A do t'i shpëtojë VV-ja "apokalipsit" të orkestruar!?

A do t'i shpëtojë VV-ja
  • 14 January 2018 - 07:43

SHKRUAN: FLORIM ZEQA

Sikur ne shqiptarët të kishim afinitetin e bashkimit, dashurisë dhe respektin ndaj njëri-tjetrit, siç e kemi të zgjuar ndjenjën e urrejtjes, të ndarjes dhe përçarjes sot do të ishim njëri ndër popujt më të civilizuar të botës dhe faktori kyç i të gjitha zhvillimeve politike jo vetëm në Ballkan, por në mbarë kontinentin Evropian. Lufta e fundit, e në veçanti paslufta na i nxori në shesh të gjitha dobësitë tona. Mbështetjen e fituar ndërkombëtare në saje të një lidershipi të urtë dhe të përgjegjshëm, vizionar dhe pragmatik, siç ishte presidenti historik, Ibrahim Rugova, për çlirimin e vendit nga robëria shekullore dhe pavarësimin e shtetit tonë nga Serbia, gradualisht jemi duke e humbur me këta mistrecët e vegjël, kusarët dhe matrapazët politikë, të cilët jo vetëm që nuk marrin gjë vesh nga politika, e gërryen shtetin duke plaçkitur çdo gjë publike dhe shtetërore. Vënia e interesit personal para interesit të shtetit ishte prioritet i të gjitha qeverive të pasluftës, respektivisht i 6 legjislaturave të deritanishme të Kuvendit të Kosovës, ku të zgjedhurit e popullit (deputetët) në vend të mbrojtjes së interesave të qytetarëve u shndërruan në instrument të pushtetarëve, duke mos quajtur asnjëherë hallin e qytetarëve, fatin e parasë publike dhe as të ardhmen e shtetit. Si pasojë e kësaj situate, e kemi këtë gjendje tejet dëshpëruese dhe të pashpresë në vendin tonë. Kështu pra, jo vetëm nga "çlirimtarët", por edhe nga "institucionalistët", për afro 20 vjet rresht shteti i Kosovës u trajtua si plaçkë lufte e jo si atdhe i politikanëve, qofshin ata në pushtet apo opozitë.

Dualizmi në udhëheqjen e VV-së

 Sindromi i ndarjes fatkeqe të subjekteve politike fillon pas shkuarjes në amshim të presidentit historik Ibrahim Rugova, gjegjësisht me LDKnë në Kuvendin VI zgjedhor të saj, ku ndodhi ndarja e dhimbshme e këtij subjekti politik, i cili edhe në ditët e sotme po lëngon nga ajo ndarje fatkeqe. Pas kësaj, patëm ndarje dhe shthurje totale të subjekteve të vogla politike, derisa ndodhi ndarja tjetër e subjektit të madh politik-PDK-së, ku eksponentët dhe themeltarët e këtij subjekti politik u ndanë për të formuar një nismë të re politike, e cila edhe pas shumë viteve ende ndodhet në margjinat e saj, si një nga subjektet më të vogla politike në vend. Fuqizimi i Lëvizjes 'Vetëvendosje' në zgjedhjet e fundit nacionale të qershorit të vitit të kaluar ishte surpriza më e këndshme dhe shpresa për një ndryshim jo aq shumë të dëshiruar nga popullata por si e vetmja mundësi për largimin e së keqes së instaluar në këtë vend tani e 19 vite më parë. E thashë pikërisht kështu, pasi bashkimi i LDK-së në qeverisje me uzurpatorët e shtetit u kishte dhënë fund të gjitha shpresave të qytetarëve për ndryshime pozitive në vendin tonë. Kështu, Lëvizja 'Vetëvendosje', si subjekti më i madh politik, i pasprovuar deri më tani në qeverisjen qendrore kishte mbetur shpresa e vetme për ndryshimin e kursit qeverisës në vendin tonë. Qeverisja teknokrate në komunën e Prishtinës në njërën anë dhe dualizmi në udhëheqjen e VV-së i shkaktuan tronditjen më të thellë këtij subjekti politik (organizate politike), e cila, për të mos thënë të pamundur, do ta ketë të vështirë të rimarrë veten pas "apokalipsit" të dorëheqjeve, ndarjeve dhe përçarjeve të thella në këtë subjekt politik. Përderisa dorëheqjet në VV shihen qartë se janë të orkestruara, enigmë mbetet dirigjenti i tyre, gjegjësisht shkaktari i "apokalipsit" në këtë organizatë!

Ndarja e "shapit nga sheqeri", i vetmi shpëtim për VV-në

 E kam thënë edhe në një rast, po e përsëris prapë, tërheqja e zotit Albin Kurti nga posti i kryetarit të VV-së ishte akt i pamenduar mirë, konsekuencat e të cilit veprim po i vuan sot VV-ja, me ç'rast Kurtit i doli gjithç- ka nga kontrolli! Në anën tjetër edhe hapja e dyerve për të gjithë të arratisurit nga partitë e tjera, çoi në grumbullimin e llumit nga të gjitha anët "lumit"! Kur kësaj i shtohen edhe personat me dosje të dyshimta, të akuzuar për korrupsion dhe krim të organizuar gjersa ishin në partitë e tjera e rëndoi akoma më tepër situatën në këtë subjekt politik. Dorëheqjet e figurave qendrore dhe kryetarit të VVsë nuk është se janë akte morale as ndërgjegjësimi, por janë ngatërrim i koncepteve politike dhe ambicieve për krijim të monopolit politik në VV. Si do që të jetë,LVV-ja dhe lideri i saj, Albin Kurti, ndodhen para një sprove historike, të pastrimit të kësaj organizate nga figurat e dyshimta, të lidhura me korporatat e inkriminuara biznesore dhe të korruptuarit politik apo të mbetjes peng i oligarkëve ekonomikë, këtij sindromi kancerogjen të shkatërrimit të shtetit dhe ekonomisë vendore. Vetëm ndarja e "shapit nga sheqeri" mund ta shpëtojë VV-në nga katandisja e mëtutjeshme dhe kthimin e besimit në elektoratin e saj. Në të kundërtën kjo organizatë e profilit të majtë politik, përveç rënies enorme në elektorat, rrezikon shthurjen totale të saj. Pasojat e sindromit ndarës të skenës politike kosovare, të kësaj klase politike të korruptuar, të shantazhuar nga Serbia dhe nënshtruar nga bizneset e inkriminuara, do t'i i vuajë popullata me varfëri dhe izolim akoma më të gjatë ndërkombëtar. Për fund edhe një konstatim hipotetik, partitë në pushtet dhe opozitë, rivale të VV-së, duke e parë fuqizimin e saj nga zgjedhjet nacionale të 11 qershorit 2017, kur ky subjekt doli fitues moral i zgjedhjeve përballë dy koalicioneve të mëdha, mund të jenë të implikuara subjekte vendore dhe ndërkombëtare në minimin e saj si nga brenda ashtu edhe nga jashtë! Në Kosovën e pasluftës të gjitha partitë politike me përjashtim të Lëvizjes 'Vetëvendosje' u bënë "Përrallë me tupan", duke vrapuar pas pushtetit në gjysmë-shtet! I vetmi subjekt politik, i cili u qëndroi besnik parimeve dhe elektoratit të saj, është Lëvizja 'Vetëvendosje', duke mbrojtur parimet dhe deklarimet publike, elemente këto që mund ta mbajnë këtë subjekt akoma unik dhe kredibil para elektoratit kosovar. Po ashtu enigmë mbetet fakti se si do të funksionojë VV-ja pas "apokalipsit", a do të mbetet edhe më tutje organizatë apo do të profilizohet si parti politike e qendrës së majtë! Pavarësisht zgjidhjes që do të gjejnë drejtuesit e saj në të ardhmen, "apokalipsi" VV-së përveç freskisë do t'i sjellë edhe pastrimin nga jashtëqitjet e partive të tjera, ristrukturimin dhe reformimin më substancial, siç ka ndodhur deri më tani tek subjektet tjera politike. Rasti i fundit i përçarjes dhe dorëheqjeve në VV e dëshmoi katërçipërisht se kuantiteti asnjëherë nuk i garanton cilësinë dhe suksesin e një subjekti politik. Janë parimet e shëndosha, demokracia e brendshme dhe qëndrueshmëria në veprime që përcaktojnë të ardhmen e sigurt të subjekteve politike. Situata e krijuar në skenën politike, ku përveç VV-së era e përçarjeve të thella po fyen edhe në PDK, shkaku i Speciales,...përderisa AAK-ja nuk dihet se në cilën pjesë të "oqeanit" do të lundrojë pas dështimit në shfuqizimin e Gjykatës Speciale,...kurse LDK-së i mungon guximi dhe fuqia vepruese në zbardhjen e vrasjeve të veprimtarëve të saj gjatë dhe pasluftës shkaku i mungesës së reformave të brendshme, të cilat edhe do t'i kthenin namin që kishte dikur në skenën politike kosovare! Andaj, pashmangshëm rrjedh konstatimi logjik; do të ishte iluzive t'u besohet tutje partive politike dhe liderëve që nuk janë të zotët të realizojnë reforma brenda subjekteve që drejtojnë, e lërë më të krijojnë konsensus ndërpartiak për tema madhore për vendin.

(Kosova Sot)