Kosova e sunduar nga marionetat kuislinge të Serbisë

Kosova e sunduar nga marionetat kuislinge të Serbisë
  • 22 January 2018 - 08:39

Amerika e as Evropa nuk e duan një Kosovë ku kriminelët shëtisin lirshëm 

SHKRUAN: RESHAT SAHITAJ

Këta muajt e fundit diplomacia kosovare është duke shkuar drejt vetëpërmbysjes, për qëllime të një klani të caktuar individësh, prej të cilëve disa janë në pushtet e disa "eminenca gris".

Kosova u çlirua nga Serbia dhe u robërua nga shqiptaria

Është shumë e rëndë të thuhet se Kosova është robëruar nga vetë ne shqiptarët, mirëpo dikush duhet të ketë guxim të tregojë realitetin, pavarësisht së mund t'i kushtojë me jetë, në këto kushte e rrethana misterioze, që nga errësira enigmatike, por marrin dirigjime disa pushtetarë tanë. Këtë që po e shkruaj secili shqiptar e di, por asnjëri nuk ka guxim ta thotë publikisht, sepse pasojnë sanksionet ndaj atyre që marrin guxim. Çdo njeri e di se arsimi në Kosovë nuk është në nivelin e duhur dhe diplomat merren herë me para e herë me forcë. A është normale kur janë bërë profesorë universitarë disa që as shkollën e mesme nuk e kanë përfunduar?! Në Kosovë sigurimi shëndetësor nuk ekziston, madje me këtë fenomen përballen jo vetëm qytetarët e varfër, por edhe invalidët e luftës, të cilët lanë gjymtyrët e tyre në luftë me armikun, e libreza e veteranit nuk u vlen as për spital e as për të parkuar veturën në parkingun e spitalit - QKUK. Faturat e rrymës janë më të shtrenjta se në Paris e Bruksel, edhe më keq në qytete mungon uji, sikur Kosova të ishte në Afrikë. Në spitalet e Kosovës pacienti jo vetëm që nuk ka barna, por ata duhet t'i marrin rrobat e tyre private, ku më spitalet nuk mund të quhen spitale, por qendra për strehime që improvizohen gjatë ndonjë tërmeti, lufte apo vërshime katastrofale. Sistemi i drejtësisë jofunksional, sepse askush nuk ka guxim të dënojë një individ me influencë politike dhe forcë fizike banditeske. Shumica e medieve janë në shërbim të pushtetit tonë e disa të tjera të kontrolluara e të financuara nga Beogradi, ku në debate televizive ftojnë besnikët e partive ose besnikët e Serbisë, për ta trullosur opinionin tonë. Korrupsioni ka ngulur rrënjët kudo si: në sistemin e drejtësisë, shëndetësi, arsim, ministri gjatë granteve dhe tenderëve të ndryshëm… Serbët e dyshuar për krime lufte lirohen të pafajshëm nga burgu në mungesë të dëshmitarëve dhe provave…. Kjo është Kosova e sotme. Kështu është gjendja ekonomike dhe politike e shqiptarëve në Kosovën e çliruar, ku askush nuk e ka të sigurt punësimin pavarësisht kualifikimit. Shumica e personaliteteve politike pozitë -opozitë janë të papërkushtuar për zhvillimin ekonomik e kulturor të shtetit tonë, sepse janë preokupuar që sa më shumë të zhvatin nga kurrizi i popullit për interesa personale. 

Këshillat euro-amerikane, të papërfillshme për pushtetin

Nuk duhet harruar së UÇK-ja ishte faktor kryesor që botës i dha të kuptojë se populli shqiptar nuk e duron robërinë, më ç'rast SHBA-ja dhe Evropa bombarduan caqet ushtarakepolicore serbe. Dëshiroj ta theksoj se pa intervenimin e SHBA-së dhe Evropës Kosova ende do të qëndronte e robëruar. Shpenzimet më të mëdha të atyre bombardimeve i ka paguar me miliarda dollarë SHBA-ja, mirëpo miliarda të tjerë dollarë për zhvillimin e Kosovës së pasluftës e ka paguar Evropa, andaj çlirimi dhe zhvillimi i Kosovës është rezultat i aleatëve tanë Perëndimorë. SHBA-ja dhe BE-ja e dëshirojnë një Kosovë me sistem demokratik, të zhvilluar ekonomikisht dhe politikisht për tërësinë e popullit shqiptar, e jo vetëm për personalitet politike. Personalitetet politike mund të lëvizin lirshëm kudo në botë me pasaporta diplomatike. Personalitetet politike nuk mund të dënohen nga gjyqtarët tanë! Personalitetet politike shumica janë të korruptuara! Personalitetet politike fëmijët e tyre i dërgojnë të shkollohen jashtë shtetit! Personalitetet politike janë pasuruar skajshmërisht që as vetë nuk ua dinë fundin e pasurisë së tyre. Amerika dhe Evropa nuk e duan një Kosovë ku qytetarët e Kosovës nuk e ndjejnë veten e sigurt. Më 14 prill 2017, ambasadori amerikan, Delawie, qeverisë sonë ia dha dy këshilla: Kosova ta miratojë Ligjin e ri për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale dhe ta miratojë Ligjin e ri për Procedurat Disiplinore për Gjykatësit dhe Prokurorët, kur ky ligj të arrijë në Kuvend. Deputetët e Kosovës refuzuan t'i aprovonin këto ligje. Pse refuzuan?! Refuzuan sepse të burgosurit e "famshëm" të dilnin nga burgu kur të kenë dëshirë me certifikata të rrejshme. Pse nuk u aprovua as Ligji mbi Procedurat Disiplinore për Gjykatësit?! U refuzua në mënyrë që të ketë hapësirë për krijimin e vrimave të zeza për disa gjykatës dhe prokurorë të korruptuar. Delawie pranon se shumica e gjykatësve janë të ndershëm, por në mesin e tyre ka të korruptuar. Si rezultat, personalitetet politike kosovare nuk kanë vullnet të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar politiko-ekonomik. Andaj, as Amerika e as Evropa nuk e duan një Kosovë ku kriminelët shëtisin lirshëm e ku gjykatësit ndikohen nga politika dhe korrupsioni. Tentimet për shfuqizimin e Speciales janë po ashtu dramatike dhe në dëm të shtetit tonë, por assesi në dëm të qytetarëve dhe të veteranëve të luftës. Pse të shqetësohen 60 mijë veteranë për dhjetëra të tjerë që vetëm dyshohen për krime lufte?! Sikur të zhvillohej një anketë e pavarur me të gjithë veteranët, do të rezultojë që shumica e veteranëve do ta përkrahin Specialen e jo shfuqizimin e saj. Shumica e veteranëve janë lënë krejtësisht në mëshirën e fatit të tyre pa asnjë përkujdesje nga shteti ynë, e në të kundërtën e kësaj, ata që ishin bijtë e spiunëve apo spiunët janë të punë- suar kudo, në Qeveri, në Kuvend e në administratë publike, qendrore dhe lokale. Bijtë e veteranëve nuk kanë as kushtet minimale për të jetuar, e lëre që të studiojnë. Shoqatat e dala nga lufta duhet të kujdesën për gjendjen ekonomike e shëndetësore të luftë- tarëve të lirisë e jo për spiunët e Serbisë që i kanë futur në listën e veteranëve për interesa personale apo ndoshta të kushtëzuar nga padroni i tyre.

Deklaratat e pamatura të personaliteteve

Personalitetet politike vazhdimisht dhe pa dallim japin deklarata që e dëmtojnë imazhin e Kosovës. Madje, ata nuk logjikojnë se me fjalime të tilla e rrezikojnë ekzistencën e shtetit tonë. Të tilla deklarata ka shumë që nga Albin Kurti e deri të Nasim Haradinaj. Albin Kurti jo vetëm që i urdhëroi militantët e tij ta ofendonin ambasadoren e SHBA-së në Prishtinë, zonjën Jacobson, por edhe e gjuajtën dhe e tërhiqnin me dhunë. Albin Kurti në një deklaratë urdhëronte Qeverinë e Kosovës dhe të Shqipërisë që të ngrenë zërin për ta mbrojtur Palestinën me një çmenduri histerike : "Situata e krijuar në Rripin e Gazës është tronditëse jo vetëm për popullin palestinez, por për mbarë botën. Lëvizja VETËVENDOSJE u bën thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të Shqipërisë që ta ngrenë zërin për ta kundërshtuar e ndalur këtë masakër dhe për ta mbështetur të drejtën për vetëvendosje të popullit palestinez në të gjitha organizatat ndërkombëtare". Albin Kurtit nuk po i intereson varfëria e tmerrshme që e ka kapluar popullin tonë, e po kërkon ta drejtojë botën! Kjo ishte një deklaratë absurde; së pari Kosova nuk ka kapacitet të ngrejë zërin për masakrat që serbët i bënë në Kosovë e po kërkon drejtësi për palestinezët që nuk e kanë njohur shtetin tonë! Në anën tjetër Hashim Thaçi, më 26 tetor 2017, deklaroi: "Unë jam pritur me flamurin e Kosovës në selitë e BE-së, ndërsa tash nuk pritet askush me flamur, ka regres, sikur kamuflohet realiteti i Kosovës së pavarur e sovrane, por sido që të jetë ne duhet të punojmë për liberalizimin e vizave, sepse s'kemi alternativë tjetër". Në deklaratën e tij Hashim Thaçi është më i matur dhe nuk e shpreh tërë pezmin kundër BE-së, për të ruajtur më vonë të shpërthejë në rast nevoje. 

Nasim Haradinaj nuk i nderon luftëtarët

Nga këto e shumë të tjera të pacituara është deklarata e fundit e Nasim Haradinajt, më destruktive dhe kurrë më parë e thënë nga një shqiptar. Të quash ambasadorin amerikan "palaço" është jo çmenduri, por deklaratë qëllimkeqe dhe antishqiptare. Nasim Haradinaj është një individ normal dhe ai këtë deklaratë e konsideron normale. Mirëpo Nasim Haradinaj nuk do të kishte deklaruar në këtë mënyrë sikur atij të mos ia kishte pëshpëritur në veshët e tij ndonjë personalitet i qeverisë. Sikur Nasim Haradinaj të ishte i vetëdijshëm se më këtë deklaratë po e rrezikon shtetin e Kosovës, ai nuk do ta kishte thënë. Sikur Nasim Haradinaj të ishte koshient se deklarata e tij rëndë e ka dëmtuar shtetin e Kosovës, ai do të pendohej menjëherë. Mirëpo Nasim Haradinaj e ka mbështetjen e një padroni të cilit i beson verbërisht, duke menduar se padronit të tij amerikanët i kanë thënë të deklarojë ashtu. Sikur Nasim Haradinaj të mos e kishte mbështetjen morale dhe materiale të figurave kyçe të shtetit, ndaj tij do të merreshin masa ndëshkuese e do të ishte përjashtuar nga çdo funksion. Kryesia e veteranëve është dashur që urgjentisht ta largojnë këtë individ nga posti që e mban. Nasim Haradianj i ka bërë dy gabime të pafalshme: e para kur deklaroi kundër pjesës së dëshmorëve të LDK-së, më të cilën deklaratë nxiti urrejtje ndërshqiptare për luftë civile. E dyta, deklarata e tij kundër ambasadorit amerikan është destruktive që i shkon për shtati politikës së Rusisë dhe Serbisë. Qe nga paslufta e deri sot, askush publikisht nuk është shprehur kundër amerikanëve dhe evropianëve. Në anën tjetër, Kadri Veseli deklaroi se ushtria jonë do të shkojë deri në Nish. Këto janë pollavra! Ne e dimë kapacitetin e ushtrisë sonë dhe jo vetëm që nuk mund të shkojmë askund, por do i marrim rrugët e ikjes e nuk do të na ndalojnë as Shkupi e as Tirana. Nëse amerikanët e lëshojnë Kosovën, ne nuk jemi në gjendje t'i qëndrojmë as dy ditë ushtrisë serbe. Po kujt po i shesim mend?! Ne jemi të aftë të vrasim njëri-tjetrin, këtë e kemi konfirmuar edhe gjatë luftës së fundit. Ne e dimë se gjatë luftës nuk janë vrarë spiunët shqiptarë, sepse spiunët si Vesel Krasniqi e të tjerë janë mbrojtur pikërisht nga shefat e luftës dhe ende mbrohen nga të gjitha qeveritë tona. Deklaratat e tilla u ndihmojnë Rusisë dhe Serbisë, siç do të lexoni në vijim se çka mendon eksperti i çështjeve ballkanike, David Phillips:"Rusia po përpiqet ta fusë Ballkanin brenda sferës së saj të influencës. Rusia, në mënyrë sistematike, është duke mbështetur regjime anti-perëndimore, duke u përpjekur të minojë ndikimin amerikan; synimi i Rusisë është t'i errësojë sytë e Perëndimit, për të penguar rrugën e integrimeve euroatlantike në vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe më në fund për të kthyer mbrapsht statusin e Kosovës si një shtet sovran e i pavarur". Mendoj se është e tepërt të komentohen fjalët e ekspertëve perëndimorë mbi situatën në Kosovë. Nëse ne vazhdojmë siç jemi duke vazhduar, atëherë Kosovën e presin ditë të zeza për fajin e disa dhjetëra personalitetesh politike të rekrutuara nga Serbia, që Kosova kurrë të mos jetë stabile dhe vend i sigurt për qytetarët e saj. 

(Kosova Sot)