Porosi për Kosovën

Porosi për Kosovën
  • 03 January 2018 - 09:36

SHKRUAN: SKËNDER S.KAPITI

Gëzuar Vitin e Ri 2018!

Kosovë, nëse dëshiron të bëhesh, të zhvillohesh dhe të prosperosh shpejt në rrugën e demokracisë, të qytetërimit dhe integrimit, nuk mund të bëhesh kurrsesi duke marrë modelin e Shqipërisë, e cila ka mbi 100 vjet që ka mbetur e fundit në Evropë në rrugën e prosperitetit, të qytetërimit, të ndërtimit dhe të konsolidimit të demokracisë dhe të integrimit të saj, pasi problemin më të madh Shqipëria e ka pasur gjithnjë me politikën e keqe të politikanëve e të pushtetarëve të vet, me politikën grindavece, egoiste dhe të korruptuar e kriminale, me tradhtinë dhe sidomos me padrejtësinë, të cilat i ka ende edhe sot politika aktuale e Tiranës. Mos merrni tabiate e "leksione" politike, juridike, ekonomike, diplomatike e demokracie nga politika e Tiranës se vetëm sherre, ngatërresa, moszhvillim, mosintegrim, pabesi e pengesa prej tyre do të keni, ashtu siç edhe vetë Shqipëria dhe shteti shqiptar që gjithnjë e kanë pësuar prej saj deri edhe më sot akoma, dhe arriti deri atje sa në vitin 2017 prej krimit, papërgjegjshmërisë, korrupsionit dhe të trafikimit të drogës shumë medie dhe politikanë ndërkombëtarë ta quanin Shqipërinë si Kanabistani e Evropës, ambasadorja e BE-së në Tiranë i akuzoi politikanët e Tiranës se e shesin atdheun e tyre për interesa personale dhe ai amerikan i akuzoi po politikanët e Tiranës për krime mafioze e tepër të tmerrshme.

Kosovë, vështro dhe orientohu fuqishëm e me besim nga Uashingtoni

Sepse, po mbajte shumë shpresa për lobim, ndihmë e këshilla nga Tirana zyrtare për të ndërtuar shtet ligjor e me standarde moderne, për zhvillim e integrim në BE , nuk ke me pas ndonjë hair e prokopi prej saj, pasi gjithmonë Shqipëria ka qenë dhe është akoma problem për veten e saj, e jo vetëm të saj, por ajo u ka shkaktuar telashe e kokëçarje edhe SHBA-ve edhe BE-së po me problemet që politika e pushteti në Tiranë i ka shkaktuar Shqipërisë akoma deri më sot. Urojmë shumë që politika në Tiranë të pastrohet, të dekriminalizohet dhe t'u përkushtohet më shumë demokracisë, ligjit dhe ndërtimit të shtetit ligjor dhe sidomos interesit kombëtar dhe jo atij personal, familjar, klanor, mafioz e partizan. Kosovë, i qëndro shumë besnike dhe mirënjohëse gjithmonë SHBA-ve, prej të cilave erdhi liria dhe pavarësia, pasi pa SHBA-të nuk do të kishim sot shtetin e pavarur të Kosovës. Historia dëshmon se gjithmonë kur Kosova në momentet më kritike të saj, kur ajo ka pasur nevojë për Shqipërinë, pikërisht në ato raste Shqipëria tronditej nga destabiliteti e rrëmuja. Ndërsa janë po SHBA-të ato të cilat prej 100 vitesh u janë gjetur pranë kudo shqiptarëve dhe Shqipërisë, në momentet më kritike kur rrezikohej e kërcënohej ekzistenca edhe e vetë shtetit të Shqipërisë. Vetëm shikoni rastin e fundit se si politika dhe drejtësia në Shqipëri iu kundërvunë ashpër përpjekjeve dhe vullnetit të SHBA-së dhe të BE-së për miratimin dhe për zbatimin e VETTING-ut, për këtë reformë, e cila është jetike për shqiptarët e Shqipërinë dhe është çelësi i cili i hap dyert e integrimit të Shqipërisë për në BE. Pra, sa e habitshme dhe interesante për politikën e Tiranës, që sillet si antiamerikane edhe kur SHBA ndihmon dhe e ka prioritet ndërtimin e shtetit ligjor shqiptar dhe interesat e integrimin e Shqipërisë në BE!? Një politikë e cila dëmton interesat e vetë Shqipërisë së pari është njëkohësisht gjithsesi edhe një politikë anti-Kosovë, madje shumë më tepër si e tillë, pasi shëmbullon si e tillë edhe për politikanët e papërgjegjshëm të Kosovës.

E keqja më e madhe kombit shqiptar i ka ardhur nga padrejtësia 

Kosova e ka pësuar shumë herë më rëndë se Shqipëria prej padrejtësisë, e cila i erdhi nga kolonizatori dhe pushtuesi barbar serb, nga krimi dhe gjenocidi i tij mbi 100-vjeçar, nga padrejtësia e Evropës, e cila e la Kosovën jashtë Shqipërisë. Por, mjerisht e fatkeqësisht edhe shqiptarët në Shqipëri kanë pësuar pabesi, tradhti dhe padrejtësi nga politika dhe nga politikanët e vet injorantë, të pashpirt, të papërgjegjshëm e të korruptuar, të cilët gjithmonë kanë pasur synim dhe objektiv pushtetin dhe hajninë, politikë dhe pushteti si i tillë kulmoi, sidomos në këto 25 vite të tranzicionit. Le të jetë viti 2018 për Shqipërinë vit i kthimit të shpresës dhe besimit të qytetarëve shqiptarë te drejtësia, viti i triumfit të shtetit ligjor dhe VETTING-ut, viti i integrimit të mëtutjeshëm të saj në BE, pasi një Shqipëri e fortë politikisht, demokratikisht dhe e prosperuar ekonomikisht do të ishte një ndihmë e madhe dhe si më kryesore edhe për forcimin, konsolidimin e shtetit, të pavarësisë e të integrimit të Kosovës. Fatkeqësisht dhe mjerisht edhe politika në Kosovë ka marrë shumë të këqija nga përvoja e politikës së tillë të derisotme nga Tirana dhe e ka instaluar atë fatkeqësisht edhe në Kosovë, përderisa edhe Kosova dhe shoqëria kosovare atje po vuajnë po të njëjtat pasoja si në Shqipëri, ku kryeproblemi edhe në Kosovë sot është drejtësia, pra më saktë sundimi i padrejtësisë prej së cilës vijnë pastaj edhe varfëria, papunësia, korrupsioni e krimi, eksodi dhe moskonsolidimi i shtetit dhe moszhvillimi i tij demokratiko-ligjor,mosliberalizimi i vizave dhe mosintegrimi. Ju, politikanë, pushtetarë dhe shtetarë të Kosovës, mos e harroni të shkuarën jo të largët, atë të para çlirimit të vitit 1999, mos e harroni amanetin e dëshmorëve dhe të heronjve! Mos i harroni vuajtjet, sakrificat dhe stërmundimet e jashtëzakonshme që bënë brezat për liri dhe pavarësi. Ju që drejtoni vendin tani për 10 vite pas pavarësisë dhe ata që do ta drejtojnë pas jush Kosovën e lirë dhe të pavarur, politikën, pushtetin, shtetin dhe shoqërinë të parin dhe mbi gjithçka duhet ta keni popullin dhe Kosovën, duhet të keni si prioritetin e prioriteteve interesin kombë- tar dhe nevojat jetike të njerëzve, mirëqenien dhe prosperitetin, punësimin, arsimimin, shëndetin dhe forcimin e kombit e të pavarësisë. Mos i harroni Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin dhe objektivin e qëllimin final, Bashkimin paqësor kombëtar. Urime dhe të jetë viti 2018 viti i drejtësisë, i prosperitetit, i integrimit dhe i ndryshimeve të mëdha, në favor të interesit të përgjithshëm kombëtar, si në Shqipëri dhe në Kosovë, dhe i shpresës e lumturisë për të gjithë shqiptarët kudo që ata ndodhen.

(Kosova Sot)