Frika nga SHIK-u dhe akuza kundër SHIK-ut e kanë mbuluar skenën politike dhe mediatike të Kosovës

Frika nga SHIK-u dhe akuza kundër SHIK-ut e kanë mbuluar skenën politike dhe mediatike të Kosovës
  • 10 January 2018 - 08:04

Rreziku nga kthimi serb në Kosovë (6)

SHKRUAN: SHEFQET DIBRANI

Disidentët nuk formohet me metodat e servilizmit dhe të nënshtrimit përpara diktaturës dhe diktatorëve. Disidentët formohen, vetëm duke i kundërshtuar diktatorët. Disidentët kanë mbajtur edhe burg, por kanë triumfuar në proceset dhe zhvillimet e mëvonshme. Vjosa Osmani, Haxhi Avdyli, bashkë me Naser Rugovën nuk janë disidentë, aq më pak disa pseudo-reformatorë që dje kanë ardhur në LDK, as ata që janë pjesë e strukturave të Riinvestit. Kjo gjeneratë është në mision shkatërrues të LDK-së, prandaj është zhvilluar gjithë kjo luftë kundër filozofisë politike të dr. Ibrahim Rugovës¨, e kundër LDK-së si parti shtetformuese. Lidhja Demokratike e Kosovës, patjetër duhet t'iu nënshtrohet reformave. Dhe nëse Amerika dëshiron me vendos demokracinë në Kosovë duhet t'i monitorojë zgjedhjet e brendshme partiake, dhe duhet t'i largojë të gjithë ata që janë futur në LDK, përmes rrugëve antidemokratike, nëpërmes Riinvestit dhe përmes Shoqërisë Civile, pa pasur asnjë ditë stazh politik, i domosdoshëm në demokracitë e konsoliduar nëpër vendet e Evropës Perëndimore dhe në Amerikë. Rizgjedhja e mundshme në mënyrë antistatutare, klandestine dhe me misione për ta shkatërruar LDK-në, do t'i hakmerret edhe vet Amerikës dhe kauzës së tyre për t'i zgjeruar kufijtë e demokracisë edhe në Kosovën tonë të përvuajtur. Reformat në LDK dhe në partitë tjera patjetër duhet të vëzhgohen nga amerikanët, sepse vetëm ata janë garanci e besueshme për t'ia nxjerrë vendit një gjeneratë tjetër politike, e cila mundet me u përballur me të gjitha vështirësitë dhe krizat që e kanë futur vendin struktura të dyshimta dhe me porosi të shërbimeve antiamerikane për të cilat flitet se operojnë në Kosovë. Reformat në LDK, por edhe në partitë tjera në Kosovë nuk munden me i bërë njerëzit që i caktojnë kryetarët që sillen si diktator. Partitë politike dhe as LDK-ja nuk duhet ta kopjojnë diktatorin e Venezuelës për të mashtruar popullin me reforma që i bëjnë të emëruarit e tij.

Isizmi i kundërvihet Rugovizmit

Filozofia politike dhe intelektuale e dr. Ibrahim Rugovës, ka ndikuar në vetëdijen shtetformuese të Kosovës, e njohur me nocionin "Rugovizëm". E kundërta e këtij koncepti është veprimi i Isa Mustafës, i cili si doktrinë të veprimit është antivlerë e demokracisë, është koncept përçarës e përjashtues dhe mënyrë ma perfide e shtetrrënimit, veprime këto që po i aplikon diktatori dhe klientela antidemokratike përreth tij. Nocioni për formën shtetrrënuese mund të pagëzohet si "Isizëm", që ka kuptimin e të gjitha përpjekjeve për ta shkatërruar LDK-në si parti, dhe "Rugovizmin" si koncept politik e filozofik, jo vetëm si nocion por edhe si kuptim i vlerës intelektuale dhe i përpjekjeve shtetformuese. Nocioni "Rugovizëm", ka kuptimin e përpjekjeve për ta ruajtur partinë nga shthurja dhe intrigat, ka kuptimin për ta ruajtur LDK-në nga shkatërrimi dhe tjetërsimi. E kundërta e këtij koncepti është "Isizmi", i cili si mision ka shkatërrimin e LDK-së. LDK-ja si parti politike ka synim doktrinën e shtetformimit dhe të institucionalizimit. "LIDHJA", është mënyra e veprimit që po bënë Isa Mustafa dhe përkrahësit e tij, ndërsa veprimet e tyre qojnë drejt shtetrrënimit dhe mbjelljes së urrejtjes, e të gjithëve kundër të gjithëve. Me një fjalë "Isizmi", është thika pas shpine dhe hakmarrja e vazhdueshme të cilën po e bën Isa Mustafa dhe vartësit e tij. Po ashtu në këtë doktrinë futet edhe injorimi dhe përjashtimi, që kjo udhëheqje po ia bënë elitës intelektuale të cilët ishin themeluesit e LDK-së, dhe përjashtimin e Diasporës që ka bërë shumë për Lirinë e Kosovës dhe vet LDK-në. "Rugovizëm" është fjala e lënë peng, për të cilës duhet me u sakrifikua të gjithë. "Isizmi" është nënshtrimi pa kushte tek diktatori, është premtimi i rrejshëm para elektoratit se kurrë më me PDK-në, po ashtu "Isizëm", është edhe veprimi i "Grupit për Reforma", të cilët e tradhtuan elektoratin e tyre. "Rugovizmi", ka kuptimin e fisnikërisë demokratike, ndërsa "Isizmi", ka si doktrinë veprimi, teknokratizmin, tutorizmin dhe format tjera te vrazhda që i bënë përkrahësit dhe vartësit e tij të vuajnë dhe të sillen me servilizmi dhe fudullëku në raport me diktatorin. "Rugovizëm" është gjithpërfshirja, sepse në LDK e kanë vendin edhe "Brezi i Traditës", edhe "Themeluesit e LDK-së", edhe Diaspora, bashkë me gjithë elektoratin e kësaj partie. "Isizmi", është forma e përjashtimit siç e kanë bërë vartësit dhe mbështetësit e diktatorit, prandaj LDK-ja i ka punët shumë keq?!

LDK-ja po pëson nga misionarët e LKJ-së

LDK-ja do të pësojë edhe më tej nga misionarët e LKJ-së, që tashmë veprojnë sikur të ishin struktura të BIA-s serbe. Prandaj elektorati i LDK-së dhe strukturat e partisë nëpër Nëndegë dhe Degë, nëse e duan LDK-në, duhet të veprojnë sepse në këto humbje të vazhdueshme deri më tash kanë pësuar vetëm strukturat komuniste të LKJ-së, integralistët jugosllavë, zvarranikët, hipokritët dhe injorantët e shumtë të cilët si ushejza (rriqra), në LDK janë kooptuar në mënyrë antidemokratike. LDK-në e kanë mbërthyer "Kryqëzatat Ortodokse", të cilat janë në ofensivë për të devalvuar çdo vlerë demokratike, për të shantazhuar çdo intelektual. Këto kryqëzata janë në luftë me këdo dhe janë kundër të gjithëve. Këta janë me duar të lara e palara, me shkollë e pa të, vetëm e vetëm për ta "RYQËZUAR", si duhet LDK-në. Pse jo, për ta sjell President të Kosovës, Veton Surroin, ministër për Punë të Jashtme - Baton Haxhiu, ndërsa në vend të babait për ta vazhduar politikën shtypëse në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Shkëlzen Maliqi, të cilët do të përkrahen nga gazetarë udbashë të njohur që nga viti 1981. Sigurisht në përforcime kësaj kategorie, për ta imituar mozaikun demokratik, do të angazhohen ekipe të tëra nga shkolla e Baton Haxhiut ose nga ajo e Veton Surroit! Një fenomen në rritje e sipër ka dalë në pah, kur militantë e aktivistë të "LIDHJES", po merren kryesisht me punët e partive të tjera, prandaj të gjithë ata që lëshojnë deklarata kundër partive tjera, pa e parë dhe pa e kritikuar gjendjen e brendshme në LDK, ose nuk duan ta shohin realitetin shkatërrues brenda LDK-së, ose janë në misin për ta shkatërruar LDK-në. Edhe deklaratat në mbrojtje të Isa Mustafës aq sa janë bërë të mërzitshme, po aq shpjegojnë se deklaruesit nuk kanë lidhje me politikën, prandaj përkrahin shkatërruesin e LDK-së. Kreu i "LIDHJES", dhe sojnikët rreth tij, janë bllokues të të gjitha proceseve, partiake e institucionale, sepse duke sjell anarkinë ata shpresojnë se po e rikthejnë ndikimin e logjikës serbe në Kosovë. LDKja por edhe Kosova kurrë s'kanë qenë më keq se sa prej se Isa Mustafa e ka pushtuar kreun e partisë. Prej ardhjes së tij në krye të LDK-së, kjo parti ka pësuar vetëm rënie, por ai nuk dorëhiqet, sepse ka mision për ta shkatërruar deri në fund LDK-në. Janë këto disa nga arsyet pse ai humbjen e shet për fitore, madje kështu na ka kujtuar mitin serb mbi Betejën e Kosovës në të cilin Kryqëzatat Ortodokse e kanë humbur atë betejë, ndërsa Kosova është lodhur me ato Kryqëzata të cilat për çdo vit po valëvitin në Gazimestan, për ta shënuar si fitore tragjiken e humbjes?!

Kryqëzatat Ortodokse në ofensivë kundër prezencës amerikane në Kosovë

Kjo filozofi e mashtrimit është devalvimi i një koncepti politik, është abuzim me demokracinë dhe lirinë e Kosovës, andaj alibia për bunkerizim të "LIDHJES", se qenka e rrezikuar, nga armiku i jashtëm, na sjell në mendje metodologjinë e Enver Hoxhës, në kohën kur i ndërtonte bunkerët. Edhe Isa Mustafa shprehet si diktatori Enver Hoxha: Se LDK-ja nuk paska nevojë me bërë reforma, është një filozofi mashtruese që bazament ka logjikën e "Kryqëzatave Ortodokse", për ta shkatërruar LDK-në si parti shtetformuese, dhe filozofinë "Rugoviane", si koncepti më i pranueshëm Euro Perëndimor! Kjo luftë kaq e ashpër po bëhet kundër Lirisë së Kosovës, por edhe kundër prezencës Amerikane në Kosovë, prandaj Kryqëzatat, janë në funksion të politikave antiamerikane për ta rikthyer ndikimin serb në Kosovë?! Kryesia e "LIDHJES", e ka legjitimitetin e kontestuar, të gjithë vartësit e diktatorit gjithashtu, prandaj ata duhet të largohen nga LDK-ja, për t'iu hapur udhë reformave në parti. Sigurisht edhe tendenca për ta zhbërë "Gjykatën Speciale" i ka rrënjët tek veprimet e shërbimeve të fshehta, qofshin ato të BIA-s serbe a të tjera, por siç u orkestrua loja në Parlamentin e Kosovës, dhe mburrja e Isa Mustafës dhe sojnikëve të tij, se ata e shpëtuan Kosovën nga "Puçi", nuk është gjë tjetër vetëm një lojë dashakeqe që e kanë kundër Amerikës, gjersa ta ngufasin qëllimin e tyre të mirë. Si mund të quhet "Puçi kundër Vetvetes", përpjekja e shërbimeve të fshehta për ta zhytur zyrtarisht Kosovën në batak dhe për të krijuar hendekun e madh me Amerikën, të një populli i cili njihet si më Pro-Amerikan në botë. Andaj përpjekja zyrtare për ta zhbërë një vendim që vet e kanë miratuar dhe e kanë nënshkruar është tregues i qartë se testi "PISA", ka qenë i saktë kur dijen dhe arsimin në Kosovë e ka vlerësuar shumë keq. Mendoj se me këto përpjekje, ma të ashpra antiamerikane, duhet të merret edhe Gjykata Speciale, sikurse që duhet të merret edhe me milioneret e shumtë, me gazetarët milioner dhe me të gjitha vdekjet e porositura gjerë në ditët e sotme! Nga ky kontest, mendojmë se një hulumtim për "puçin" politik që ka ndodhur brenda LDK-së, është me interes për të ditur sa janë implikuar shërbimit dhe grupet radikale antiamerikane, të cilat tashti imitojnë dashuri deri në ngufatje për Amerikën. Tashmë në Kosovë, demokracia po dhunohet në sytë e ndërkombëtarëve. Kosova dhe kosovarët duan mbështetje e përkrahje për ta rikthyer demokracinë nga kapsit e gjithfarshëm, prandaj i bëjmë thirrje SHBA-s, veçmas Ambasadorit të Amerikës në Kosovë dhe atij të Mbretërisë së Bashkuar, që t'iu shmangen retorikave në deklaratat e tyre, por le ta rikthejnë pragmatizmin e veprimit, duke e ndryshuar kursin e tyre ndaj elitës së korruptuar politike, ndaj atyre që janë haptas e ku fshehtas kundër Lirisë, Demokracisë dhe kundër interesave gjeostrategjike Amerikane në Kosovë. Amerika duhet të ndryshojë kursin kundër gjithë elitës politike e cila nuk i ka zbatuar rregullat e brendshme demokratike për tu avancuar në funksione partiake e nga aty jo vetëm që e kanë dhunuar demokracinë në sytë e Bashkësisë Ndërkombëtare, por i kanë dërguar emisarët e tyre në vendet udhëheqëse ku nga lart po luajnë me demokracinë dhe po tallen jo vetëm me Kosovën, por po tallen edhe me vet Amerikën, me Gjykatën Speciale dhe me rendin e Demokracisë Botërore! Janë këto dhe shumë argumente të tjera pse mund të konkludojmë se "LIDHJA", ka përmbysur demokracinë brenda LDK-së, më qëllime të porositura, ndërsa i ashtuquajtur "Grupi për Reforma" të brendshme në LDK, duket të kenë qenë strukturë e fshehtë që kanë orkestruar demokraci të imituar, por me paramendimin e studiuar mirë, nëse diktatori nuk mundet, ata duhet ta vazhdojnë misionin për ta shkatërruar sa ma shumë LDK-në dhe Rugovizmin, si koncept politik dhe filozofik!

Frika nga SHIK-u dhe përçarja në LVV

Frika nga SHIK-u dhe akuza kundër SHIKut e kanë mbuluar skemën politike dhe mediatike të Kosovës. Frika nga kjo Organizatë ua ka kallë strallin të gjithëve. Akuzat e shumta dhe tejet shqetësuese e kanë mbuluar skemën mediatike të Kosovës. Vazhdimisht struktura e LDK-së, veçmas Isa Mustafa ka akuzuar SHIK-un, madje edhe në pushtet ka ardhur duke akuzuar SHIK-un si vrasës, dhe pat garantuar elektoratin e LDK-së, se nëse ai vjen në pushtet, dhe nëse ai do të bëhet Kryeministër i Kosovës, do t'i zbardhë të gjitha vrasjet politike. Por në fakt, ai fitoi dhe u bë Kryeministër i Kosovës, kurse gjatë mandatit të tij nuk pati asnjë iniciativë për t'i hetuar këto raste. Paradoksi i gjithë kësaj loje është bërë kur as disa nga familjarët e viktimave nuk patën interes për tu hetuar dhe zbardhur rastet në fjalë, kurse iniciativën e deputetëve të Lëvizjes "Vetëvendosje", për ta hetuar SHIK-un, nuk u përkrahën deputetët e LDK-së, përkundrazi e kanë bllokuar këtë nismë të tyre. Madje këta deputet e këto struktura, duke e përfshirë edhe Isa Mustafën, nuk e shpjeguan kurrë pse heshtën. Por menjëherë pas rrëzimit të Isa Mustafës nga posti i kryeministrit, edhe vet ai, por edhe vartësit e tij Abdullah Hoti, Arban Abrashi dhe të tjerë i shpeshtuan zërat duke e akuzuar SHIK-un si fajtore për vrasjet politike në Kosovë, gjë që ka irrituar elektoratin e LDK-së, pasi Isa Mustafa dhe suita e tij politikisht kanë bërë vrasje të dytë duke i harruar nëpër tribunat në fushata zgjedhore, në të cilat strukturat e LIDHJES, abuzonin me të gjitha proceset demokratike e morale që i ka kultivar LDK-ja në kohën e Ibrahim Rugovës. Mos hetimi i SHIK-ut, dhe veçmas mosgatishmëria e LDK-së për tu hetuar kjo organizatë, sidomos "defatorja", që është juriste, e arsyetoi me gjoja falsifikimin e së vërtetës së mundshme, pasi ato komisione hetuese parlamentare në shumicë qenkan nga radhët e PDK-së. Por indikacionet e shumta shpien nga involvimi i mundshëm i Shërbimit Sekret Serb - BIA, në këto vrasje të cilat ka mundësi të jenë bërë në emër të SHIK-ut, për ta tensionuar klimën edhe ashtu përplot tensione në Kosovën e pasluftës në njërën anë, dhe në anën tjetër, për ta dobësuar sa ma shumë ndikimin e LDK-së në skenën politike të Kosovës. Mosgatishmëria e LDK-së për ta hetuar SHIK-un ka të bëjë vetëm me implikimet e BIA-s serbe në këto procese dhe asgjë ma shumë, sepse ndaj familjeve të tyre dhe familjeve të heronjve, LDK-ja është sjellë në mënyrë kriminale, pa u merakosur se ky përjashtim po bëhet sipas planimetrisë së shërbimeve serbe, të cilat nuk do të mundet me i arsyetuar LDK-ja kurrë. Zgjedhjet Nacionale, të 11 qershorit 2017, e nxorën LVV, partinë ma të madhe në Kosovë, sado që kundrejt dy koalicioneve ajo mbeti në vendin e dytë. Rritjes së LVV, nuk iu gëzua as PDK-ja por as LDK-ja, të cilat qartë e panë rënien e ndikimit të tyre në Kosovë. Tash nëse nga ky prizëm iu rikthehemi atyre zhvillimeve do të shohim një lëvizje marramendëse e mediave në Kosovë, analistëve dhe gazetarëve udbashë, të cilët krijuan hendekun në mes LVV dhe PAN, pasi interesi i tyre sigurisht përkonte edhe me interesin e Serbisë, i cili ishte që të mos e krijojnë një parlament të fuqishëm shqiptarët, ku do ta hiqnin nga ndikimin Listën Serbe. I gjithë skenari i mediave kosovare, i analistëve të shumtë përfundoi duke e bërë të pamundur LVV të jetë pjesë e qeverisë së Kosovës, dhe më pas për ta përçarë sikur dikur LDK-në, gjë që haptas është shprehur nga të gjitha qarqet pro serbe e filoserbe që flasin shqip në Kosovë. Në zgjedhjet për Pushtetin Lokal u pa një rënie e dukshme e LVV-së, por jo deri në atë shkallë sa e kanë dëshiruar qarqet filoserbe në Kosovë, prandaj do ta bëjnë skenarin e përçarjes e cila nuk ka mundur të ndodhë pa ndikimin e fuqishëm pikërisht të mediave dhe "ekspertëve filoserbë" të cilët Kosovën e kanë sjell buzë kolapsit, për t'i thënë Amerikës se investimi i tyre në Kosovë ka qen i gabuar dhe për ta zbehur sa ma shumë ndikimin amerikan në Kosovë. Por SHIK-u duhet parë edhe nga një prizëm tjetër i cili na bënë për të dyshuar edhe ma shumë nëse vërtetë kjo organizatë i ka bërë të gjitha vrasjet vet, apo janë bërë nën maskën e SHIK-ut. Si duket, vrasje me motive politike ka bërë edhe Shërbimi Sekret Serb - BIA, përndryshe nuk ka kuptim bllokimi i iniciativës së LVV-së për tu hetuar SHIK-u?! Për vrasje publike është akuzuar vazhdimisht SHIK-u, kurse si urdhërdhënës Kadri Veseli, i cili ka pasuar Hashim Thaçin si kryetar i PDK-së. Në Zgjedhjet Nacionale, koalicioni PAN nuk i korri rezultatet e pritura, kurse ndikimi i PDK-së në atë koalicion ka rënë edhe ma keq se sa në vitin 2000. Tash shtrohet pyetja logjike, si ka mundësi SHIK-u i Kadri Veselit të mos i ndihmonte Shefit të vet?! Kjo gjendje shqetësuese për fatin e PDK-së, u pa edhe në zgjedhjet për Pushtetin Lokal të 22 tetorit 2017, në të cilat qartë u dëshmua rënia e PDK-së të cilës i printe Kadri Veseli. Grotesku i këtyre zhvillimeve u thellua në raundin e dytë për balotazh, ku PDK-ja nuk e fitoi Prizrenin, por e humbi edhe Mitrovicën, vendlindjen e Bosit, Babait, Shefit dhe urdhërdhënësit të SHIK-ut e kështu me radhë. E SHIK-u i tij, edhe kësaj radhe qëndroi duarkryq, nuk shpërndau grushte e as shuplak ndaj militantëve të LVV-së, as nuk vrau askënd por e la në mëshirën e fatit shefin e vet, i cili ka pësuar humbje të thellë dhe shqetë- suese në zgjedhjet e vitit 2017. Një pyetje logjike duhet të shtrohet dhe të kihet parasysh në hetimet e ma vonshme: Ka apo s'ka SHIK?! Këtë dyshim për mua e kanë shtuar zërat agresiv që vijnë nga LIDHJA e Isa Mustafës dhe do farë individësh të cilët vazhdimisht llomotitin nëpër rrjetet sociale. Pastaj mos gatishmëria e deputetëve të LDK-së për tu hetuar SHIK, e shton dyshimin, po më shumë mos interesimi i vet Isa Mustafës për t'i hetuar vrasjet e karakterit politik sa ishte Kryeministër i Kosovës. Kadri Veseli dhe vet PDK-ja, janë deklaruar diku në vitin 2008 se SHIK-u është shpërbërë?! Tashmë ka ardhur koha për t'u bërë një hetim i nivelit të lartë dhe më profesional, për të parë nëse kanë pas dorë në vrasjet politike përveç SHIK-ut edhe Shërbimi Sekret Serb, dhe sa janë të implikuar edhe strukturat mediatike dhe ato politike, të cilat po errësojnë Lirinë e Kosovës.

Dorëheqjet zinxhirore dhe marrja e përgjegjë- sive për dështimin e LDK-së

Janari i vitit 2018, duhet ta gjejë LDK-në në dorëheqje zinxhirore, sepse Isa Mustafa është në mision shkatërrues, çdo veprim i tij është hakmarrje kundër LDKsë, e cila atij ia prishi punët me "vëllazërinë serbe", prandaj partia e dr. Ibrahim Rugovës, e cila me sukses e shkatërroi Jugosllavinë, tash po shkatërrohet nga komplotisti komunist, Isa Mustafa, i cili është në krye të misionit. Tashmë ai ka shkelur të gjithë, edhe "Grupin për Reforma" të brendshme, të cilët tashmë po tregohen më të ashpër dhe më të egër se sa shefi i tyre, gjë që shpresat për t'u reformuar LDK-ja nga ky "Grup shkatërrues", tashmë janë fikur. Iniciativa dhe guximi mungon, kudo nëpër Degë dhe Nëndegë s'ka asnjë lëvizje. Si duket shërbimet rrënuese kanë prekur çdo pore të LDK-së, prandaj Viti 2018, nuk do të jetë viti i mbarë për Kosovën e as për LDK-në, e aq më pak i reformave të partisë, të cilës po i prijnë struktura të kalbura nga sistemi i titizmit jugosllav. Kjo logjikë e shtetrrënimit po dëshmohet se ka aftësi për t'i stagnuar proceset dhe për ta ngatërruar Kosovën në të gjitha zhvillimet e saj, me interesat amerikane në Kosovë! Mashtrimi si parim komunist dhe demagogjia për reforma i përmbysen idealet për një LDK ma të mirë, të fortë e shtetformuese. Këto veprime antidemokratike nuk janë arritur pa përkrahës të shumtë dhe të gjithanshëm. Sidomos përgjegjësia bie mbi "Grupin për Reforma" të brendshme në LDK, i cili ka ndikuar në këto deformime në LDK. Pastaj janë militantët nga Fondi i Tre-përqindëshit dhe nga Fondi i "Huas Popullore", bashkë me një pjesë të mediave dhe disa gazetarë udbshë, të njohur që nga viti 1981, për politikat e tyre diskredituese. Ky rrjet i "Isizmit", i ka deputetët e vet në Parlamentin e Kosovës, të cilët ngritin dorë e nënshkruajnë secilin dokument që ua dikton Isa Mustafa, prandaj ata nuk përfaqësojnë filozofie politike të LDK-së. Është edhe një garniturë tjetër të cilët vetën e konsiderojnë si "Oficerë për çështje të sigurisë", të cilët merren me shpifje e shantazhime që i kanë pranuar publikisht. Kjo gjendje është shqetësuese, kur në Kosovë ka përkrahës pa pagesë, të cilët si duket nëpër gjenet e tyre e kanë sindromën e shkatërrimit dhe shtetrrënimit, prandaj hë për hë Reformat në LDK, kanë mbetur në mëshirën e Zotit!...

Epilogu

Epilogu i këtyre trajtesave ka të bëjë me filozofinë e pastrimit të vetvetes, pastrimit të shtëpisë dhe oborrit të vet. Ndërsa për mua shtëpi dhe oborr është LDK-ja, këtë përpjekje filozofike e kam zhvilluar mjaftë, do të ishte fat nëse edhe të tjerë pasi të merren me oborrin e fqinjit ta shikojnë gjendjen në oborrin e vet, po kështu duhet të veprojnë politikanët e LDK-së të cilëve nuk iu ka bash hije të përqeshin të tjerët kur maskarallëku e ka mbuluar LDK-në e cila duhet pastruar! Ndërsa epilogu i kësaj trajtese lidhet me gjendjen faktike, si rezultat i dështimit të sistemit të sigurisë dhe drejtësisë në shkallë kombëtare. Shkalla kaq e lartë e korrupsionit, nepotizmit, servilizmit dhe vobektësia ka shndërruar Kosovën në një vend ku prodhon pasiguri totale, ku ikin investitorët gjigant, ku rinia fizikisht është në Kosovë por me mendje, si ta gjej udhën për ta braktisur sa ma parë Kosovën. Po këtë mendje e ndajnë edhe shtresa intelektuale e cila mëton për t'i zhvilluar hulumtimet dhe eksploruar dijet e tyre në vende ku iu hapin horizonte për karrierë e hulumtime. Në këto rrethana të dështimit të drejtësisë dhe sigurisë, funksionalizimi sa më i shpejtë i Gjykatës Speciale është domosdoshmëri si nevojë urgjente për ta shpëtuar Kosovën. Por kjo gjykatë hetimet e saj duhet t'i zgjerojë edhe në fushëveprimin në sferën e korrupsionit dhe spiunazhit masiv, për të dhënë sinjale se në këtë vend, ma në fund do të fillon funksionimi i ligjit para të cilit të gjithë janë të barabartë, kurse përgjegjësia për fjalën publike do të kontrollohet ma shumë. Do të ishte me interes që zyrtarët e korruptuar të gjykohen jo vetëm për gjërat e vjedhura, por edhe për dështimet masive, siç është rasti i Isa Mustafës i cili e ka sjell LDK-në në ketë gjendje, me paramendimin për ta dështuar Kosovën në të gjitha proceset integruese në BE dhe organizata të tjera ndërkombëtare në njërën anë, dhe në anën tjetër për t'ia vështirë- suar Amerikës që t'i zgjerojë kufijtë e demokracisë edhe në Kosovën tonë dhe përgjithësisht në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor! /Fund/

(Kosova Sot)