Clinton, George W. Bush, e as Donald Trump nuk do të shfaqen më në rolin e shpëtimtarit të Kosovës

Clinton, George W. Bush, e as Donald Trump nuk do të shfaqen më në rolin e shpëtimtarit të Kosovës
  • 25 January 2018 - 09:06

Barometri diplomatik

SHKRUAN: PROF.DR.MEHDI HYSENI

Ish-presidenti i nderuar Bill Clinton e ndihmoi Kosovën, kur populli i saj ishte në prag të shfarosjes nga gjenocidi i Serbisë së Slobodan Milosheviqit (1999). Bill Clintoni erdhi në Kosovë, sepse e thirri UÇK-ja e komandantit legjendar Adem Jashari më 1999 ( Raçaku, Prekazi, Kosharja…etj.). Kjo ishte e vetmja arsye, pse SHBA-ja me aleatët e saj europerëndimorë e bombardoi Serbinë për t'i shpëtuar mbi 2 milionë shqiptarë nga shfarosja e gjenocidit serb. O, të bekuar, Amerikën e Bill Clinton-it e solli në Kosovë lufta çlirimtare kombëtare e UÇK-së. Ndryshe, kurrë nuk do të shfaqej një "film" i tillë në Kosovë (24 Mars - 10 Maj 1999). Këtë të vërtetë sunduesit dhe përmbysësit, si dhe shërbëtorët e tyre në Kosovë dhe, jashtë saj, duhet ta mbajnë në mend përgjithmonë. Edhe sikur sot Bill Clinton, të kishte qenë në pushtet nuk do ta ndihmonte Kosovën, të cilën hajnat, korrupcionistët dhe kriminelët e ndryshëm e kanë shndërruar në plaçkën e tyre personale, grupore, partiake, mahallore dhe provincialiste. Pse Bill Clinton ta shpëtojë Kosovën, kur kjo që tetë vjet (2008) është e pavarur dhe nuk kërcënohet nga jashtë, sepse Amerika me NATO-n janë ende në Kosovë. Tani, Kosovën le ta "shpëtojnë" hajnat, kriminelët, korrupsionistët, despotët dhe nepotistët feudalë oligarkistë. Këta janë pushtuesit dhe sunduesit e Kosovës. Këta janë rreziku për zhbërjen e shtetit të ri të Kosovës. Prandaj, në shthurjen e kësaj gjendjeje kaotike, të krijuar nga vetë pushtetarët kosovarë, nuk do të ndihmojnë as Amerika e as Evropa Perëndimore, sepse kjo është vetëm çështje e brendshme e Kosovës, jo e Evropës e as e bashkësisë ndërkombëtare. Pra, nuk është çështje, që Uashingtoni, Londra, Brukseli dhe Berlini, duhet kërkuar ndërkombëtarizimin e saj.

Shpëtimi nga gjenocidi

Në këtë rast konkret nuk ka asnjë gjasë minimale, që të reprizohet ndihma ndërkombëtare e Amerikës dhe e Evropës Kosovës më 1999 ngaqë atëherë ishte luftë, që rrezikonte jo vetëm Kosovën, Ballkanin dhe Evropën, por edhe gjithë rendin ndërkombëtar. Pra, patjetër, duhet mbajtur parasysh rrethanat e përgjithshme në të cilat sot ndodhet Kosova, e pastaj, të "filozofohet", të spekulohet dhe të "ëndërrohet" rishfaqja e Bill Clinton-it në Kosovë, sepse ajo më nuk do të përsëritet kurrë në Kosovë, pavarësisht lutjeve të shkreta të atyre, që ia donë të mirën Kosovës dhe shqiptarëve në Ballkan. Pra, jo Bill Clinton, as George W. Bush, e as presidenti aktual amerikan Donald Trump, nuk do të shfaqen më në rolin e shpë- timtarit të Kosovës, sepse këta e kanë shpëtuar dhe pavarësuar Kosovën. Kjo është merita e Amerikës dhe e aleatëve të saj europerëndimorë (1999). Kjo mbështetje ndërkombëtare bëri që Kosova të shpëtonte nga gjenocidi serb, si dhe të pavarësohej më 17 shkurt 2008, të cilën, tanimë e kanë njohur 140 shtete të Kombeve të Bashkuara. Tashmë, topi është në "oborrin" e politikës së brendshme të Kosovës, jo të politikës ndërkombëtare. Kjo do të thotë se Kosovën, duhet ta mbrojnë dhe ta shpëtojnë vetë shqiptarët, pikërisht ata "politikanë", "diplomatë", "juristë", "ekonomistë" dhe "shkencëtarë" të partive, të "nahijave" fisnore feudale, të cilët, që 18 vjet (në liri dhe në paqe) Kosovën e kanë sjellë në gjendjen e mjerueshme politike, ekonomike, zhvillimore, sociale, të papunësisë, të eksodit sistematik dhe të mirëqenies së përgjithshme.

Politika nuk bëhet me krime, me korrupsion, me varfërimin dhe me shfrytëzimin e popullit!

Në këtë rast konkret, nuk bëjnë punë lutjet e as uratat e varfanjakëve dhe të atyre që jetojnë me ëndrra (sot për nesër), sepse politika nuk njeh lutje, as dashuri e as mëshirë, por vetëm interes. Asgjë tjetër! Prandaj, për të ndryshuar gjendjen e mjerueshme, konfuze dhe anarkike politike në trojet etnike shqiptare sidomos në Shqipërinë londineze (1913) dhe në Kosovën ahtisariane (2008), nuk mjaftojnë dhe nuk vlejnë lutjet dhe ëndrrat e kota të "kalemxhinjve" të politikës ditore, ah sikur të na kishin ndihmuar edhe njëherë Bill Clinton, Madeleine Albright, Tony Blair, William Walker, Robin Cook (tanimë i ndjerë), Richard Holbrooke…etj. Kjo farë "astrologjie autodidakte" sepekuluese dhe utopiste është barometri më i saktë i mosnjohjes së politikës. Politika nuk është "listë dëshirash" dhe "fontanë urimesh të dashurisë", por interes dhe qëllim i caktuar, e cila ndërtohet nga shkencëtarët dhe nga njohësit e saj, jo nga përfolësit, nga bashibozukët dhe nga falltorët e saj, të cilët e kuptojnë vetëm si mjet të domosdoshëm për t'i përmbushur nevojat e tyre personale, grupore, familjare dhe partiake për të "mbijetuar" vetë dhe për t'i shfrytëzuar të tjerët në emër të "politikës" dhe të "demokracisë" së tyre importuese dhe imituese. Në këto rrethana politike të krijuara në Kosovë (2000- 2018), edhe sikur Bill Clinton, Tony Blair dhe Madeleine Albright etj. të kishin qenë në pushtet, nuk do ta kishin ndihmuar Kosovën, thjesht, për shkak se Kosova nuk është në luftë sikurse që ishte më 1999.

Krizën politike në Kosovë mund ta zgjidhë vetëm Presidenti Donald Trump!

-Është naivitet dhe gabim fatal politik, të thuhet, "ah, sikur ish-presidenti i SHBAsë, Bill Clinton, të vinte edhe njëherë në Kosovë për t'ua ndrequr hajnave "samarin" e hesapeve të brendshme politike, kur de fakto dhe de jure Amerika është e pranishme në Kosovë. Si rrjedhim, Kosova nuk ka nevojë për presidentin Bill Clinton ( sepse ai ka kryer me plot sukses misionin e tij historik, human, politik, diplomatik, ushtarak dhe paqësor ndaj Kosovës), por kemi nevojë urgjente për presidentin aktual të SHBAsë, Donald Trump, që të vete në Kosovë, dhe ta qëronte "shapin prej sheqerit", të krijuar nga bandat politike të pasluftës. Kjo është urgjenca e nevojshme dhe e domosdoshme për ta shpëtuar Kosovën nga pushtetarët korrupsionistë, mashtrues dhe shfrytëzues të popullit, të Amerikës dhe të Evropës Perëndimore. - Terapia e vetme për shërimin urgjent të kësaj sëmundjeje patologjike, është ndërhyrja direkte e Presidentit Domald Trump. Ndryshe, dita-ditës Kosova po rrezikohet, që të rrëshqasë nën Serbi

(Kosova Sot)