Pse Kim Jong-Un dëshironte bisedime me Korenë Jugore?

Pse Kim Jong-Un dëshironte bisedime me Korenë Jugore?
  • 23 January 2018 - 09:50

E KA FILLUAR JANARIN ME NJË OFENSIVË DIPLOMATIKE

Hapja ndaj dialogut, natyrisht, është një sinjal mesatarisht pozitiv

Shkruan: Peter Apps

Vitin e kaluar, Kim Jong- Un e tronditi botën me shpejtësinë e papritur të zhvillimit të raketave bërthamore; me shtypjen brutale të kundërshtarëve të tij, si dhe me urdhrin për vrasjen e vëllait të tij nga baba, me anë të një agjenti nervor kimik. Këtë vit, lideri i Koresë Veriore ka filluar janarin me një ofensivë diplomatike, por kjo nuk nënkupton ndryshim të strategjisë. Zyrtarët e Koresë Veriore u takuan me homologët e tyre jugorë të martën për herë të parë për bisedime të tilla, pas dy vjetësh. Rezultat i këtyre bisedimeve ishte një marrëveshje për të dërguar një delegacion në Olimpiadën dimërore, e cila do të mbahet muajin e ardhshëm në Korenë Jugore, si dhe për mbajtjen e bisedimeve midis ministrave. Hapja ndaj dialogut, natyrisht, është një sinjal mesatarisht pozitiv. Por, asgjë prej kësaj nuk dmth se Koreja Veriore ka ndonjë qëllim për ngadalësimin e rrugëtimit të saj drejt prodhimit të raketave edhe më të fuqishme bërthamore, sidomos të atyre që do t'ia mundësonin asaj goditjen e SHBA-së. Në vend të kësaj, duket se Penjani është duke ndjekur një strategji të qëllimshme dhe gjithnjë e më të suksesshme për futjen e pykave midis Uashingtonit dhe Koresë Jugore. 

Demonstrimi i forcës

Ky është një veprim, i cili komplikon pozitën e administratës Trump, duke e vështirësuar, apo ndoshta edhe pamundësuar, veprimin direkt ushtarak amerikan kundër regjimit të Kimit. Seuli dhe Uashingtoni janë aleatë të kahershëm, me një marrëveshje formale të mbrojtjes, e cila daton që nga armëpushimi korean, i vitit 1953. Prania e vazhdueshme e trupave amerikane në Korenë jugore, është konsideruar vital për mbijetesën e Koresë Jugore. Në të njëjtën kohë, megjithatë, ata kanë prioritete të ndryshme. Uashingtoni - e sidomos administrata Trump - e kanë bërë të qartë se qëllimi i tij kryesor është pengimi i Koresë veriore nga fitimi i aftësisë për të sulmuar tokën e SHBA-së. Në anën tjetër, Koreja Jugore tanimë gjendet brenda distancës goditëse të arsenalit të fuqishëm konvencional, bërthamor dhe, ndoshta edhe kimik dhe biologjik. Kështu, derisa ndokush në Uashington mund të rrezikojë, apo edhe ta preferojë luftën për ta evituar rrezikimin e tokës amerikane, Seuli nuk ka apetit për një strategji të tillë të rrezikshme. Kryesisht me urdhër të SHBA-së, negociatorët e Koresë së jugut e kanë bërë 'denuklearizimin' e gadishullit - që dmth çarmatimin e Koresë Veriore - pjesë kryesore të ofertës së tyre diplomatike. Veriu ka deklaruar se kjo nuk është në tavolinë të bisedimeve. Por, negociatori i saj kryesor po ashtu ishte brutalisht i qartë - armët e tilla ekzistojnë në arsenalin e Koresë Veriore për t'u drejtuar kah SHBA-ja, e jo kah 'vëllezërit' e Koresë jugore. E vërteta është se ka limite serioze për atë se deri ku mundet Koreja Veriore t'i ndajë Korenë Jugore dhe SHBA-në. Presidenti i Koresë Jugore, Moon Jaein mund të jetë më i hapur ndaj ripërtëritjes së lidhjeve me veriun, sesa shumë paraardhës të tij në këtë post, por Koreja Jugore mbetet shumë e varur nga prania e trupave amerikane, për mbrojtjen e saj, e edhe më e varur nga shitja e armëve amerikane. Deri në një masë, disa analistë mendojnë se entuziazmi i tanishëm i Koresë Jugore për diplomaci, ka të bëjë me dëshirën e evitimit të turpërimit, apo incidenteve gjatë Olimpiadës dimërore, e cila përndryshe do të mund të pengohej nga sulmet terroriste, apo kibernetike nga Koreja e Veriut. Nuk ka asnjë garanci që marrëdhëniet do të mbeten po aq të mira edhe më pas. Stërvitjet ushtarake të trupave amerikane dhe atyre të Koresë Jugore, pritet që të fillojnë pas lojërave olimpike. Edhe pse Seuli kërkoi suspendim të përkohshëm të stërvitjeve para kësaj ngjarjeje, komandantët ushtarakë i shohin ato si pjesë kyçe të ruajtjes së gatishmërisë së Koresë Jugore, SHBA-së dhe Japonisë, në rast të ndonjë sulmi të ardhshëm. Atë që Koreja Jugore do të donte ta shihte më pak, është demonstrimi i forcës të cilin e bëri SHBA-ja vitin e kaluar, sidomos ushtrimet individuale ajrore, që kanë për qëllim të demonstrojnë aftësinë për goditjen e qendrave bërthamore të Koresë Veriore, në rast nevoje. Megjithatë, Uashingtoni nuk do të ishte i lumtur nëse Koreja Jugore do të intensifikonte lidhjet ekonomike me veriun, psh me anë të rihapjes së disa zonave ekonomike përgjatë kufirit. Strategjia e Uashingtonit për ta bindur Penjanin për të ngadalësuar ambiciet e tij bërthamore, varet shumë nga izolimi ekonomik i Koresë Veriore. Kjo është një strategji e cila tanimë ka pasur probleme të gjera. Derisa Kina kryesisht ka mbështetur vënien e sanksioneve nëpërmes OKB-së, pjesërisht për shkak të frustrimeve të veta rreth sjelljes së Kim Jong- Un-it, Rusia e Vladimir Putinit gjithnjë e më shumë është bërë linjë jetësore për Penjanin. 

Sjelljet e mira diplomatike

Në të vërtetë, qëllimi kryesor i Koresë Jugore mbetet që të bindet SHBA-ja, të mos ndërmarrë ndonjë veprim të njëanshëm. Edhe pse Donald Trump nuk ka mundur të vizitonte Zonën e demilitarizuar gjatë vizitës së tij në Seul, vitin e kaluar, zyrtarët e Koresë Jugore janë përkujdesur që t'ia bëjnë atij me dije se kryeqyteti i Koresë Jugore gjendet vetëm 35 milje nga kufiri me Korenë Veriore. Kjo e vendos Seulin brenda rrezes së artilerisë së Kim Jong -Un-it dhe parashikimet e Pentagonit kanë tërhequr vërejtjen se ai mund të vrasë deri në 20,000 koreanë jugorë në ditë, edhe nëse nuk i përdor fare armët bërthamore. Për këtë shkak, nuk befason fakti që koreanët e Jugut donin t'ia bënin me dije Trumpit që ai nuk duhet të rrezikojë të bëjë ndonjë gjë, që do të mund ta rindezte luftën. Si Koreja jugore, po ashtu edhe administrata e Trumpit, janë qartazi në kërkim të metodave politike të cilat do të mund t'i përdornin për ta larguar Penjanin nga programi i tij bërthamor. Në vizitën e tij vitin e kaluar, Trump thuhet të ketë pyetur Moon-in se a mundet Jugu që të bindet të heqë dorë nga thirrjet për ribashkim të gadishullit dhe, si rrjedhim, për rënien e regjimi të Kimit. Zyrtarët e Koresë Jugore thanë se kjo nuk mund të bëhet - Jugu mbetet politikisht i përkushtuar ndaj ribashkimit, edhe pse janë të paktë ata që mendojnë se kjo është e mundur. Edhe Koreja veriore përdorë retorikë të ngjashme të "ribashkimit", por shumë analistë mendojnë se ky vend do ta bënte një gjë të tillë vetëm po të kalonte tërë vendi nën regjimin e Kimit dhe, me gjasë, si rezultat i pushtimit ushtarak. Për këtë shkak Koreja Jugore nuk ka të ngjarë që të largohet tepër nga aleanca me SHBA-në. Në fakt, shqetësimi kryesor për shumë analistë të Koresë Jugore, është që Uashingtoni mund ta lërë Jugun të ekspozuar qoftë nga tërheqja nga gadishulli, apo duke qëndruar anash nga ndonjë konflikt midis veriut dhe jugut, për shkak të frikës nga ndonjë sulm bërthamor të Veriut ndaj SHBAsë. Sjelljet e mira diplomatike të kësaj jave, kanë zvogëluar thuajse në tërësi rrezikun nga ndonjë sulm të Veriut gjatë Olimpiadës dimërore, qoftë sulm kibernetik, apo edhe më keq. Por, nuk është bërë gjë që të zgjidhet problemi kryesor.

(Peter Apps është analist global i "Reuters"-it që shkruan për çështje ndërkombëtare, të globalizimit, konflikteve, etj).

(Kosova Sot)