Pastrimi i politikës dhe drejtësisë përmes VETTING-ut

Pastrimi i politikës dhe drejtësisë përmes VETTING-ut
  • 24 January 2018 - 08:35

Viti 2018 - viti i VETTINGut, faleminderit SHBA! (2)

SHKRUAN: SKËNDER S.KAPITI

Çdo epokë dhe çdo kohë ka heronjtë e protagonistët e vet, ka historinë e vet, krijon "mitet" dhe të shenjtët e vet, që janë ata të cilët kanë dhënë nga vetja e tyre për të mirën e atdheut dhe të kombit. Me të kaluarën e lavdishme, me ngjarjet dhe me sakrificat e shqiptarëve në të shkuarën nuk është ndonjë mjaftueshmëri e konsiderueshme dhe as kryesore që i shërben së tashmes, brezit të sotëm, por kryesore dhe vendimtare është se: çfarë bëjmë ne SOT për veten tonë, për zhvillimin tonë, për demokracinë, për mirëqenien dhe për integrimin në këtë kohë moderne, e cila ecën përpara dhe përshpejtueshëm. Në historinë botërore ka shumë shembuj që perandori, mbretëri dhe popuj të lavdishëm kanë rënë kur i ka pllakosur padrejtësia, por edhe janë zhdukur dhe asimiluar, sepse në momentet kohore të mëvonshme nuk u gjendën dhe nuk i përballuan sfidat e reja që kërkonte ndryshimi. 

VETTING-u është jetik për shqiptarët

Politika dhe politikanët shqiptarë vetëm sa kanë manipuluar e spekuluar për të përfituar dhe sa për të marrë pak shkëlqim prej sakrificave dhe prej heronjve tanë kombëtarë, p.sh. siç bëjnë edhe sot politikanët e këtij tranzicioni, të cilët ua kanë bërë dhe shkaktuar gjithë këto të zeza dhe fatkeqësi shqiptarëve dhe në raste kremtimesh festash kombëtare, fetare e deri edhe pagane e ceremoni të tjera ata kudo duken dhe na dalin të parët, edhe si flamurtarë të patriotizmit e kombëtarizimit, vetëpredikohen si moralistë dhe fetarë, si zemërmirë dhe të dhimbshëm. Politikanët e paturp shqiptarë janë shumë të pabesë dhe hipokritë dhe mosmirënjohës edhe ndaj aleatit tonë të madh jetik e strategjik, SHBA-ve, të cilët proamerkanizmin e kanë vetëm fasadë dhe retorikë, pasi ndryshe dhe me pabesi veprojnë dhe do të ishte mjaftueshëm fakti se si politika shqiptare bëri lloj-lloj pengesash dhe akrobacish kundër miratimit të Ligjit të VETTING-ut, ashtu sikurse edhe vazhdon akoma. VETTING-u është jetik për shqiptarët dhe të jesh kundër e ta pengosh VETTINGun do të thotë se je kundër shqiptarëve, kundër, ligjit, kundër drejtësisë dhe kundër integrimit dhe njëkohësisht je edhe kundër aleatit dhe mikut më të madh të shqiptarëve, SHBA-ve, të cilët e detyruan politikën shqiptare që ta miratojë VETTING-un, sepse ai u shërben vetëm shqiptarëve. Sot, si mite moderne, si ide e vizione për shqiptarët janë zhvillimi e progresi, mirëqenia, ndërtimi i shtetit ligjor dhe modern, zhvillimi dhe konsolidimi i lirive dhe i të drejtave të njeriut; janë demokracia dhe integrimi dhe janë SHBA-të si tempull lirie e demokracie, por sidomos për shqiptarët SHBA-ja janë miku më i shtrenjtë dhe i pazëvendësueshëm i tyre. Prandaj them se viti 2018 duhet të jetë viti i VETING-ut, implementimi dhe zbatimi i tij. Këtë duhet ta bëjnë shqiptarët.  

Patriotizmi fals

Nuk ka nevojë Evropa dhe nuk bindet e as nuk e merr në konsideratë ajo të shkuarën se kush kemi qenë dhe sa të lavdishëm kemi qenë, nuk integrohemi në Evropë me biografitë e heroit kombëtar Skënderbeu dhe as të Nënë Terezës dhe aq më tepër akoma kur këtë "prezantim"të lavdisë sonë kombëtare e bëjnë politikanët dhe pushtetarët shqiptarë të mbushur me zullume, padrejtësi, korrupsion, hajni dhe me tradhti. Mirënjohja më e mirë dhe respekti për historinë, për kontributet dhe sakrificat e heronjve dhe të njerëzve të shquar të kombit tonë tregohet vetëm atëherë kur dhe po që se ne të sotmit kontribuojmë dhe përkushtohemi duke i shërbyer vetes, interesave kombëtare dhe shtetit e kombit tonë vetë ne SOT. Kur ta duam veten tonë, atëherë do të binden edhe të tjerët në Evropë se i duam edhe ata, prej të cilëve atëherë do të marrim edhe besim dhe respekt. Sa keq ndihesh kur dëgjon dhe shikon të flasin këta të tillët politikanë, pushtetarë dhe kryetarët tanë të sotëm, që veprojnë e punojnë vetëm për veten e tyre, të cilët: dëmtojnë, vjedhin, korruptojnë, mashtrojnë e spekulojnë dhe kur po këta, në emër dhe për krenarinë kombëtare, për heronjtë kombëtarë dhe për sakrificat e shqiptarëve flasin dhe spekulojnë me to, me hipokrizi, në përpjekje për të privatizuar edhe prerogativat e patriotit dhe të kombëtarit. Sa keq ndihen qytetarët kosovarë kur dëgjojnë nga goja e hipokritëve dhe e spekulatorëve politikë dhe të pushtetit, të cilët manipulojnë dhe shfrytëzojnë për përfitime politike, pushteti dhe për interesa personale luftën çlirimtare të UÇK-së, si dhe kur dëgjojmë po nga mashtruesit dhe spekulantët politikë, të cilët spekulojnë me veprën e madhe të Ibrahim Rugovës. Patriotizmi i cili bëhet me dukje dhe sipërfaqshëm dhe të cilin kanë mundësinë ta bëjnë të pushtetshmit, politika, mediat e intelektualët mercenarë është patriotizëm fals, i cili bëhet për të mashtruar popullin, opinionin dhe për të mbuluar dhe justifikuar padrejtësitë, korrupsionin, vjedhjen dhe tradhtinë e tyre. Këta janë po ata të cilët nuk e duan VETTING-un, këta janë fanatikët dhe "elita" e establishmentit të mosndryshimit, të cilët nuk e duan të renë, ndryshimin dhe as progresin e integrimin për të cilat kanë nevojë Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët sot kudo ata janë. Kundër këtyre dhe për pastrimin e politikës, të pushtetit dhe të drejtësisë duhet të zbatohet VETTING-u, këtë duhet ta mbështesë shoqëria shqiptare fort, pasi kemi në krah SHBA-në dhe VETTING-u është një reformë e pakthyeshme, pavarësisht kundërveprimeve e reagimeve dëshpëruese të krimit, korrupsionit, padrejtësisë dhe paligjshmërisë së politikës dhe të drejtësisë së kriminalizuar dhe të korruptuar, të cilat do t'i ndëshkojë VETTING-u.

(Kosova Sot)