk humbin asgjë, as pasuri e as pozita?! Secili shqiptar do të shkonte me dhjetëra vite burg në Hagë, sikur të kishim pasuri dhjetëra milionëshe! Në vend se të jenë krenarë, këta edhe në momentet e fundit kërkojnë ta zhvatin gjer në palcë Kosovën. Nëse ishin trima në luftë, duhet të sakrifikojnë për shtetin e Kosovës , ngase ata janë përfituesit më të mëdhenj të shtetit tonë! Mendoj se Specialja do të krijonte imazh pozitiv për shtetin tonë.

(Kosova Sot)