Ne shqiptarët, jemi shtetndërtues apo shtetshkatërrues?

Ne shqiptarët, jemi shtetndërtues apo shtetshkatërrues?
  • 09 January 2018 - 07:55

Anomalitë tona

SHKRUAN: RESHAT SAHITAJ

Ne ishim Iliri mbetëm Shqipëri e cunguar. Në literaturën tonë të shkruar e gojore, ne , vetveten e trajtojmë si më të fortët, më trimat, më të guximshmit, më luftarakë se çdo popull që jeton në këtë planet. Isha i ri dhe u besoja verbërisht si ngjarjeve që zhvilloheshin në romane e libra historikë, po ashtu edhe përrallave që mbrëmjeve dimërore m'i rrëfente babai. Shumë më vonë e kuptova përmes librave të historisë se shqiptarët ishim të shtrirë gjerë e gjatë Ballkanit, dhe se ne i kishim sjellë civilizimin botës siç shkruajnë ende historianët. Në vete ndjeja krenari (dhe ende ndej) që i takoja popullit më të fortë në botë. Vetëm tash në Kosovën e çliruar e me shumë vite e shkuara të jetës sime, vetës ia shtroj shumë pyetje e mbetem pa përgjigje. Pse ia sollëm civilizimin botës e nuk e ndalëm një copë të civilizimit për ne ?! Si është e mundur që ishim trima e territoret tona u rrudhën gati për t'u zhdukur ne si popull ? ! Si mund të ishim më të fortët dhe më luftëtarë se ata që erdhën nga stepet e Karpateve dhe na nënshtruan? I forti, luftëtari, i guximshëm e trimat nuk nënshtrohen dhe, nuk e lejojnë që nënat e nuset e tyre të digjen e të dhunohen!

Lundrim në kohë dhe epoka të shkuara

Deri vonë në imagjinatën time më rrinin figurat e ndryshme historike të cilat i imagjinoja të pamposhtur, ashtu siç kisha lexuar dhe dëgjuar nga babi im. E parafytyroja Agronin, Gentin, Bardhylin, Teutën, Skënderbeun, Ali Pashë Tepelën, Hasan Prishtinën…dhe trimëritë e tyre të lexuara e të palexuara, por të imagjinuara nga unë. Secili më dukej më trim se tjetri, mirëpo ende nuk mund të arsyetoja se pse tokat tona u rrudhën ?! Si është e mundur që një popull luftarak me një udhëheqës trim të pranonin humbjet e territoreve pjellore?! Këto muajt e fundit më rastisi të shikoj një seri televizive dokumentare " Revolta e barbarëve " , me komente nga Uesli Klarku e shumë gjeneralë e njohës së luftërave të lashta, e askund nuk përmendeshin paraardhësit tanë. Flitej gjerësisht për strategun e parë më të mirë në botë Hanibalin, që ishte nga një fis zezak afër Spanjës së sotme. Flitej për një grua angleze që kishte luftuar ashpër kundër Perandorisë romake e krejt në fund për trimërinë e popullit hungarez që ishin shakatarët e shkatërrimit të Perandorisë romake mbi njëmijë vjeçare, e për ne asgjë. Pavarësisht që në ketë seri dokumentare nuk i gjeja emrat e trimave të paraardhësve tanë, që do të trajtoheshin luftë- tarë të shquar, në mendjen time defilonin emrat e lartshënuar, të cilët i admiroj si dikur edhe sot. Si mos të admirohet mbretëresha Teuta, e cila ishte mijëra herë më atdhedashëse se sa Kleopatra. Kleopatrën e njehë bota, e Teutën nuk e njohim as ne shqiptarët. Ç'mund të bënte Teuta më shumë për vendin e saj, kur burri dhe gjenerali më i afërt e kishin tradhtuar duke u radhitur në krahun e Romës ?! Çka mund të bënte Skënderbeu kur mbi 25 vite bëri luftëra të përgjakshme me Lekë Dukagjinin ?! Çka mund të bënte Ali Pashë Tepelena kur u tradhtua nga djali i tij që iu bashkua ushtrisë turke kundër babait ?! Çka mund të bënte Hasan Prishtina kur Isa Boletini nuk e lejonte ngritjen e flamurit pas çlirimit të Shkupit?! Mendoj se ne historikisht ishim të tradhtuar nga vetvetja të nxitur nga xhelozitë marramendëse kundër njeriut tonë. Kushdo tjetër të jetë, por jo njeriu i dalë nga e njëjta nënë dhe e njëjta gjuhë.

Shëtitjet e mendjes në kohën bashkëkohore

Në Kosovë, sistemi totalitar i instaluar nga Tito e i dirigjuar nga Serbia, mbi popullsinë tonë bëri masakra, vrasje, shpërngulje deri në shfarosje totale të viseve shqiptare. Kundër këtyre barbarive serbe u ngritën Shaban Polluzha, grupi i Adem Demaçit, minatorët, Unioni i Studentëve, e deri në luftën e UÇK-së dhe bombardimeve të NATO-s. Më dekada të tëra ne shqiptarët e quajtëm Shaban Polluzhën tradhtar i kombit, e Fadil Hoxhën hero kombëtar e që kjo vazhdon edhe sot. Me lirimin e Adem Demaçit, ne shqiptarët e larguam Adem Demaçin duke e etiketuar si matuf, e madje një ministër i kohës sonë Astrit Haraqija, një shkencëtar Mark Krasniqi deklaronin se po të ishte i rëndë- sishëm Demaçin do ta kishte vra Serbia. Ne shqiptarët vetë e tradhtuam Ukshin Hotin, duke ia montuar procesin edhe me ëndrrat që ai i kishte ëndërruar e që ia kishte treguar njeriut më të afërt të zemrës. Gjatë luftës së fundit kishte shumë raste ku trimëria e burrave tanë nuk dukej të vinte në shprehje, madje më e keqja se në disa vende burrat fshiheshin duke i detyruar gratë e tyre të binin në duar të forcave serbe. Ky është një realitet shumë i hidhur, një realitet që gratë e përjetuan turpin në sy të burrave të tyre, e burrat qëndronin të fshehur apo të ngujuar pa guxuar t'i mbronin nuset e veta. Tani një pjesë e këtyre burrave na shesin mend e disa ende vazhdojnë të heshtin dhe pajtohen duke mos pasur guxim t'i shikojnë në sy gratë e veta. Një pjesë e trimave tanë në frontin e luftës u vranë nga shokët e tyre pas shpine. Një pjesë e rrospive që bënin dashuri herë me komandantët serbë e herë me disa komandantët tanë gëzojnë ende respekt, e disa prej këtyre lavireve u shpallën heroina kombëtare. Në varrezat tona të luftës sot i kemi të varrosur bashkërisht si tradhtarët edhe patriotët. Ka edhe më keq kur në varrezat e dëshmorëve shpallën dëshmorë vetveten dhe nuk duhet të habiteni që diku në një fshat të Kosovës dëshmori ende është gjallë dhe çdo vit i sjell lule varrit të tij ! Nuk duhet të habitemi as me veteranët që disa ishin fëmijë dhe u shpallën veteranë pa e ditur së ç'është pushka e lufta! Nuk duhet të habitemi që sot më shumë veteranë ka spiunë se sa veteranë të vërtetë ! Nuk duhet të habitemi që në çdo qeveri të Kosovës së pasluftës kemi më shumë bukuroshe se në garat Mis Kosova, sepse ato u seleksionuan nga personalitetet politike jo për të ndërtuar shtetin, por për të bërë dashuri tinëzare. Nuk duhet të habitemi se shumëkush pa asnjë ditë shkollë efektive e mori titullin e doktorit dhe sot i kemi ligjërues në fakultetet tona. Nuk duhet të habitemi se djalin e Adem Demaçit nuk e pranojnë ligjërues pikërisht këta që e udhëheqin Kosovën. Nuk është për t'u habitur se sot nuk mund të punësohet asnjë fëmijë që rrjedh nga familjet patriotike. Mos t'u vijë çudi që Kosova udhëhiqet nga fëmijët pa shkollë, pa bagazh politik, pa njohje politike, sepse politika kosovare dirigjohet nga Serbia e jo prej nesh ! Mos t'u vijë çudi që profesorët nuk dinë të ligjërojnë dhe nuk kanë punime shkencore, sepse diplomat i kanë marrë më para ose më dhunë! Këto nuk rrjedhin nga pesimizmi individual, por burojnë nga faktet reale të politikës së sotme. Ne, nuk e dëshirojmë ndërtimin e shtetit tonë, sepse nuk duam, nuk dimë dhe nuk guxojmë. Ne jemi populli më autodestruktiv në këtë planet, e askush ende nuk e dinë pse. Disa mendojnë se jemi të nëmur nga vetë Perëndia, ngase Zoti na dha bukuritë dhe pasuritë natyrore e ne ia lëshuam me dëshirë njerëzve të ardhur nga Karpatët. Ne i frikësohemi njerëzve të ardhur nga stepët e Karpateve , por ne e vrasim vëllain dhe ia presim kokën më sakicë për asgjë. Ne jemi trima ndaj vëllait e jo ndaj okupuesit. Më lehtë e vrasim një shqiptar sesa një kriminel serb që na ka vrarë djalin, nusen, babanë. Vetëm kur të mësojmë të respektojmë njeriun tonë, ne e ndërtojmë shtetin, e kjo kohë do të vijë shumë më vonë, vetëm atëherë kur do të ndryshojë gjendja në arsim, në kulturë, në ekonomi….

(Kosova Sot)